Shkatërrimi i lumit Lepenc nga hidrocentralet e vogla

Lumenjtë më të mëdhenj të Kosovës janë duke u shkatërruar në emër të energjisë së ripërtëritshme.

Projektet investuese në energji alternative e sidomos ato të ndërtimit të hidrocentraleve kanë ngjallur frikë për shkatërrimin në formën më të egër të këtyre lumenjve.

Përballë rrezikut për dëmtimin e rrjedhave të lumenjve dhe rrjedhimisht rrezikimit të furnizimit me ujë të pijes, si dhe të shkatërrimit të ambientit, në pjesë të ndryshme të Kosovës kanë filluar të mbahen protesta kundër këtyre projekteve “investuese”.

Kundërshtimeve të qytetarëve u janë bashkuar edhe drejtues të institucioneve lokale dhe qendrore, organizata të shoqërisë civile e dashamirë të natyrës.

Punimet fillimisht në lumin Lumbardh në grykën e Deçanit, në Lumbardh të Pejës, e së fundmi në  lumin Lepenc në Parkun Kombëtar të Sharrit, kanë nxitur reagime të shumta nga banorë të zonave dhe aktivistë për mbrojtjen e ambientit.

Banorët serbë e shqiptarë të fshatit Biti e Poshtme të komunës së Shtërpcës janë bërë bashkë për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të tyre pasi me ndërtimin e katër minihidrocentraleve po ndryshohet rrjedha e lumit e po pakësohet uji.

Banorët kanë protestuar që nga 2015, por protestat e tyre tri here kishin eskaluar.

Policia e Kosovës në tri raste kishte përdorur dhunë dhe sprej për t’i shpërndarë protestuesit.

Gjorgje Stankoviq, banor në këtë fshat ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se banorët i bashkon kauza për mbrojtjen e rrjedhës së lumit për shkak se me këtë ujë ata sigurojnë jetesën e tyre.

“Mund të pyesni se si jemi ne bashkë, serbët dhe shqiptarët. Ne jemi bashkë për një interes madhor, për një interes të së ardhmes dhe nuk mund të na ndajë askush dhe ky interes nuk është politik, por është interes jetësor është interes i mbijetesës dhe kur të na marrin edhe këtë atëherë le të na marrin edhe të ardhmen”, thotë Stakoviq.

Ai thotë po ashtu se sa herë që dikush do të mundohet të iu marrë lumin do t’i ketë përballë banorët, por nuk e përjashton edhe mundësinë e shpërnguljes sepse sipas tij, me këtë lumë varet ekzistenca e banorëve përgjatë Lepencit.

Tahir Aliu po ashtu banorë i fshatit Biti e Poshtme thotë se protestat janë duke vazhduar për disa vjet ndërsa shprehet këmbëngulës se nuk do të heqin dorë për mbrojtjen e lumit.

“Ne po protestojmë për ujë sepse po duan të na marrin ujin dhe kemi vendosur të mos heqim dorë. Ne do të shkrihemi të gjithë dhe nuk do të lëshojmë pe. Ne ballafaqohemi me këtë qe katër ose pesë vjet. Me ujin e Lepencit varet ekzistenca jonë, ne jetojmë me drithërat dhe mjedrat, të cilat i ujisim me këtë ujë. Ne nuk mund të jetojmë pa lumin”, thotë Aliu.

Stojan Josimoviq, një banor nga Shtërpca thotë se arsyeja për të cilën po protestojnë pranë lumit është për shkak se ndërtimi i hidrocentralit dhe makineritë e rënda do të shkatërrojnë shtratin e lumit dhe po dëmtojnë mbi dy mijë banorë.

“Është shkelë ligji për ujëra, ku shumë qartë theksohet se koncesionet e këtij lloji të investimeve nuk mund të jepet nëse bëhet fjalë për shfrytëzimin e burimeve dhe ujit të pijes. Ky lumë i vogël që quhet “Kallugjerka”, është burim furnizues me ujë. Këtu janë dy burime, njëri i lumit “Kallugjerka” dhe tjetri i lumit “Bolovanka” dhe përdoren për ujë të pijshëm nga dy mijë e pesëqind deri në tre mijë banorë. Dje janë rrezikuar dy mijë e pesëqind qytetarë që varen nga ky ujë. Ndërmarrja komunale është dashtë me e ndalë furnizimin me ujë dhe jo vetëm që kemi pasur mungesë të ujit për pije, por edhe për përdorim teknik, për larje të duarve dhe dush”, ka thënë Josimoviq.

Të njëjtën gjë e thotë edhe Afrim Lajçi nga Këshilli Ndërministror për Ujëra në Qeverinë e Kosovës. Ai thotë se leja për shfrytëzimin ujor duhet të jepet me koncesion dhe jo me leje ujore.

Ai thotë se dhënia e lejeve ujore për hidrocentralet është shkelje ligjore që e ka bërë Ministria e Mjedisit. Lajçi ka vazhduar duke thënë se ministria duhet të tregojë lokacionin se ku duhet të ndërtohen hidrocentralet sipas kapaciteteve dhe jo ta zgjedhë vendin investitori.

“Ne jemi angazhuar në këtë proces edhe pse jo aktivisht sepse është përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit, megjithatë e kemi trajtuar dhe mendoj se e kemi tradhtuar në thelb këtë problem sepse dhënia e të drejtës për shfrytëzimin e ujit për hidrocentrale dhe për të gjitha shfrytëzimet tjera jepet me koncesion dhe jo me leje ujore, këtu e kemi një shkelje ligjore që në start dhe këtë shkelje e kanë bërë ata që e lëshojnë këtë leje e që është Ministria e Mjedisit sepse koncesioni dallon prej lejes sepse është një proces konkurrues dhe transparent dhe nuk vjen dikush dhe të thotë se këtu po du me ndërtu një hidrocentral mirëpo shteti- ministria i përcakton lokacionet se ku ka kapacitete hidroenergjetik dhe për atë shpallet një konkurs i hapur dhe konkurrojnë njerëz me kushte të caktuara dhe përzgjedhet oferta më e mirë. Në Kosovë nuk janë zbatuar koncesionet fare dhe janë dhënë lejet ujore me kërkesë të investitorëve”, ka thënë Lajçi.

Sipas Gani Berishës, ushtrues detyre nga Departamenti i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në MMPH, hidrocentralet e planifikuara në Komunën e Shtërpcës po ndërtohen sipas legjislacionit në fuqi dhe nuk ka shkelje ligjore në asnjë procedurë.

“Sipas informacioneve që ne i kemi nuk është shkelur asnjë procedurë, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore, ka pasur auditim të atyre procedurave. Kemi një mori ligjesh të miratuara, akteve ligjore, të miratuara nga disa legjislatura e strategji të ndryshme që e lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Kosovë. Në këtë rast është zbatuar 100 për qind ajo që është kërkuar me legjislacionin në fuqi”, thotë Berisha.

Avdi Gjonbalaj, ish zyrtar i lartë në Hidroekonominë e Kosovës, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka thënë se për ndërtimin e hidrocentraleve në Lepenc nuk është vendosur asnjë parametër, që do ta bënte këtë investim të dobishëm për qytetarët e Kosovës.

“Lëshimi i akteve ujore për hidrocentrale, nga MMPH bëhet në kundërshtim të plotë me parimet e menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave. Vetëm ta shikoni vendimin për dhënien e pëlqimit ujor, do ta kuptoni se kemi të bëjmë me vendim abuziv. Nuk ka as edhe një parametër të pellgut, të hidrologjisë, të gjallesave në lumë, të shfrytëzimit të ujit të lumit për çfarëdo destinimi, të zonave të mbrojtura, të cilësisë së ujit para dhe pasi të ndërtohen HEC-eve, cila është prurja sipas muajve dhe viteve cila është prurja ekologjikisht e pranueshme, si do të regjistrohen prurjet para veprës së marrjes dhe pas sajë e shumë të tjera”, ka thënë Gjonbalaj.

Kosova si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë është zotuar që së paku 25% e energjisë të jetë nga burime të ripërtërishme të energjisë deri në vitin 2020. Studimet kanë identifikuar më shumë se 77 vende ku hidrocentralet mund të ndërtohen dhe instalohen. Këto plane u pranuan gjerësisht nga institucionet e Kosovës, pavarësisht nga disponueshmëria e pakët e ujit në Kosovë.

Një raport mbi gjendjen e ujit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e publikuar në vitin 2015, thotë se Kosova ka rreth 1600 metra kub ujë për banor, më i ulëti në rajon dhe jo i mjaftueshëm për të plotësuar sasinë e nevojshme të popullsisë, pavarësisht nga ndërtimi i hidrocentraleve. Raporti thotë se shpërndarja e ujit është “e pabarabartë dhe jo e përshtatshme”, thuhet në raport.

Zonat e Mbrojtura janë të rëndësishme për ruajtjen e natyrës. Në mënyrë të jashtëzakonshme, rreth 1,000 nga 3,000 projekte hidroenergjetike në Ballkan janë planifikuar në zonat e mbrojtura të tilla si Parqet Kombëtare dhe vendet e Natura 2000 (bën pjesë edhe Kosova në vendet e Natura 2000).

Ligji për mbrojtje të natyrës e ndalon “prekjen” e parqeve kombëtare, duke ndaluar shfrytëzimin ekonomik të të mirave natyrore. Në pikën tre dhe katër të nenit 11 për parqet kombëtare thuhet që ndalohen shfrytëzimi i natyrës burimore të këtyre parqeve.

“Në parkun kombëtar lejohen punët dhe veprimtaritë me të cilat nuk rrezikohet natyra burimore ndërsa në  parkun kombëtar ndalohet shfrytëzimi ekonomik i të mirave të natyrës”, thuhet në këtë nen.

Çështjet për ndërtimin e hidrocentraleve gjithashtu janë rritur më parë në pjesë të tjera të Kosovës, veçanërisht në Parkun Kombëtar Sharri.

Pas rezistencës së banorëve, me një vendim, Inspektorati komunal i Shtërpcës ka ndaluar përkohësisht ndërtimin e një hidrocentrali në këtë komunë me arsyetimin se “ka ardhur deri te turbullimi i ujit të pijshëm në rezervuar dhe kjo po e përkeqëson furnizimin e banorëve”.

Përkundër qytetarëve të Pejës dhe Shtërpcës, të cilët po rezistojnë me protesta, deçanasit kishin festuar me koncert investimet milionëshe në grykë të Deçanit, duke mos e ditur për dëmet ambientale që këto investime i kanë shkaktuar banorëve.

Në Serbi, mijëra njerëz janë bashkuar me protesta të vazhdueshme mbi planet për ndërtimin e 60 hidrocentraleve në Parkun Natyror të Stara Planina.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, ‘Gratë e guximshme të Krushicës’ kanë qëndruar në një urë për më shumë se një vit për të parandaluar ndërtimin e një dige dhe për të mbrojtur burimin e tyre të vetëm të ujit të pijshëm.

Në Kosovë ende nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë rreth rezervave ujore, por ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” ka thënë se ende nuk është bërë asnjë studim për resurset ujore të Kosovës, por Kosova bën pjesë në grupin e shteteve të varfra me rezerva ujore në rajon.

Edhe në një studim për lumenjtë e Ballkanit thuhet se 60 për qind e lumenjve në BE nuk kanë një status të mirë ekologjik, gjë që ka çuar në një humbje dramatike në biodiversitetin e ujërave të ëmbla dhe sasinë e vogël të ujërave që mund të kenë lumenjtë.

Sipas studimit “Ruaje zemrën e kaltër të Evropës” të Riverwatch, organizatë për mbrojtjen e lumenjve në Ballkan, thuhet se nevoja e hidrocentraleve nuk është e madhe dhe është lehtë e zëvendësueshme me energji të erës edhe të diellit, tejkalon potencialin nga hidrocentralet prej pesë herë!

Sipas kësaj organizate, lumenj janë shumë të vlefshëm për t’i humbur dhe se sistemet alternative të energjisë mund të gjenden për të siguruar një të ardhme ku plotësohen nevojat ekonomike dhe ruhen vlerat mjedisore. Për të ruajtur këto vlera të jashtëzakonshme, planet për ndërtimin e pothuajse 3000 hidrocentraleve thjesht nuk mund të vazhdojnë.

Gazeta Jeta në Kosovë në fillim të këtij viti ka raportuar se si planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh të Pejës kanë nxitur reagime nga udhëheqja komunale, shoqëria civile, ambientalistët dhe qytetarët.

Kompania, e cila po synon të investojë në Komunën e Pejës ia ka hedhur paq me dy raportet e inspektorateve të cilat e denonconin për shkelje. KELKOS u bë temë debati pas nismës për të ndërtuar hidrocentral mbi lumin Lumbardh të Pejës ndërsa BIRN zbulon se gjykata e Prishtinës vjetërsoj njërën nga çështjet e ngritura ndaj kësaj kompanie.

Me 18 korrik 2016 Inspektorati i Komunës së Deçanit kishte iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtësve ndaj kompanisë pasi kishte konstatuar dëme ambientale në bjeshkën e Deçanit.

Raporti i siguruar nga BIRN tregon se Inspektorati kishte konstatuar se afro 7 kilometra përgjatë Lumbardhit të Deçanit rrjedha e këtij lumi ishte ndërprerë totalisht si pasojë e kalimit të ujit në gypat furnizues të turbinave për prodhimin e rrymës elektrike.

Sipas këtij raporti inspektoret kishin parë në teren se portat e turbinave kanë qenë të mbyllura dhe vetëm disa pjesë kanë qenë të furnizuara me ujë nga rrjedhat anësore, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për ruajtjen e diversitetit të florës dhe faunës.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.