Vazhduan Ndërtimet në Prevallë (TV)

Gazeta Jeta në Kosovë ka vërejtur se punimet në Prevallë, e njohur si “fshati turistik”, kanë vazhduar edhe pse Ministria e Mjedisit urdhëroi ndalimin e të gjitha punimeve javën e kaluar.

Sadik Paqarizi, drejtor i urbanizmit në Prizren, tha se inspektorët e komunës do të shkojnë në fshat për të ndaluar ndërtimet.

Prevalla është pjesë e parkut nacional “Sharri”.

Ministri i mjedisit Dardan Gashi mori vendim më 3 maj për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore.

Në vendimin e Gashit thuhej se në Prevallë ishin tejkaluar kushtet dhe kriteret për ndërtim si dhe nuk ishte respektuar një udhëzues i kësaj ministrie për mënyrën e zbatimit të planit urban për këtë zonë.

Ministria nuk ka dhënë shpjegime të detajuara se për çfarë kushtesh, kriteresh dhe mosrespektimesh bëhet fjalë.

Ndërtimet në këtë fshat kanë filluar që nga viti 2006 kur edhe u miratua plani rregullativ urbanistik i Prizrenit.

Ky plan parashihte qe të ndërtohen 360 kamp-shtëpiza, restorante dhe hapësira të tjera rekreative. Hapësira e këtij vendit turistik përfshinë një sipërfaqe prej afër 16 hektarë.

Nga kjo, 3 mijë e 600 metra katrorë janë sipërfaqe ndërtuese, ndërsa pjesa tjetër parashihet të jetë hapësirë e gjelbëruar.

 “Unë para një viti e gjysmë kam kërkuar nga asambleja e komunës që të debatojë për Prevallën por kërkesa ime nuk është përfillur”, tha Paqarizi i komunës së Prizrenit.

Artikulli fillimisht i publikuar më: 09.05.2013