Sejdullah Kadriu

I ikuri nga Vatra

Kandidati për kryetar nga Lëvizja Vatra, Sejdullah Kadriu, vetë është i larguar nga vatra, edhe pse tërë jetën punoi që në vatrën e tij të ketë liri dhe jetë më të mirë.

I lindur në fshatin Ramabuq të komunës së Bujanovcit dhe me veprimtari jetësore të përqendruar atje, Kadriu tash jeton në Gjilan, ndërsa konkurron për kreun e komunës.

Ndryshe nga bashkëvendasit e tij të tri komunave me shqiptarë në jug të Serbisë, shumë prej të cilëve kanë shkuar edhe më larg, Kadriu është vendosur fare pranë vatrës, vendlindjes së tij.

Bujanovci e Gjilani në hartë ndodhen përbalë njëri-tjetrit, me kufirin Kosovë-Serbi në mes, në një distancë ajrore prej pak më shumë se njëzet kilometrash, rruga automobilistike që i bie rrotull është më e gjatë.

Edhe pse kandidon për Gjilanin, Kadriu nuk e ka harruar vendin prej nga vjen. Në Emisionin Jeta në Komunë, kur u ballafaquan kandidatët e Gjilanit, ai propozoi që Anamorava të jetë ndryshe.

“Do të insistojmë që Bashkimi Europian dhe faktorët relevantë ta pranojnë Anamoravën si regjion i veçantë ku do të përfshiheshin Dardana, Gjilani, Vitia, Bujanovci, Presheva, Kumanova dhe Likova”, tha Kadriu.

Njeriu që shpërndau trakte antijugosllave ditën e fejesës, për t’i hutuar ndjekësit e tij, ka një histori të gjatë vuajtje e qëndrese për gjërat në të cilat besonte.

Sejdullah Kadriu karrierën politike e nisi në vitin 1978, kur vepronte në ilegalitet, në Bujanovc.

Ai u burgos në vitin 1983, për të qëndruar deri në vitin 1989 në burgun e Nishit.

“Gjashtë vjet burg i ka mbajtur, dy javë para martesës e kanë marrë në burg. Katër vjet ka qenë shumë keq me shëndet. Gjithçka kam parë në trupin e tij, shumë probleme të mëdha. Ndërsa tash është mirë”, tha Hajrie Kadriu bashkëshortja e kandidatit të Vatrës për Gjilanin.

Ajo shkoi edhe më tutje duke përshkruar të keqen. Tha se nga torturat Sejdullah Kadriu mbeti i palëvizshëm për gjashtë vjet. Për t’u ngritur përsëri në këmbë.

Sejdullah Kadriu ishte pjesë e luftës së Kosovës dhe asaj të UÇPMB-së.

Hobi i tij është kënga, ndërsa më të dashurat i ka këngët çame.

“Sa herë ka kënduar këngët çame në burg, ai e ka pësuar”, thotë bashkëshortja e tij Hajria.

Familjarët e Sejdullah Kadriut e tregojnë edhe një histori interesante. Thonë se Sejdullahu në burg e ka ndërtuar një çifteli, me material të pazakonshëm. Me gazetë, brumë dhe tela, për ta mbajtur shpirtin gjallë.

Adem Demaçi, librat e të cilit kandidati i Vatrës i ka nga më të preferuarit, thotë se një herë gjatë vuajtjes së dënimit prej 29 vjetësh burg në total, derisa dridhej në qeli, kishte hequr tulin e majës së bukës, për ta vendosur koren rrethore në kokë për t’u ngrohur.

Nga ajo përvojë, Demaçi thotë se ka zbuluar një fjalë të re shqipe-fjalën “bukëqeleshe”, njësoj si Sejdullak Kadriu çiftelinë e tij të veçantë.

Në burg Kadriu qëndroi me Bajrush Xhemajlin e Shemsi Veselin, sot zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ushqimi: tradicional dhe kifle

Pija: makiato, mbi 20 sosh në ditë

Librat: Koleksioni i Adem Demacit

Muzika: Çame – Kënga Barbarosa

Sporti: Futbolli