Liburn Aliu: Kemi refuzuar lejen mjedisore për hidrocentralin Lumbardhi 2 në Deçan

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë të ditur në konferencë që kjo Ministri tashmë i ka refuzuar kërkesën për leje mjedisore kompanisë “KelKos” për hidrocentralin Lumbardhi 2 në Deçan.

Sipas ministrit Liburn Aliu, ky refuzim i lejes është bërë për shkak se është në kundërshtim me pëlqimin mjedisor.

Ministri tha se kompania “KelKos” ka ndryshuar projektin për këtë hidrocentral.

Tutje ministri në konferencë ka bërë të ditur se të tri hidrocentralet nga ky operator nuk janë duke operuar në Deçan për shkak se për dy prej tyre gjykata ka pezulluar lejet, ndërsa për njërin Ministria ka refuzuar lejen.

“Ne kemi pasur takim me ekspertin Christoph Hauer, i cili ka bërë një koncept të restaurimit të Zallit të Rupës. Ky ekspert është përzgjedhur nga Riverwatch. Ne si ministri në raport me “KelKos” e kemi situatën e përmbyllur. “KelKos” i ka tri hidrocentrale për të cilat ka pasur kontest, për Lumbardhi 2 ne e kemi refuzuar lejen mjedisore për shkak se ka qenë në kundërshtim me pëlqimin mjedisor, ky hidrocentral sot nuk operon pikërisht për këtë. Ne kemi respektuar vendimin e gjykatës dhe kemi pezulluar lejet për dy hidrocentralet e tjera “Belaja” dhe “Deçani”. Të tria hidrocentralet nuk janë duke funksionuar”, ka thënë Aliu.

Gjykata Supreme e Kosovës kishte rikthyer masën pezulluese mbi punën e hidrocentraleve në Deçan në tetor të këtij viti.

‘Pishtarët’ kërkojnë informacione nga Ministria e Mjedisit se pse është ende në shqyrtim lënda e KelKos-it për ‘Lumbardhi 2’

Gjykata Supreme rikthen masën pezulluese për punën e Hidrocentraleve në Deçan

Qeveria gjen shkelje ligjore në disa hidrocentrale

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.