Ilustrim - Foto: KALLXO.com bastisjet nga policia ne rastin Brezovica

Të arrestuarit e djeshëm për rastin 'Brezovica' sot do të dalin para gjykatës

Tetë të arrestuarit për rastin “Brezovica” do të dalin gjatë ditës së sotme para gjykatës, pasi prokurori i rastit Rasim Maloku ka kërkuar masën e paraburgimit për të njëjtit.

KALLXO.com mëson se prokurori Rasim Maloku gjatë ditës së djeshme ka dërguar kërkesën për masën e sigurisë ndaj tetë të dyshuarve në lidhje me rastin “Brezovica”.

Gjatë ditës së djeshme një aksion policor nën udhëheqje të Prokurorisë Themelore të Ferizajt është zhvilluar në 12 lokacione të ndryshme, në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

Fillimisht ishin arrestuar shtatë persona, tre nga ta ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe katër pronar të disa kompanive ndërtimore.

Prokuroria gjithashtu dje ka njoftuar se gjatë ditës ishte arrestuar edhe një person i tetë në lidhje me rastin “Brezovica”.

Të dyshuarit, A. I., I. M., F. H., R. A., M. Sh., A. X., Z. G., dhe H. A., fillimisht pas arrestimit janë dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi, dhënie e marrje ryshfeti si dhe për falsifikim të dokumenteve.

Në lokacionet që u bastisën për të njëjtin rast, prona të personave të dyshuar janë gjetur dhe konfiskuar dokumente, fletore me shënime, tri armë, një karikator me 5 fishekë, 23 fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshëm, një kompjuter, një veturë, pesë telefona dhe një orë dore.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi se në aksionin e prokurorisë ishte arrestuar Ilir Morina ish- Kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit ndërsa policia kishte bastisur edhe pronën e asamblistit të LVV-së, Berat Lahut.

Ky i fundit në një bisedë me KALLXO.com ka thënë se nuk është kontaktuar nga organet e rendit madje hodhi dyshime se pozita e tij në KEDS nuk lidhet asgjë me çështjen e ndërtimeve në mënyrë të jashtëligjshme në Brezovicë.

Dosja Brezovica: Policia i troket në derë asamblistit të Vetëvendosjes