Gjykata Supreme rikthen masën pezulluese për punën e Hidrocentraleve në Deçan

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka njoftuar se Gjykata Supreme e Kosovës, ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e Hidrocentraleve në Deçan.

Sipas Arbër Fetahut nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Gjykata Supreme ka prishur aktvendimin e Gjykatë së Apelit ku thuhej, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentraleve ishte kundër interesit publik.

“Gjykata Supreme ka konstatuar se paditësit Faton Selmanaj dhe banorë të tjerë të Deçanit, kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralet në Deçan nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje e radhës”, ka thënë Fetahu.

Sipas GLPS-së, shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta, të cilat janë konfirmuar në gusht të këtij viti.

“Shkeljet ligjore kanë qenë të shumta, të cilat janë konfirmuar në gusht të këtij viti edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale i përbëtë nga zyrtarë të Ministrisë, i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit, janë të kundërligjshme”, tha Arbër Fetahu nga GLPS.

GLPS dhe Pishtarët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mbikëqyrin zbatimin e vendimit të Supremes dhe të lajmërojnë Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike në rast se Hidrocentralet në Deçan vazhdojnë operimin pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike paralajmëron ankesë ndaj Kolegjit të Apelit që vendosi në favor të KelKos

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike reagon mbi vendimin e Gjykatës së Apelit për hidrocentralet e Deçanit

Apeli vendos në favor të ‘KelKos Energy’ për hidrocentralet në Deçan