Qeveria: Hidrocentralet duhet të ndërtohen me koncesion e jo leje ujore

Afrim Lajçi nga Këshilli Ndërministror për Ujëra në Qeverinë e Kosovës ka thënë në emisionin Jeta në Kosovë se leja për shfrytëzimin ujor duhet të jepet me koncesion dhe jo me leje ujore.

Ai ka thënë se dhënia e lejeve ujore është shkelje ligjore që e ka bërë Ministria e Mjedisit. Tutje Lajçi ka vazhduar ka thënë se ministria duhet të tregojë lokacionin se ku duhet të ndërtohen hidrocentralet sipas kapaciteteve dhe jo ta zgjedhë vendin investitori.

“Ne jemi angazhuar në këtë proces edhe pse jo aktivisht sepse është përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit, megjithatë e kemi trajtuar dhe mendoj se e kemi tradhtuar në thelb këtë problem sepse dhënia e të drejtës për shfrytëzimin e ujit për hidrocentrale dhe për të gjitha shfrytëzimet tjera jepet me koncesion dhe jo me leje ujore, këtu e kemi një shkelje ligjore që në start dhe këtë shkelje e kanë bërë ata që e lëshojnë këtë leje e që është Ministria e Mjedisit sepse koncesioni dallon prej lejes sepse është një proces konkurrues dhe transparent dhe nuk vjen dikush dhe të thotë se këtu po du me ndërtu një hidrocentral mirëpo shteti- ministria i përcakton lokacionet se ku ka kapacitete hidroenergjetik dhe për atë shpallet një konkurs i hapur dhe konkurrojnë njerëz me kushte të caktuara dhe përzgjedhet oferta më e mirë. Në Kosovë nuk janë zbatuar koncesionet fare dhe janë dhënë lejet ujore me kërkesë të investitorëve”, ka thënë Lajçi.

Lajçi ka shtuar se problem tjetër i këtyre hidrocentraleve është se nuk janë të bazuara në planet strategjike- hidroteknike dhe po ndërtohen në zona të mbrojtura.

Sonte në emisionin Jeta në Kosovë diskutohet për hidrocentralet që po ndërtohen në lumin Lepenc në Malet e Sharrit.

Emisioni Jeta në Kosovë sonte do të mbledhë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, investitorin  MATKOS Group, përfaqësues të shoqërisë civile dhe banorë dhe gjithashtu Policinë e Kosovës.

Për hidrocentralet përgjatë lumit Lepenc, sonte do të flasin: Gani Berisha- drejtori i Departamentit të Ujërave në MMPH, Mustafë Hyseni, Inspektori i Mjedisit nga MMPH, Malsore Elshani- Njësia e Ndikimit Mjedisor në MMPH, Afrim Lajçi-  Këshilli Ndërministror për Ujëra, Bekim Shyti- Shoqata e Energjisë së Ripërtërishme, Labinor Vitija- Investitori MATKOS Group, Diana Metushi- Krasniqi- KDI, Shpejtim Arifi- Banor i fshatit Biti e Poshtme, Azem Tahiri- Banor i fshatit Biti e Poshtme, Agron Rushiti- Banor i fshatit Biti e Poshtme.

Jeta në Kosovë transmetohet sonte në orën 20:15 në RTK dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com. Repriza të hënën në mesditë.