BE, EU, Bruksel

Komisioni Europian - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

'Telashet e brendshme' rrezikojnë që Kosova t’i humbasë milionat nga Plani i Rritjes i BE-së

Me zvarritjen për formimin dhe funksionalizimin e institucioneve qendrore, Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të fondeve ato të vitit 2024 dhe 2025, nga Plani i Rritjes i Komisionit Europian. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit tashmë kanë përfituar milionat e parë dhe të dytë, Kosova nuk ka arritur të përfitojë 61 milionë euro që, në kushte normale institucionale, do t’i takonin. Koha po shkon e bashkë me të kufizohen edhe mundësitë.

Komisioni tha për KALLXO.com se Kosova mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro fonde në kuadër të Planit të Rritjes, me kusht që të hyjnë në fuqi marrëveshjet dhe të plotësohen të gjitha kushtet tjera për pagesë, ekspertët e fushës vlerësojnë se nëse nuk arrinë të ratifikohet marrëveshja në Kuvend, Kosova mund të humbasë milionat për dy vitet e para.

Edhe pse Komisioni Europian bën me dije se Kosova ishte ndër partnerët e parë të Ballkanit Perëndimor që miratoi Agjendën e saj të Reformave, i cili u miratua nga Komisioni Europian në tetor 2024, ata tërheqin vërejtjen se Mekanizmi i Reformave dhe Rritjes është një instrument i kufizuar në kohë, 2024-2027.

“Për shkak të vonesës në formimin e institucioneve të saj, marrëveshjet që lidhen me Mekanizmin e Reformave dhe Rritjes ende nuk kanë hyrë në fuqi. Pa ratifikimin e këtyre marrëveshjeve, Kosova nuk mund të bëjë kërkesë për pagesë në kuadër të këtij mekanizmi”- tha Komisioni Europian për KALLXO.com.

Milionat e parë në “zgrip”

Komisioni Europian bëri me dije edhe njëherë në një përgjigje për KALLXO.com, se Mekanizmi i Reformave dhe Rritjes është një instrument i kufizuar në kohë, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, në dobi të qytetarëve të saj.

Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshilldhënës në Europë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), e thotë shkurt dhe qartë se “Po, ekziston rreziku real që Kosova të humbasë një pjesë të fondeve të parapara për vitet 2024 dhe 2025 nëse marrëveshja nuk ratifikohet në Kuvend brenda një afati të arsyeshëm”.

Emini thekson faktin që Plani i Rritjes është një instrument me periudhë të kufizuar (2024–2027), dhe secila fazë e financimit është e lidhur ngushtë me zbatimin e reformave në kohë. 

“Derisa fondet janë të alokuara për secilin shtet nga fillimi, ato nuk janë të garantuara , mund të shfrytëzohen vetëm pasi vendi përmbush kushtet dhe ratifikon marrëveshjen që i mundëson qasjen në to”- tha ajo për KALLXO.com.

Sa i përket asaj që quhet “grace period”, apo e përshtatur gjuhësisht në shqip si “periudhë lehtësuese” që jep një mundësi për përfitim të fondeve edhe pas afatit, mirëpo vetëm pasi të hyjë në fuqi marrëveshja, Emini tha se kjo periudhë mund të aplikohet vetëm pasi marrëveshja të ketë hyrë në fuqi. 

“Pra, Kosova nuk mund të përfitojë nga një periudhë fleksibiliteti apo zgjatje derisa marrëveshja të mos ratifikohet. Deri atëherë, procesi është i bllokuar”- përsëriti ajo, duke elaboruar se nëse Kuvendi nuk e ratifikon marrëveshjen përpara zgjedhjeve, atëherë ka gjasa reale që vonesat të ndikojnë në mundësinë e Kosovës për të përfituar fondet për vitet e para të programit. 

Emini vlerësoi se duke qenë se vendet e tjera në rajon tashmë kanë ecur përpara dhe kanë marrë këstet e para, Kosova rrezikon të mbetet prapa dhe potencialisht të humbasë një pjesë të fondeve që nuk mund të rialokohen më vonë.

“Deri tani, BE-ja nuk ka dhënë një sinjal të qartë që Kosova mund të humbasë këto fonde, por asgjë nuk është e garantuar. Në një kontekst gjeopolitik të paparashikueshëm, si Plani i Rritjes ashtu edhe qasja më e gjerë e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor mund të ndryshojnë. Prandaj, do të ishte një gabim i madh që Kosova ta marrë këtë për të mirëqenë”- shtoi ajo.

Ekspertja e potencoi se Kuvendi duhet ta ratifikojë menjëherë planin para zgjedhjeve të reja, duke lejuar që reformat të vazhdojnë pa ndërprerje, përndryshe, Kosova rrezikon të humbasë aksesin në fonde jetike dhe të mbetet prapa, veçanërisht duke pasur parasysh performancën më të mirë dhe kapacitetin më të lartë të absorbimit të vendeve të tjera. 

Poashtu, nëse Kosova nuk vepron, Emini thotë se BE-ja mund të vendosë t’i rialokojë këto fonde diku tjetër, diçka që mund të ndodhë shpejt nëse shtetet anëtare bien dakord se paratë do të përdoren më mirë aty ku reformat po implementohen me te vertete.

Kurse, Njomza Arifi, drejtore e Grupit për Studime Ligjore dhe Politike thotë se Kosova është duke rrezikuar seriozisht përfitimin nga fondet e Planit të Rritjes së BE-së, që në rrethana të tjera në momentin e ratifikimit të ksaj Marrëveshjeje në Kuvend, Komisioni Europian është zotuar të ekzekutoj 7% të kesaj shume (rreth 61.8 milionë euro).

Sipas saj, fatkeqësisht, tashmë 10 muaj pas aprovimit të saj, si pasojë e krizës politike, Kuvendi ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet e Facilitetit dhe të Huamarjes që do t’i hapnin rrugë qasjes në para-financimin, përderisa shtetet e rajonit tashmë kanë filluar të pranojnë këstet e dyta në kuadër të kësaj marrëveshjeje. 

“Situata rëndohet edhe më shumë për faktin se fondet të cilat nuk janë shfrytëzuar nga një shtet i rajonit si pasojë e vonesave brenda “grace period”, mund të shpërndahen tek shtetet e tjera që tregojnë progres”- ka thënë ajo për KALLXO.com.

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve përkatëse, gjë që në Kosovë ende nuk ka ndodhur, mund të zbatohet e ashtuquajtura “grace period”. Kjo periudhë është dy vjet për hapat që duhen të dorëzohen në dhjetor 2024 dhe një vit për të gjithë hapat që duhen të dorëzohen në qershor 2025 e më pas. 

Rrugëzgjidhje urgjente

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të bëjë thirrje për kompromis politik midis partive politike në konsultimet që do të ketë me to gjatë ditëve të ardhshme, ku është planifikuar që të potencohet rëndësia e miratimit të buxhetit për vitin 2026 dhe ratifikimi i Planit të Rritjes.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina vlerësoi se këto akte i konsiderojnë të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit.

“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencojë rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”- ka thënë Kupina për KALLXO.com.

Ai tha se Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit.

21 organizata të shoqërisë civile i kanë dërguar një letër presidentes Vjosa Osmani për ndërmjetësim politik për çështjen e buxhetit të vitit 2026 dhe marrëveshjeve rreth Planit të Rritjes, meqë po shkojmë drejt fundit të vitit dhe Kosova rrezikon të mbes pa të dyjat.

Përmes letrës, Osmanit i është bërë thirrje që të ndërmerr iniciativë për ndërmjetësim politik, duke ftuar partitë parlamentare që të gjejnë një zgjidhje të përkohshme e funksionale për çështjen e buxhetit dhe marrëveshjeve në fjalë, para se të shpërbëhet Kuvendi aktual dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Shoqëria civile ka kërkuar që të bëhet ratifikimi i marrëveshjeve të bëhet me shpejtësinë që e kërkon urgjenca e situatës.

“Kjo po e pamundëson arkëtimin e parapagesës dhe disbursimin e këstit të parë për masat e zbatuara sipas kësaj marrëveshjeje dhe humbjen e një mundësie të rëndësishme për të rikthyer besimin e Bashkimit Europian dhe qytetarëve në përkushtimin e institucioneve të vendit ndaj procesit të integrimit europian”- shkruan në letër.

Ndërkohë, Shqipëria do të marrë disbursimin e parë prej 99.3 milionë eurosh, nga të cilat 46.2 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin e shtetit, dhe fondet e mbetura do të mbështesin projektet e infrastrukturës përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (ëBIF).

Mali i Zi, sipas BE-së, do të marrë disbursimin e dytë prej 8.1 milionë eurosh, duke përfshirë 3.8 milionë euro të paguara direkt në buxhetin e shtetit. Për Maqedoninë e Veriut janë ndarë 16 milionë euro, me 7.4 milionë euro të paguara direkt në buxhetin e shtetit dhe pjesën tjetër për të financuar projekte infrastrukturore.

Përndryshe, Kosova deri në vitin 2027 ishte paraparë se nga kjo paketë mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie me kushte të favorshme.

Komisioni Europian në fillim kishte qartësuar se në rast se disa kushte nuk përmbushen, Komisioni mund të pezullojë pagesat pjesërisht ose plotësisht në varësi të kushtit. 

Pas një pezullimi të tillë dhe në rast se partnerët e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë kushtet përkatëse gjatë një periudhe mospagimi prej një viti (ose dy vitesh në vitin e parë të zbatimit), shuma e pezulluar do të tërhiqet dhe mund të rishpërndahet midis përfituesve të tjerë në vitet në vijim.

Plani i Rritjes nxit përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësim në BE, duke sjellë përpara disa nga përfitimet e tij përpara integrimit të plotë në BE. Kjo nga ana tjetër duhet të përshpejtojë ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.

Konvergjenca ekonomike është një element thelbësor në afrimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Mungesa e konvergjencës është një problem i madh për rajonin e Ballkanit Perëndimor; aktualisht është në rreth 35% të nivelit mesatar të BE-së.

Plani i Rritjes ka potencialin të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda dekadës së ardhshme. Për të mbështetur këtë proces, instrument i financiar prej 6 miliardë eurosh, Instrumenti i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, u miratua për periudhën 2024-2027.

Kosova tashmë ka më shumë se tetë muaj pa institucione të reja.

Mandatari i parë për Qeverinë, Albin Kurti ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Për kanë votuar vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës kanë votuar kundër dhe katër vota kanë qenë abstenim. 

Tash, presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh do të vendos se kujt do t’ia jap mandatin për formimin e Qeverisë, sipas procedurës së njëjtë. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituar Kuvendin.