Xhamitë e Vitisë që po sfidojnë Bashkësinë Islame 

Në mes viteve 2008-2012 në Kosovë kishin funksionuar disa xhami të cilat nuk ishin nën ombrellën e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Gjuha dhe fryma që u ligjërua në disa prej këtyre xhamive vlerësohet që ishte shkëndija nismëtare që mbi 400 shqiptarë të Kosovës të merrnin pjesë edhe në konfliktin në Siri e Irak.

Xhamitë u mbyllën vetëm pas intervenimit të Policisë dhe burgosjes së disa prej imamëve që ligjëronin në to.

10 vite pas operacioneve, Vitia është rikthyer në qendër të vëmendjes. Dy xhami në këtë zonë kanë dalë nga ombrella e Bashkësisë Islame dhe si rrjedhojë ligjëruesit dhe hapësirat e tyre nuk menaxhohen nga kjo bashkësi.

Xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë tani menaxhohen nga Mubarek Misini dhe Ilir Emini.

Dy ligjëruesit janë të paarritshëm për mediat ndërsa rrugëtimi për t’i takuar ata është problematik, pasi njerëzit në fshat u rekomandojnë gazetarëve të mos merren me këtë temë.

Kur ekipi i KALLXO.com shkoi që të bisedojË me disa nga banorët në Ramnishtë, në momentin e parë që panë pajisjet dhe u diskutua tema për xhaminë, ata menjëherë kërkuan që kamera dhe mikrofoni së bashku me telefona të lihen brenda veturës sepse nuk dëshirojnë të flasin për këtë çështje. 

Policia e Kosovës i ka thënë KALLXO.com në një përgjigje se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë nga përfaqësuesi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti për problematikën e ngritur për dy xhamitë në Viti.

“Konsiderojmë se kontrolli dhe menaxhimi i objekteve fetare në komuna dhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës i takon kompetentëve në këtë rast ekskluzivisht Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame në secilën komunë, e në këtë rajon komunës së Vitisë. Po ashtu lidhur me çdo ndërtim janë institucionet përkatëse lokale”- thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KALLXO.com.

Tutje të njëjtit shtojnë se Policia të gjitha informacionet që​ merr nga terreni, burime të mbyllura dhe të hapura, përfshirë këto të fundit i trajton me seriozitetin më të lartë dhe të ruajtjes së informacioneve, duke i adresuar në njësitet përkatëse për të vërtetuar a ka ndonjë veprimtari të kundërligjshme.

“Çdo informacion i pranuar trajtohet në fushën informative dhe operative, kjo bëhet edhe nëse nuk ka elemente të veprës/ave penale”- thotë Policia.

Si u identifikua problemi?

Ditë më parë, në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë në Bashkësi në Viti, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Husamedin Hoxha, ngriti alarmin se xhamitë në Skifteraj e Ramnishtë janë duke punuar jashtë juridiksionit dhe pa menaxhim të Bashkësisë Islame të Kosovës. 

Brenda mbledhjes ku të pranishëm ishin drejtues të institucioneve lokale, e ku bëjnë pjesë edhe ata të sigurisë, u ngrit çështja edhe se persona të cilët nuk përmbushin kriteret janë ‘vetëshpallur’ imamë të këtyre xhamive në këto dy fshatra. 

Në një bisedë me KALLXO.com, kryetari i Këshillit të BIK-ut në Viti, Husamedin Hoxha, tha se kjo problematikë është me vite. 

Me xhaminë e vjetër në Skifteraj thotë se kanë probleme për gati tri vjet ndërsa për atë në Ramnishtë problemi është identifikuar që nga viti i kaluar, kur kjo xhami ishte nisur për ndërtim dhe hapur pa leje të BIK-ut. 

“Mbi dy vite e gjysmë është ajo e Skifteraj, ndërsa ajo në Ramnishtë prej vitit të kaluar në muajin Ramazan e cila xhami është nisë ndërtimi pa leje nga BIK, pa u mbyll meremetimi pa u bë hapja dhe po vazhdon të funksionoj edhe falja e namazit të xhumasë dhe ditor pa menaxhimin tonë”- thotë Hoxha për KALLXO.com deri sa shton se objektet fetare janë vende publike ku banorët kryejnë ritualet fetare të besimit që u takojnë.

Xhamia në Ramnishtë, FOTO: KALLXO.com

Sipas Hoxhës, xhamitë në Skifteraj e Ramnishtë po frekuentohen nga persona të panjohur deri sa potencon faktin edhe se shqetësimet për këtë çështje i kanë ngritur edhe më herët. 

“Kemi hapur edhe konkurse me i shti nën ombrellën tonë, por kërcënimet që vijnë nga këta njerëz nuk po na japin hapësirë me qenë korrekt me këto xhami”- shton Hoxha. 

Kryetari i Këhsillit të BIK-ut Viti, Husamedin Hoxha, FOTO: KALLXO.com

Te kërcënimet ai thotë se imamët refuzojnë të shkojnë të udhëheqin xhami për shkak se nuk pranohen ndërsa shton se “unë imam me i rreh nuk dërgoj”. 

“Vijnë njerëz te zyra thonë a po e din çka po ndodh aty, pse hoxhë nuk po ndërmerr diçka dhe unë u kam treguar të gjitha procedurat. Nuk mundemi me punu apo me çu njerëz e me bë probleme”- thotë ai.

Në Komunën e Vitisë, Hoxha thotë se janë 30 xhami të cilat funksionojnë nën menaxhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës. 

Deri sa Kosova renditet ndër vendet që ka pasur probleme me radikalizëm dhe ekstremizëm, kryetari i Këshillit të BIK në Viti thotë se kjo ekziston edhe sot. 

“Ne në Kosovë që sa vite po ballafaqohemi me radikalizëm dhe ekstremizëm cilit grup i takojnë këta unë nuk e di, por që ka radikalizëm dhe ekstremizëm në Kosovë ajo shihet me sy” – shprehet Hoxha. 

Ndërsa kur pyetet se apo zhvillohet ky fenomen brenda këtyre xhamive ai thotë shkurt, “deri sa ata nuk lejojnë me u ballafaqu dhe me hy në ombrellë të këshillit…”. 

“Aty aktivitete të dyshimta po bëhen”- vazhdon të tregojë Hoxha. 

Ekipi i KALLXO.com ka udhëtuar drejtë fshatrave Ramnishtë e Skifteraj. Qytetarët në këto dy vende nuk pranuan të flasin për këtë çështje. 

Xhamia në Skifteraj, FOTO: KALLXO.com

Madje ekipi takoi edhe një prej drejtuesve të Këshillit por që nuk pranoi të tregojë as kush është e as të flas për problemin. 

Ekipi u udhëzua që të mos incizojë banorët, apo bisedën me ta dhe të largohej nga fshati. 

“Çka jeni mundu?”- thotë njëri nga banorët, “Jemi duke punuar një artikull për rastin e xhamisë”- ia kthen ekipi i KALLXO.com ndërsa menjëherë ndërhynë tjetri banor i cili thotë “çka te xhamia?” dhe aty kërkohet që pajisjet të dërgohen në veturë. 

“Hekni këto kamera, çoni në kerr, shtinë në kerr edhe mikrofonin”- ishte kërkesa e tyre.

Një nga banorët i pyetur se ku jeton imami Ilir Emini ai tha se shtëpinë e kishte në atë pjesë ku po udhëtonte ekipi i KALLXO.com. 

“Atje poshtë, po nuk është këtu, jashtë është” – thotë banori. 

Ngjashëm edhe në Skifteraj, qytetarët nuk pranuan të flasin. Në Skifteraj KALLXO.com kontaktoi përmes telefonit me imamin e xhamisë së vjetër, Mubarek Misini, por ai tha se nuk dëshiron të flas për këtë çështje. 

“Valla jo nuk mundem, hiç, hiç më falni”- u përgjigj shkurt në telefon Misini deri sa në momentin që i shpjegohet tutje pyetja ai mbyll telefonin dhe nuk e bëhet i qasshëm më.

E ai në Ramnishtë, Ilir Emini, ishte i paqasshëm edhe përmes telefonit. 

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha, thotë se konkurset janë në zyrë por që nuk po arrijnë të kenë komunikim me banorët për të zgjedhur imamin e duhur deri sa shton se dy prej tyre janë ‘vetëshpallur’ imamë dhe nuk i përmbushin kriteret. 

“Përkrahja e këtyre njerëzve me inate është çështje private, unë po them mirë BIK duhet me siguru për konkurs, nëse ata janë të hapur me hap xhaminë me rregulla në jemi të hapur dhe të gatshme meniher me shku nëse ata donë imam legal që i përshtatet BIK që udhëheq me rregulla të BIK ne jemi të gatshëm të shkojmë aty”- tregon ai. 

Nga Komuna e Vitisë e konsiderojnë paaftësi të BIK-ut për menaxhimin e xhamive, konkretisht për ato që u ngrit çështja, xhaminë e vjetër në Skifteraj dhe atë të renë në Ramnishtë. 

“Nuk mund të them është dështim por është paaftësi me i menaxhu”- thotë Hasan Aliu, nënkryetari i Komunës së Vitisë në një bisedë me KALLXO.com. 

Aliu thotë se i ka kërkuar Hoxhës që të mos i quaj xhamitë ilegale vetëm se nuk po arrijnë t’i menaxhojnë ato. 

“Me sa jam në dijeni unë, fillimisht ky kishte bërë shkarkimin e imamit në Skifteraj për shkak të përgatitjes shkollore adekuate dhe ka tregu që e kanë penguar për të zgjedhur imamin e ri”- shpjegon se çka u bisedua në mbledhjen e Këshillit për Siguri në Bashkësi. 

Nënkryetari i Komunës thotë se BIK duhet t’i shtjerrë të gjitha mjetet e bisedimeve për të vendosur më pas për emërtimin e kësaj çështje. 

“Këtu ka mungu dialogu që konsideroj se duhet të organizohet nga BIK, dhe të bashkëbisedojnë me qytetarët e dy lokaliteteve dhe të bëjnë identifikimin e problemit saktë”- tregon tutje Aliu. 

Ai shton se “përderisa nuk kemi ndonjë incident nuk mund të konstatojmë se çfarë probleme ka”.

Atë që e ka thënë Hoxha për KALLXO.com, Aliu e thotë të kundërtën. 

“Kam kërkuar nga Policia por që kanë thënë se nuk kanë asnjë informacion që shkon atje i panjohur”- thotë Aliu. 

Nenkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, Foto: KALLXO.com

Komuna sipas Aliut nuk ka kompetencë që të bisedojë me qytetarët për këtë çështje. 

“Nëse ka ndonjë problematikë ne duhet të punojmë me komandantin në polici por deri tash nuk kemi të raportuar asnjë incident”- tregon ai. 

Madje Aliu thotë se nuk mund të jepen epitete se ka ekstremizëm për një çështje që nuk është e qartë. 

“Xhamia në Skifteraj sepse është fshat i madh janë dy xhami, xhamia e vjetër është ky problemi që u has nga kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame është xhami me traditë të gjatë dhe si banorë meqë i njoh nuk janë me atë epitet që ia japin të llojit problematik apo ekstremist, dikund është faji, dhe faji është te menaxhuesi”- tregon Aliu. 

Si e merr BIK-u menaxhimin mbi xhamitë? 

Në bazë të rregulloreve të Bashkësisë Islame të Kosovës, për ndërtime të xhamive duhet paraprakisht të merret një leje, xhamitë legalizohen pas hapjes së tyre. Hapja solemne duhet të bëhet kur zgjidhet këshilli i xhamisë, këshilli sipas BIK duhet ta bëj edhe kërkesën për imamin e saj, imami më pas duhet të bëj kërkesën për fillimin e punës e kështu edhe mund të pajiset me kontratë. 

Sipas kryetarit të Këshillit të BIK-ut në Viti, Husamedin Hoxha, në këtë komunë janë 30 xhami nën menaxhimin e BIK-ut dhe vetëm dy ato që gjenden në Ramnishtë dhe xhamia e vjetër në Skifteraj nuk janë nën menaxhim të tyre. 

“Pra xhamia shërben për aktivitete që marrim leje paraprakisht edhe nga institucionet e sigurisë, prandaj çdo aktivitet që bëhet natën e fshehtas këto janë të dyshimta”- thotë Hoxha. 

E për imamët që tashmë janë duke ushtruar funksionin atje, Hoxha thotë se përderisa nuk respektojnë BIK-un ata nuk janë të rregullt. 

“Kur një imam nuk dihet prej kujt paguhet imami, këto janë shqetësime prej kujt i merr parët ai imam”- thotë Hoxha. 

“Imami duhet të plotësojë kushtet për të përfaqësuar” 

Kur një imam në Podujevë, Zeqir Berisha, raportoi se disa persona po kryejnë rituale fetare ndryshe, ai dyshohet se u rrah brutalisht ndërsa për disa javë mori trajtim mjekësor nga lëndimet trupore. 

Imamët e xhamive, kryetarët e Këshillave të BIK-ut në komuna të ndryshme raportojnë për gjendjen në baza mujore te menaxhmenti i lartë i Bashkësisë Islame të Kosovës. 

Në rast se imamët vërejnë dukuri të ndryshme ata i raportojnë ato edhe te organet e rendit nëse shfaqet si nevojë. 

Problemi i përzgjedhjes së imamëve nëpër xhami nuk është shfaqur kohëve të fundit, ajo ka ekzistuar edhe në të kaluarën. 

Por në vazhdimësi imami ka qenë i zgjedhur mes xhematit (term fetar për qytetarët që kryejnë ritet e rregullta fetare) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. 

“Imami nuk është zgjedhur vet”- thotë Mulla Osman Musliu, i cili tash e disa vite është imam në Drenas. 

“Kur kam shku në Suharekë në vitin 2004, unë së pari kam bërë marrëveshje me xhemat pastaj xhemati ka bërë kërkesë në Këshill”- tregon Mulla Osmani në një bisedë me KALLXO.com. 

Një situatë e ngjashme ka qenë për Mulla Osmanin edhe kur ishte zgjedhur imam në Drenas. 

“Mendoj që është plotësisht gabim nëse u dërgon xhematit imamin kur xhemati nuk e don atë imam ose edhe e konsideroj gabim nëse imami shkon vet në të zezën pa u zgjedh prej kurrkujt”- thotë imami Osmani. 

Ai ka kritika për mënyrën e funksionimit të bashkësive fetare në Kosovë. 

“Për fat të keq bashkësitë fetare në Kosovë janë komplet në të zezën sepse nuk ka ligj, këtu është shteti fajtor sepse i ka lënë bashkësitë fetare jashtë shtetit, jashtë ligjit, jashtë kushtetutës dhe ne funksionojmë në të zezë për gjithçka”- shpjegon ai. 

Sipas tij nuk është vetëm zgjedhja e një imami por duhet të shikohet se çka përfaqëson ai imam. 

 “Edhe xhemati duhet me këqyr se çfarë imami po zgjedh, sepse nëse imami nuk i plotëson kushtet atëherë nuk mundet me qenë aty, nëse ai i plotëson kushtet xhemati mundet me bo kërkesë në BIK”- tregon ai. 

Sipas tij, një imam që duhet të plotësojë kushtet, fillimisht duhet të jetë me shkollimin e duhur e më pas të jetë i pranueshëm edhe nga xhemati edhe nga BIK-u. 

Sipas tij, problem është fakti se fajin asnjëra palë nuk e pranon se kush duhet të merret me këtë çështje. 

“Këtu është problemi, fajin nuk e merr askush, dhe kur nuk ka ligj kështu veprohet, është turp i botës, që 23 vjet bashkësitë fetare janë jashtë ligjit”- thotë tutje Osmani. 

Sipas tij, përçarjet ndodhin kur nuk ka rregull brenda xhamisë.  

“Për këtë ndodhin edhe përçarjet, nëpër xhamia ka kësi probleme kur zgjidhet kushdo, ka ekstremizëm sepse po funksionohet pa pasur kritere, pa pasur rregullore e ligj që është më e rëndësishme”- shton ai ndërsa thekson faktin se kur ka raste të tilla punohet edhe për fryma të tjera islame. 

Kjo sepse edukimi bëhet në mënyrë jo të duhur.  

“Në kësi raste po punohet dhe po edukohen njerëzit me fryma të tjera islame dhe pastaj po mësohet gjithçka pa kurrfarë rregulli, më shkurt nuk dihet çka po ndodh brenda. Ekstremizmi është mbjellë në Kosovë, shteti po thotë nuk ka BIK po thotë nuk ka por kjo gjë vërehet prej aeroplanit”- thotë ai. 

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, Enes Goga, tregon për KALLXO.com një rast kur në një fshat në komunën ku ushtron profesionin e tij ishte tentuar që një shtëpi të kthehej në xhami. 

 “Në Pejë një fshat ka pasur një tendencë që një shtëpi private kanë provuar me improvizu si xhami nuk e di cili vit ka qenë, mirëpo nuk kanë pasur sukses sepse në atë fshat është xhamia e vjetër kështu që ata kanë dështu dhe nuk e di a jetojnë në Kosovë më ata apo jo”- thotë Goga. 

Goga për KALLXO.com thotë se secila xhami që është jashtë menaxhimit të Bashkësisë Islame të Kosovës është e papranueshme madje edhe e dëmshme edhe në aspektin e sigurisë. 

“Mënyrën sepse nuk e dimë se kush emërohet aty imam, çka ligjërohet dhe mbi çfarë premisash vazhdon ecuria e jetës fetare” – thotë Goga. 

Ai shton se udhëheq 28 imamë në xhamitë e Pejës dhe nëse ka ndonjë rast ai i thërret ata para përgjegjësisë dhe pra në këtë mënyrë menaxhon në bazë të rregullave të BIK-ut xhamitë në këtë komunë. 

Goga thotë se mënyra më e mirë për të garantuar unitetin mes qytetarëve dhe shoqërisë është që xhamitë të operojnë në mënyrë të rregullt. 

“Çdo formë tjetër mundet me shkaktu dhe kriju hapësirë edhe për ata që kanë agjenda jo dashamirëse”- shton ai. 

Sfidat e ri-hapjes së xhamisë në Podujevë

Në shkurt të këtij viti KALLXO.com publikoi shkrimin se si një xhami në fshatin Halabak të Komunës së Podujevës ishte mbyllur si pasojë e një rrahje që ndodhi aty. 

Më 18 shkurt të këtij viti një rrahje ndodhi në ambientet e xhamisë ndërsa ky objekt u mbyll për disa ditë me kërkesë të Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë. 

BIK-u atje nuk pranoi që të flas nëse ky konflikt ishte për shkak të rrymave brenda komunitetit islam apo thjeshtë komuniteti nuk e pranoi imamin e zgjedhur. 

Në fshat disa nga banorët kishin vendosur që të refuzonin të kryenin ritet fetare pas imamit të autorizuar nga BIK-u në Podujevë, Hyzdri Murseli. 

Sipas një grupi të banorëve nuk po konsiderohej i denjë për të kryer ritualet fetare. 

KALLXO.com ka tentuar që të marrë një deklaratë edhe nga BIK-u për këtë çështje. 

I kontaktuar nga KALLXO.com, Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu ka thënë që të kontaktohet Imami Vedet Sahiti. 

Ky i fundit ka qenë i paqasshëm përmes telefonit. 

Deri më tani BIK nuk ka dalë me ndonjë version të qartë apo koment në lidhje me ngjarjen që u shënua në Viti.