Drejtori i Inspekcionit, Nevzad Rushiti, Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilan, për tre muaj inkasohen mbi 300 mijë euro nga lejet e ndërtimit

Drejtori i Inspekcionit në Gjilan, Nevzad Rushiti,  ka deklaruar se për tre muaj janë inkasuar mbi 300 mijë euro nga lejet e ndërtimit.

“Bashkëpunimi i mirë i drejtorisë së Inspekcionit me drejtorinë për Urbanizëm, ka rezultuar që vetëm nga lejet e ndërtimit në Gjilan janë inkasuar mbi 300 mijë euro për tre muajtë e parë të këtij viti, pra për periudhën kur ka filluar ndërtimi në fund të muajit mars e këndej. Inkasim jashtëzakonisht të mirë kemi edhe tek pranimet teknike të lokaleve afariste, sikurse edhe në të hyrat në sektorin e bujqësisë, sanitarisë dhe veterinës”, ka thënë Rushiti.

Duke folur për punën pesë mujore të drejtorisë, ai ka nënvizuar se sektori i tregtisë është marrë me inspektimin e flamujve të shteteve të prejardhjes së mallit, në të gjitha qendrat tregtare, minimarketet dhe shitoret e vogla, në qytet dhe fshatra.

“Po ashtu, inspektorët janë në inspektim të vazhdueshëm dhe kanë bërë ndëshkime dhe gjoba mandatore për ndotësit e ambientit në komunën tonë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, duke folur për planifikimin për tre muajt e verës, Rushiti ka thënë se Inspekcioni në Gjilan prioritet do të ketë lirimin e hapësirave publike nga uzurpatorët.

“Shfrytëzuesit legal të mos keqpërdorin hapësirën e lejuar nga drejtoria kompetente, në të kundërtën do të pasojnë masat sipas ligjeve në fuqi dhe rregulloreve të Kuvendit të Komunës”, pohoi ai.

Një punë punë jashtëzakonisht e madhe, sipas Rushitit, po bëhet në zbatimin e vendimit të kryetarit Haziri për keqpërdoruesit e ujit të pijshëm, në kohën kur kjo Komunë ka shpallur gjendje emergjente shkaku i mungesës së të reshurave.

“Inspektorët tanë janë në kujdestari 24 orë për secilin aspekt, e në veçanti për të inspektuar keqpërdoruesit eventual të ujit”, ka përfunduar drejtori i Inspekcionit në Gjilan, Nevzad Rushiti.

18 Qershor 2019 - 12:18

Dorentina Kastrati 18/06/2019 - 12:18
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend