Foto: TV Puls

Eskalon protesta kundër hidrocentralit në Shtërpcë

Një protestë e banorëve të disa fshatrave të Shtërpcës kundër ndërtimit të një mini-hidrocentrali ka degjeneruar në dhunë.

Mediat lokale në gjuhën serbe raportojnë se njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë intervenuar ndaj protestuesve serbë të cilët po tentonin ta pengojnë një ekskavator që po kryente punime në lum.

Si pasojë, siç raporton TV Puls, dhjetëra protestues janë lënduar nga kjo ndërhyrje e Policisë.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë e ka dënuar ashpër, siç është shprehur ajo, forcën brutale të Policisë ndaj demonstruesve në Shtërpcë.

“Ia rikujtojmë KFOR-it dhe bashkësisë ndërkombëtare se populli serb në komunën e Shtërpces është veçanërisht i cenueshëm për shkak se për një kohë të gjatë jeton në izolim”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Policia e Kosovës ende nuk ka dalë me versionin zyrtar të ngjarjes.