Vrasja e trefishtë në Kaçanik, të akuzuarit ballafaqohen me rrëfimin e dëshmitarit

Ibrahim Dalloshi është rrëfyer sot në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së trefishtë në vitin 2007 tek ura e Lepencit në Kaçanik.

Për këtë rast të akuzuar janë Afet dhe Agron Dalloshi për vrasje, vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Sipas aktit akuzues vrasja dyshohet të kishte ndodhur për motive të hakmarrjes së paskrupullt.

Dëshmitari Dalloshi, rrëfimin e tij e filloi duke treguar që e njihte personin me inicialet N. B., tashmë i ndjerë, dhe se me të kishte pirë kafe diku tek malet e stanit.

Dëshmitari tha që nuk i kujtohej momenti ku kishte qenë në natën kritike kur kishte ndodhur vrasja dhe se nuk mund ta kujtonte se nga kush ishte informuar për rastin e vrasjes.

Tutje Dalloshi tha që së bashku me Besnik Hasanin dhe Afet Dalloshin kishin ndenjur bashke gjatë kohës sa kishin shërbyer si bashkëluftëtar në UÇK.

“Po ne kemi ndenjur bashkë si luftëtarë. Unë, Besniku dhe Afeti dhe shumë të tjerë në UÇK”- tha Ibrahim Dalloshi.

Dëshmitari tutje tha se kishte shkuar në vizitë te Afet Dalloshi ndërsa nuk i kujtohej nëse kishte vizituar dikë tjetër.

“Po kam pas vizitë, te Afeti jam kanë, dhe tani nuk më kujtohet nëse e kam vizituar dikë tjetër në atë burg”- u deklarua dëshmitari.

Ibrahim Dalloshi u deklarua se nuk e dinte dhe nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për motivet e kësaj vrasje.

“Nuk kom dëgjuar asnjëherë për arsyet dhe motivet e këtij rasti”- u deklarua ky i fundit.

Dëshmitari gjatë dhënies së dëshmisë, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues se cilën armë di ta përdorë pasi që ka lloje të ndryshme të armëve, duke marrë për bazë angazhimin e dëshmitarit në UÇK në kohën e luftës, “prej 1992 i kom pas të miat personale”- u përgjigj dëshmitari.

Ndërsa në seancë nga ana e Prokurorisë Speciale nuk kishte asnjë reagim lidhur me këtë deklarim të dëshmitarit.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më datën 13 mars ku do të dëgjohet një tjetër dëshmitar.

Në vitin 2011, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg, kurse Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, Hasani kishte dhënë deklaratë në hetuesi për vrasjen e vitit 2007 dhe pas dëgjimit të tij, prokuroria kishte ngritur aktakuzë në shtator të vitit 2011 ndaj Nystret Cenës, Afet Dalloshit dhe Agron Dalloshit.

Në mars të vitit 2012, Prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën e vitit 2011 dhe kishte liruar Nystret Cenën nga cilësia e të akuzuarit.

Aktakuza e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës ngarkon këta për vrasje, dy vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, N. B. kishte hyrë dorëzan për borxhin që Nexhat Koxhaj ia kishte Arsim Kaloshit, nga i cili i kishte blerë një veturë. Për shkak të këtij borxhi Nysret Cena, i cili kishte marrë përsipër që të kthente këtë borxh, ishte fjalosur me N. B.

Sipas Prokurorisë, me të ishte fjalosur edhe i akuzuari tjetër Afet Dalloshi “lidhur me një femër, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt dhe në mënyrë dinake” – thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se ditën e vrasjes, Afet Dalloshi me veturë të markës Audi ka bartur Nysret Cenën dhe Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura e lumit Lepenc, nga i cili vend është larguar pasi ka lënë aty këta dy.

Në anën tjetër, Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhej në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, ku qëndronte N.B, për të parë se kur do të largohej nga restoranti ashtu që të lajmëronin Nysretin dhe Agronin.

Qerimi dhe Hasani kanë lajmëruar Nysretin dhe Agronin me bori, se N.B po kalonte andej, të cilët pastaj kanë shtënë me rafalë të gjatë, me 40 fishekë duke e lënë të vdekur, thuhet në aktakuzë.

Në veturën e N.B. ndodheshin dhe S. B. dhe U. B. të cilat kanë vdekur, ndërsa i plagosur kishte mbetur B. B., ndërsa pa lëndime kishte mbetur S. B.