Tolimiri Përjetë në Burg për Gjenocidin në Srebrenicë

Tolimir, tani 64 vjeç, ishte përgjegjës për shërbimin e inteligjencës dhe sigurisë në Ushtrinë e Republikës Srpska gjatë luftës në Bosnjë.

Ai ishte një nga shtatë zëvendëskomandantët nën Ratko Mladicin, në ushtrinë serbe të Bosnjës, gjyqi i të cilit ende po vazhdon në ICTY.

Trupi Gjykues në Tribunalin e Hagës ka shpallur Tolimirin fajtor për gjenocid, konspiracion për të kryer gjenocid, zhdukje, vrasje, persekutime dhe akte çnjerëzore, pa dyshim të arsyeshëm, duke e dënuar kështu me burgim të përjetshëm.

“I akuzuari kishte njohuri dhe ishin në dijeni të qëllimit gjenocidal të lidershipit serb të Bosnjës dhe ishte përgjegjës për gjenocid”, tha gjyqtari kryesues, Christopher Flugge.

“Krimet e kryera ishin të një shkalle masive dhe shkatërruese”, tha gjyqtari Flugge, duke shtuar se “krimi i dëbimit nuk u vërtetua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

Trupi Gjykues gjeti se Tolimiri ishte anëtar i aksionit të përbashkët kriminal me qëllimin për të dëbuar në mënyrë të përhershme popullatën myslimane boshnjake nga enklava në Srebrenicë.

Në korrik të vitit 1995, qyteti i Srebrenicës u bombardua dhe pushtua nga Ushtria e Republikës Srpska, pavarësisht faktit se ishte deklaruar zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Pas pushtimit, më shumë se 7 000 burra dhe djem boshnjakë u vranë.

Gjyqtari kryesues tha se Tolimiri ishte “krahu i djathtë i komandantit serb të Bosnjës Ratko Mladic dhe disa herë dinte edhe më shumë se Mladic”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në Dayton në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë, Tolimiri ishte këshilltari i Biljana Plavsicit, ish-presidentja e Republikës Srspka, që u dënua gjithashtu nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Bosnjë.

Më 31 maj 2007, Tolimiri u arrestua nga autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë, pasi qëndroi në arrati për dy vjet.

Aktpadia e Tribunalit të Hagës kundër tij u lëshua në shkurt të vitit 2005, për përfshirje në gjenocidin në Srebrenicë dhe vrasjen e të burgosurve boshnjakë që u mbajtën përkohësisht në rajonin e Bratunacit dhe Zvornikut pas rënies së Srebrenicës.

Tolimiri mbikëqyri detashmentin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës që ekzekutoi më shumë se 1 700 burra dhe djem në fermën ushtarake në Branjvë dhe në Qendrën Kulturore në Pilicë.

Përveç Tolimirit, të akuzuarit nga ICTY, për gjenocidin në Srebrenicë përfshijnë Radislav Krstic, Radovan Karadzic, Ratko Mladic, Vujadin Popovic, Ljubisa Beara, Drago Nikolic, Ljubomir Borovcanin, Milan Gvero, Radivoje Miletic dhe Vinko Pandurevic.