Xhemajli Mohon Mbështetjen Për Shërim Nga Qeveria
Qeveria e Kosovës, me një vendim që kishte nxjerrë në dhjetor të vitit 2009, gjashtë muaj pasi ish-kryetari i Ferizajt kishte shkaktuar një aksident me pasojë vdekjen e një të riu nga Lipjani, kishte ndarë mjete financiare për shërimin e Bajrush Xhemajlit të cilat ky i fundit thotë se nuk i ka marrë.
Asnjë i përfshirë tjetër në aksident nuk ishte ndihmuar nga Qeveria.
Në vendim, po ashtu, nuk tregohej nga se vuante Xhemajli, ku do të shërohej dhe me sa do të mbështetej.
Qeveria e Kosovës, e cila e konfirmon ndarjen e mjeteve, nuk zbulon se me sa buxhet e mbështeti Xhemajlin i cili, për mëse dy vjet, sfidoi me mjete ligjore dënimin me burg dhe tash së voni fitoi të drejtën e rigjykimit për aksidentin e mëngjesit të 21 majit 2009.
Në magjistralen Prishtinë- Ferizaj, vetura e Xhemajlit kishte goditur dy vetura që ishin në anën e kundërt të rrugës, me ç`rast, nga plagët e marra, kishte vdekur 21 vjeçari Labinot Rrustemi dhe ishin lënduar disa persona tjerë.
Në mesin e tyre i lënduar ishte edhe vetë Xhemajli i cili, pastaj, ishte dërguar për shërim në Austri.
Në vendimin e qeverisë së Kosovës të datës 1 dhjetor 2009 thuhet: “Ndahen mjete financiare me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për mjekimin e z.Bajrush Xhemajli, kryetar i Kuvendit Komunal të Ferizajt”.
Në vendim shtohet se “Mjetet financiare do të sigurohen nga rezervat e Qeverisë“.
“Për rastin në fjalë është respektuar vendimi i Qeverisë. Muharrem Shahini
Ky fond përdoret për rastet urgjente.
“Nëse ndodh një rast për të cilin nevojiten shpenzime urgjente ose të paparashikuara, organizata përkatëse buxhetore mund të aplikojë pranë ministrit për fonde shtesë”, thuhet në ligjin për menaxhimin e financave publike, nenin 29.
Sipas ligjit, në aplikacion duhet të shpjegohen rrethanat të cilat kanë shkaktuar nevojën për fonde shtesë dhe të shpjegohen arsyet pse këto rrethana nuk kanë mundur të parashikohen.
“Pas pranimit të aplikacionit, departamenti i buxhetit e shqyrton atë dhe ia paraqet rekomandimet ministrit”.
Në vendimin për Xhemajlin, ky shpjegim nuk figuron.
Ministria e Financave e Kosovës ka pranuar se ky vendim është ekzekutuar.
“Për rastin në fjalë është respektuar vendimi i Qeverisë”, i tha gazetës, Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave, pa saktësuar shumën.
Buxheti i paparashikuar i Kosovës për vitin 2009 ka qenë 5 milionë euro, 2.5 milionë shpenzime kapitale dhe 2.5 rezerva.
Nuk mund të kontestohet përdorimi i tyre në rastin e Bajrush Xhemajlit. Venera Demukaj
Venera Demukaj, ligjëruese e ekonomisë në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), thotë se në bazë të ligjit për menaxhimin e financave publike, ministri i financave në raste dhe për arsye të caktuara ka të drejtë të autorizojë mbulimin e shpenzimeve nga fondi rezervë.
“Kjo bëhet për ato ngjarje që krijojnë shpenzime të cilat nuk kanë mund të parashihen”, tha ajo .
Mirëpo, sipas Demukës, është pyetje tjetër se a duhet që ministri i financave të ndërhyjë me fondin e tij rezervë edhe në raste individuale, sikur në të ish-kryetarit të komunës së Ferizajt.
“Meqë ligji nuk i specifikon rastet në të cilat ministri i financave mund të autorizojë shpenzimet nga fondi i tij rezervë, por vetëm liston kushtet të cilat duhet plotësuar, atëherë nuk mund të kontestohet përdorimi i tyre në rastin e Bajrush Xhemajlit”, tha ajo.
Fillimisht kur gazeta ka kërkuar të dijë se kush ka qenë personi që e ka autorizuar ndarjen e mjeteve buxhetore në këtë rast dhe kur është ndarë ky buxhet, ministria e financave ka sugjeruar që të kontaktohet ministria e shëndetësisë.
Ministra e shëndetësisë, e kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, ka thënë se meqë po i referohej një vendimi të Qeverisë, do të duhej të kontaktoheshin zyrtarë nga qeveria dhe të merren shpjegime adekuate nga ta.
“Ministria e shëndetësisë nuk ka mandat të vendosë për pagesa nga rezervat e qeverisë”, tha Faik Hoti, zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë.
“Nuk jam në dijeni për shumën e mjeteve të ndara për shërimin tim që është mbuluar nga qeveria. Bajrush Xhemajli
I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Bajrush Xhemajli, thotë se për shërimin e tij nuk ka pranuar asnjë shumë parash.
“Unë, personalisht, për shërimin tim, nuk kam pranuar, asnjëherë dhe asnjë shumë parash”, tha Xhemajli.
Xhemajli madje shtoi se nuk e dinte për vendimin të cilit i referohej gazeta.
Ai thotë se ka qenë në komë për shtatë ditë dhe nuk ishte në rrjedha të proceduarave, ani pse flitej për një vendim që qeveria e kishte marrë gjashtë muaj pas aksidentit.
“Rrjedhimisht, nuk jam në dijeni për shumën e mjeteve të ndara për shërimin tim që është mbuluar nga qeveria. Aq më tepër që unë për shtatë ditë kam qenë në gjendje kome dhe nuk jam në rrjedha të procedurës për të cilën jeni fokusuar ju”, tha Xhemajli.
Kur gazeta ia përcolli vendimin e qeverisë, që është i qasshëm në ueb-sajtin e saj zyrtar, si dhe e njoftoi atë me konfirmimin e Ministrisë së Financave se shuma është ndarë, Xhemajli më nuk ktheu përgjigje.
Ndërkohë, të njëjtin fat që të ndihmoheshin me mjete financiare nga qeveria nuk e patën edhe të lënduarit e tjerë gjatë aksidentit të 21 majit të 2009 në lagjen Veternik të Prishtinës.
Qeveria jo që nuk na ka dhënë asgjë, mirëpo ajo as që është interesuar për gjendjen e djalit. Hamdi Rrustemi
Hamdi Rrustemi (prindi i Leutrimit) në ditën e aksidentit kishte kërkuar që djali i tij të dërgohej në spitalin ushtarak Bondsteel ose jashtë Kosovës për shërim, mirëpo, sipas tij, kjo nuk iu mundësua.
“E dija që djali është në një gjendje të keqe edhe pse nuk e shihja, prandaj edhe pata kërkuar që ta dërgojmë në shërim diku tjetër, mirëpo mjekët më thoshin se gjendjen nuk e ka shumë keq, mund të shërohet”, tha Rrustemi.
Rrustemi thotë se institucionet nuk e ndihmuan.
“Qeveria jo që nuk na ka dhënë asgjë, mirëpo ajo as që është interesuar për gjendjen e djalit”, tha Rrustemi.
As Ilir Haziri, i lënduar gjatë aksidentit, nuk ishte ndihmuar financiarisht.
“Për neve tjerëve të aksidentuarit nuk janë interesuar askush nga institucionet, jemi shëruar me mjetet tona”, tha Haziri.
Katër vjet më parë, Prokuroria e Qarkut në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë me të cilën e akuzonte kreun e Ferizajt për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik.
Më 26 nëntor 2010, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e ka shpallur Xhemajlin fajtor për shkaktim të aksidentit duke vozitur mbi 100 km/h, në një zonë ku limiti i shpejtësisë ishte 40 km/h duke e dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim.
Mbrojtja e Xhemajlit, e pakënaqur me vendimin, kërkoi që të mundësohej angazhimi i një eksperti të pavarur për vlerësimin e shkaktarëve tjerë të aksidentit, mirëpo kërkesa u mohua nga Gjykata e Qarkut.
Me po këtë kërkesë mbrojtja e Xhemajlit iu drejtua Gjykatës Supreme. Kjo e fundit më 8 mars 2012 e hodhi poshtë ankesën e Xhemajlit dhe e konfirmoi atë fajtor.
Më 20 mars 2012 Xhemajli dha dorëheqje nga funksioni i Kryetarit të Komunës së Ferizajt, pasi që ligji për vetëqeverisje lokale ua ndalonte personave të dënuar të qeverisnin me komuna.
Edhe pse Xhemajli u dënua për vepër penale, ai nuk shkoi në vuajtje të dënimit.
Në prill 2012 gjykata komunale në Ferizaj ka shtyrë ekzekutimin e dënimit për periudhën kohore prej tre muajsh.
Pas asaj periudhe, më 18 korrik 2012, gjykata komunale në Ferizaj ka aprovuar përsëri kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për dy muaj.
Dy ditë para se të skadonte vendimi që mbante në liri Xhemajlin, të autorizuarit e tij, përmes një parashtrese, rikërkuan shtyrje të ekzekutimit.
Sipas një raporti mjekësor, që i ishte bashkangjitur parashtresës për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burg, thuhej se Bajrush Xhemajli vuan nga një sëmundje që shkakton infarkt në mushkëri dhe që mund t’ia rrezikojë jetën.
Raporti ishte lëshuar nga mjeku Ilir Peposhi, nga spitali universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Në raport thuhej se pacienti ka “diagnozë tromboemboli pulmonare dhe se gjendja e tij mbetet e njëjtë”. Kjo sëmundje manifestohet kur nga bllokimi i një ene, mushkëria nuk furnizohet me gjak.
Në ndërkohë Xhemajli ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese pasi pretendonte se i ishte shkelur e drejta e tij kushtetuese, në momentin kur nuk i ishte lejuar atij të angazhonte një ekspert.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës me 19 shkurt 2013 ka vendosur ta kthejë në rigjykim rastin e ish-kryetarit të Ferizajt pasi ka konstatuar se gjykatat e rregullta është dashur të lejonin super-ekspertizën e kërkuar nga ai në lidhje me aksidentin.
Teksti është publikuar fillimisht më 18 mars.