Shtërpcë, Policia Speciale përdor sprej ndaj protestuesve, në mesin e tyre edhe fëmijë

Banorët e fshatit Biti e Poshtme të Shtërpcës kanë protestuar përsëri pasi që punimet për futjen e lumit Lepenc në gypa kanë filluar sot sërish.

Banori i këtij fshati, Jeton Tahiri përmes një video të postuar ka deklaruar se Njësia Speciale u ka hedhur sprej qytetarëve, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë.

Gjithashtu ai pretendon se janë arrestuar një djalë, një vajzë dhe një grua.

“Sot përsëri kanë fillu punimet në lumin Lepenc për më fut ujin në gypa. Banorët e fshatit Biti e Poshtme kanë dalë përsëri që të protestojnë e t’i ndalin punimet. Posa kemi shkuar aty, pas një kohë të shkurtër ka ardhur Njësia Speciale të Policisë së Kosovës dhe i kanë ngjit shiritat gjoja së kah duhet me i hap kanalet me i fut gypat. Pas pak çastesh fëmijët kanë ardhë nga shkolla edhe iu kanë bashkëngjit protestës”, u shpreh Tahiri.

“Fëmijët kanë provu me i ndal së Policia na kanë thanë që brenda këtyre shiritave nuk guxon me hy askush, mirëpo fëmijët që pesë vite që bëjmë luftë me mbrojt lumin iu ka hynë në kokë që duhet të mbrojnë lumin edhe fëmijët kanë hynë brenda shiritave.  Njëri prej fëmijëve është rrëzu aty, unë vet personalisht është dashur me kap atë dhe persona të tjerë. Siç duket ka dhënë urdhër komandanti i Njësisë Speciale me na sulmu me sprej që jemi kanë afër shiritave. E kanë arrestua një djalë, një vajzë dhe një grua. Në mesin e njerëzve të cilëve u është hedhur sprej është edhe vajza e vëllait, 6 muajshe, por ka pasur edhe fëmijë edhe më të mëdhenj”, shtoi Tahiri.

KALLXO.com është duke pritur përgjigjur nga Policia e Ferizajt lidhur më këtë rast.

Kujtojmë se më 1 korrik banorët e fshatit Biti e Poshtme të Shtërpcës kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentralit në lumin Lepenc. Në këtë protestë kanë marrë pjesë shqiptarë dhe serbë, të cilët kanë kërkuar që lumi Lepenc të mos futet në gypa.