Tash Gratë

Para katër vitesh Mimoza-Kusari Lila garonte për udhëheqjen e komunës së Gjakovës por u mund me rezultat minimal nga kryetari aktual Pal Lekaj.

Atëherë ajo kërkonte votën me moton “Guximi për të vepruar” që ngjasonte me titullin e librit të presidentit amerikan Barack Obama “Guximi për të shpresuar”. 

Fitoi mbi 41 për qind të votave në zgjedhjet lokale atë vit. Tani ajo ka guxuar të kandidojë sërish dhe është kandidatura më serioze e ofruar nga Aleanca për Kosovën e Re e cila është aktualisht në koalicionin qeveritar në nivel qendror, por që në përgjithësi ka pasur rënie popullariteti sipas anketimeve të vazhdueshme në vitet e fundit.  

“…Atje ka nevojë për një menaxhim ndryshe, Kusari-Lila

“…Atje ka nevojë për një menaxhim ndryshe”, thotë Kusari-Lila për Gazetën Jeta në Kosovë. “Ka nevojë për zhvillimin ekonomik”.

Premtimet e kësaj natyre kanë qenë premtime të rregullta të AKR-së së biznesmenit Behgjet Pacolli dhe është lëmi ku kryetari i Gjakovës Lekaj është kritikuar më së shumti pasi nuk kishte arritur të zbatonte premtimin për të krijuar mijëra vende të punës. Lekaj vetë e kishte pranuar se nuk kishte mundur të realizonte premtimin.

Kusari-Lila ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje nga dy postet qeveritare që mban – si zëvendëskryeministre dhe ministre për tregti e industri. Ajo tha se do të dorëhiqet me të filluar fushata zgjedhore, pesëmbëdhjetë ditë para votimeve.

Ministresha e cila ka marrë disa vendime gjatë mandatit të saj për të cilat është kritikuar ose lavdëruar – si masat e reciprocitetit me Serbinë, “masat mbrojtëse” në importin e çimentos dhe moslicencimi i kompanisë së fuqishme Kosova Petrol – thotë se është e bindur që gjinia nuk do të përcaktojë disponimin e elektoratit. 

“Çështja gjinore nuk do të bëjë dallime sa do të bëjë dallimin aspekti programor edhe bindja e elektoratit për një kandidat për të cilin ata besojnë që mund të ndryshojë për të mirë situatën në komunën e tyre”, thotë Kusari-Lila. 

Ajo kritikon mediat elektronike që lejojnë të fyhen gratë të cilat konkurrojnë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit duke lejuar publikimin e komenteve ofenduese të lexuesve. “Kjo ka filluar të më pengojë ende pa filluar fushata”, thotë ajo. 

AKR-ja pritet të kandidojnë edhe gra tjera për kryetare të komunave në zgjedhjet lokale.

 “Dy së paku. Por, ekziston mundësia edhe për të tretën”, thotë Kusari-Lila e cila mban edhe pozitën e zv/presidentes së AKR-së. 

Ajo shton se në vazhdimësi ka inkurajuar gratë që të marrin poste udhëheqëse. Por, sipas saj, shpeshherë gratë refuzojnë ngritjen e tyre në karrierë duke u arsyetuar se kanë obligime tjera dhe se pozitat me përgjegjësi paraqesin ngarkesë të madhe për to. 

“Më tepër sesa që t’iu themi tjerëve të na pranojmë, duhet që ne femrat të inkurajojmë njëra-tjetrën, që të mos hezitojmë të marrim pozita udhëheqëse”, thotë Kusari-Lila.

Qeveria: Autoriteti i grave i neglizhuar nga kolegët meshkuj

Posti kryesor i pushtetit lokal nuk është udhëhequr asnjëherë nga një grua duke bërë që tradicionalisht pozita e kryetarit të komunës kosovare të zotërohet nga një burrë.

Ngjashëm edhe në pushtetin qendror gratë nuk kanë mbajtur asnjëherë post kryeministri që është pozita kryesore ekzekutive.   

“Kuota prej 30 për qind në nivelin qendror nuk është për t’u nënçmuar, nëse kihet parasysh gjendja e mentalitetit, traditës dhe kulturës politike tek ne dhe në regjion, Shemsi Krasniqi

Në shumë vende tjera gratë mbajnë edhe postin e kryeministrit. Angela Merkel në Gjermani është gruaja e parë që është zgjedhur në postin e kancelares së këtij shteti. Merkel nga revista “Forbes”, për katër vite rresht që nga 2009-ta është vlerësuar si gruaja më me ndikim në botë. “Në çështje të rëndësishme unë mund të jem më e ashpër sesa meshkujt”, citon Wall Street Journal kancelaren gjermane në një artikull të publikuar të premten.

Në Kosovë gratë mbajnë postin e Presidentit dhe aktualisht përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës nëpërmjet kuotës së paracaktuar prej 30 për qind nga 120 deputetë sa duhet të ketë legjislativi. 

“Kuota e përfaqësimit prej 30 për qind në nivelin qendror nuk është për t’u nënçmuar, nëse kihet parasysh gjendja e mentalitetit, traditës dhe kulturës politike tek ne dhe në regjion”, thotë Shemsi Krasniqi, ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. 

Sipas tij, gratë në Kosovë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në pozita vendimmarrëse në pushtet. 

Kjo pohohej edhe në një raport të vitit 2011 të Agjencisë për Barazi Gjinore që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. 

Raporti thekson se ndonëse roli i femrës në vendimmarrjen familjare është relativisht i mirë, mungon pjesëmarrja e kënaqshme në pozitat vendimmarrëse në institucione. 

“Edhe atëherë kur femrat mbajnë pozita vendimmarrëse ndjehen të sfiduara nga kolegët e tyre meshkuj në forma të ndryshme si psh: neglizhimi i autoritetit, neglizhimi i detyrave të deleguara, etj”,  theksonte raporti.

 “Përveç familjes, edhe shoqëria e veçanërisht institucionet e arsimit, duke filluar nga arsimi fillor, duhet të ndikojnë në rritjen e vetëdijes dhe luftimin e stereotipeve në baza gjinore”, rekomandohej në raport.

Në të gjithë botën kuotat e paracaktuara për vende të rezervuara të grave në parlament janë vlerësuar si të suksesshme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Raporti “Gratë në Politkë”, i publikuar në mars të vitit 2012 nga kjo organizatë, tregonte se kuotat kishin rritur përqindjen e përfaqësimit të grave në parlamentet e vendeve të ndryshme në botë. 

Në raport thuhet se prej 59 vendeve që kishin mbajtur zgjedhje gjatë vitit 2011, vetëm 17 prej tyre kishin përligjur përfaqësimin e grave nëpërmjet kuotave të vendeve të rezervuara në parlament. 

Pjesëmarrja e grave në parlament në vendet që aplikojnë kuota ishte 27 për qind ndërsa në vendet pa to gratë arritën pas zgjedhjeve të fitojnë vetëm 17 për qind të ulëseve në parlament. 

“…Numri i grave ministre është në rritje. Nga 14,2 për qind më 2005, sot ai është 16.7 për qind”, thotë raporti. 

Por, Michelle Bachelet drejtoreshë për barazi gjinore në Kombet e Bashkuara deklaronte se përfshirja e grave duhej të vazhdonte të rritej. 

“Unë bëj thirrje për angazhim të fortë të liderëve që të rrisin përqindjen e përfshirjes së grave në politikë”, thoshte Bachelet në konferencën për shtyp  të vitit të kaluar. 

Donika Kada – Bujupi

VV nominon dy gra. LDK asnjë

Por, në zgjedhjet e sivjetme lokale pritet që të konkurrojnë më shumë gra të nominuara nga subjektet e mëdha politike. 

Në garën për Gjakovën, është bërë zyrtare edhe një kandiate tjetër femër.

Arbërie Nagavci, është kandidatja për komunën e Gjakovës e Lëvizjes Vetëvendosje – e treta për nga pesha politike në nivel qendror. 

“Do të nevojitet më shumë punë për të fituar përkrahjen nga ana e një kandidateje femër, Nagavci

 

“Kjo do të jetë një sfidë e veçantë. Do të nevojitet më shumë punë për të fituar përkrahjen nga ana e një kandidateje femër si dhe më shumë angazhim për t’u dëshmuar. Por, besoj se kjo mund të arrihet”, thotë Nagavci për Gazetën Jeta në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, që garon për herë të parë në zgjedhjet lokale, ka bërë publike edhe një kandidate tjetër femër në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ajnishahe Shala-Halimi është kandidatja e Lëvizjes Vetvendosje e cila do të hyjë në garë për të udhëhequr komunën e Skenderajt që udhëhiqet nga ish-komandanti i zonës së Drenicës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ajnishahe Shala – Halimi

Konkurrentja e kryetarit aktual Sami Lushtakut thotë se elektorati ende nuk është i emancipuar sa duhet që të mos bëjë dallime në baza gjinore të pretendentëve për kryetar.  

 “Megjithatë, elektorati po vetëdijesohet dalëngadalë dhe tashmë kandidatet femra janë shumë më të pranueshme se sa që ishin disa vjet më parë”, thotë ajo. 

Një tjetër kandidate femër në zgjedhjet lokale është Donika Kadaj-Bujupi e cila konkurron për kryetare të Istogut nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Vlora Çitaku, nënkryetare  Partisë Demokratike të Kosovës, nuk komentoi nëse subjekti më i madh politik në vend ka në plan të nominojë gratë për kryetare të komunave. Deri më tash PDK nuk ka kandiduar ndonjë grua për kryetare.  

“…Gratë për shkak të angazhimeve nuk munden që ta pranojnë këtë detyrë, Sahatqiu.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Teuta Sahatqiu, thotë se me gjithë insistimin e kryetarit Isa Musatafa gratë refuzuan të  kandidoheshin. 

“…Gratë për shkak të angazhimeve nuk munden që ta pranojnë këtë detyrë”, thotë Sahatqiu.

Megjithatë, sipas saj, LDK-ja i ka dhënë hapësirën grave për të qenë pjesë e vendimmarrjes duke nominuar ato për bartësve të listave zgjedhore për asamble komunale. 

Kaqusha Jashari pretendon postin e kryetarit të Prishtinës

Për postin e kryetarit të kryeqytetit do të konkurrojë edhe Kaqusha Jashari një anëtare e Partisë Social Demokrate dhe politikane shumëvjeçare. 

Jashari, një grua e pushtetshme para viteve të 80-ta, thotë se po konkurron për të ndaluar degradimin e qytetit nga ndërtimet që nuk përfillin kriteret hapësinore. 

“…Nuk mundem me qenë indiferente si qytetare dhe si inxhiniere e ndërtimtarisë kur i shoh objekte të reja të ngulfatur, të ndërtuara pa kritere hapësinore dhe teknike e sidomos mënyrën e menaxhimit me para të taksapaguesve”, thotë Jashari.

Ajo shton se është dëshmuar edhe më herët se mund të udhëheq edhe poste që kanë pasur përgjegjësi më të mëdha.

Jashari gjatë viteve të 80-ta ishte funksionare e lartë e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK).

Inxhinierja e ndërtimtarisë krahason kohën e kaluar me të tashmen dhe deklaron se – “periudha prej 1974 e deri më 1990 ishte më e ndritshmja për gratë”.

“Në atë kohë kemi pasur kujdes dhe kemi pasur edhe suksese”, thotë Jashari. “Tani i kemi kushtet dhe mundësitë më të mira e legjislacion më të favorshëm, por shpesh nuk kemi kujdes për realizimin e tij dhe po na ndodhin edhe gjëra shumë negative  – trafikim të grave, prostitucion dhe të tjera”.