Universiteti i Prizrenit me minus nëntë drejtime

Universiteti i dytë më i vjetër në Kosovë nuk kaloi lehtë nën filtrat e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Pas ciklit të sivjetshëm të akreditimeve, Universiteti i Prizrenit ”Ukshin Hoti” humbi akreditimin për disa programe ndërsa iu refuzua akreditimi apo riakreditimi për disa të tjera.

UPZ aktualisht ka gjithsej gjashtë fakultete, përfshirë  Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, i Edukimit, Juridikut, Filologjisë dhe Ekonomikut.

Nga monitorimi dhe vlerësimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në shkallën e parë, UPZ-së iu tërhoqën dhe refuzuan 9 programe studimore, ndërsa i mbetën 15 programe në të cilat të interesuarit mund të aplikojnë për regjistrim të studimeve.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të UMIB-së të cilat kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo kjo listë ende nuk është përfundimtare deri në përfundimin e procesit të ankimimit.

Çdo program studimi i nivelit Bachelor duhet të ketë tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence, ndërsa për studimet e doktoratës për secilin program duhen tre profesorë të asocuar.

Si pasojë e mosplotësimit të këtij kriteri, Universiteti i Prizrenit mbeti pa programet e lartcekura.

Programet që vazhdojnë të kenë akreditim nga Agjencia e Kosovës për Akreditim janë: ‘Administrim biznesi’ në nivelin Master, ‘Agrobiznes’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Gjuhë dhe letërsi angleze’ në nivelin Bachelor, ‘Gjuhë dhe letërsi shqipe’ në nivelin Bachelor, ‘Kontabilitet dhe auditim’, në nivelin Master i shkencës, ‘Programi parashkollor’ në nivelin Bachelor në gjuhën shqipe, boshnjake dhe turke, ‘Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit’ në nivelin Bachelor i shkencës.

UPZ-ja kishte aplikuar për tetë programe për akreditim dhe riakreditim, prej të cilave ‘pragun’ kishin kaluar pesë programe, bëhet fjalë për ‘Administrim Biznesi’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Menaxhment Ndërkombëtar’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Dizajn Softueri’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Juridik’ në nivelin LLM dhe ‘E drejta kushtetuese-administrative’ në nivelin LLM.

Akreditimi iu tërhoq programeve ‘Shkenca kompjuterike dhe Teknologji Komunikimi’ në nivelin Master, ‘Teknologji informative’ në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake, ‘Program fillor’ në nivelin Bachelor në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ia refuzoi UPZ-së dy programe: ‘Teknologji e informimit dhe telekomunikimit’ dhe ‘Gjuhë dhe letërsi gjermane’.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private, e mes tyre edhe për Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC akreditoi 9 programe studimore valide dhe i tërhoqi 7 të tjera UPZ-së, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, UPZ-ja kishte marrë dritën e gjelbër për 5 programe të reja, mirëpo iu refuzuan 2 të tjera.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

Këto vendime të KShC-së, shtynë gjashtë rektorët e universiteteve publike që të dalin me një deklaratë të përbashkët, por pa nënshkrimin e Ushtruesit të Detyrës së rektorit të UPZ-së Ismet Temaj sepse ai nuk mbështeste grevën dhe protestat që janë paralajmëruar.

Rektorët tjerë kërkojnë që të shkarkohen anëtarët e KShC-së dhe të shfuqizohen vendimet e tyre, me arsyetimin se KShC kishte favorizuar universitetet private në krahasim me ato publike, dhe se vendimet për tërheqje dhe refuzim të akreditimit kishin si prapavijë ‘politikën’ e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për mbylljen e universiteteve të reja publike.

Pas kësaj deklarate nga Konferenca e Rektorëve, KShC kishte reaguar ndaj tyre duke iu thënë se s’kishin plotësuar kriteret, andaj edhe kishin dhënë nga një shembull për secilin nga këto universitete se përse nuk iu ishin akredituar ato programe.

‘Lufta’ e rektorëve vazhdoi edhe më tutje në Komisionin parlamentar për Arsim në të cilin kërkuan që të plotësohen kërkesat e tyre, por nuk gjetën mirëkuptim.

Ky komision u takua edhe me KShC-në për të kërkuar sqarime rreth vendimeve të tyre, por anëtarët e KShC-së kërkuan që këto universitete të dërgojnë ankesa në Komisionin për Ankesa në AKA nëse mendojnë që janë bërë shkelje.

Pas takimit që patën KShC-ja me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ku ajo u ofroi mbështetje anëtarëve të Këshillit në vendimet e tyre, Konferenca e Rektorëve njoftoi se që nga 29 janari do të jenë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku mes tjerash shtuan edhe kërkesën për shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Përveç Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Këshillin Shtetëror të Cilësisë po e mbështetë edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell dhe ai i Gjermanisë, Christian Heldt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Mitrovicasit mbesin pa Fakultetin Juridik dhe të Edukimit

Afër 50 për qind e drejtimeve në Universitetin e Pejës do mbyllen

Lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen