Rrëfimi Shqiptar i Milazimit Prej Shkodre

Para disa ditësh isha në rrugë për të bërë një vizitë në Mal të Zi. Nga të gjitha paradokset dhe anët negative që mund të ngriten për një tranzicion të një shteti që nuk e ka ndërruar qeverinë që nga koha e Jugosllavisë socialiste, megjithatë vendi ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha aspektet e jetës. Përveç se është shteti i radhës për integrim në BE, ka ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme e besa edhe faktorizuese me fqinjët.

Po përballët në mënyrë elegante me Serbinë dhe ndikimin që ka ajo në popullatën serbe që përbën mbi 30 për qind të shtetit dhe ndikimin e fuqishëm serb sidomos në aspektin e pronave të Kishës Ortodokse. Gjithashtu, me Kosovën, Mali i Zi ka bërë hapin e guximshëm të njohjes së pavarësisë, ndonëse nuk ka shkuar deri në fund. Tani po përdorë fuqinë e negocimit, së pari për të avancuar dhe realizuar të drejtat e malazezëve që jetojnë në Kosovë dhe, së dyti, për të balancuar çfarëdo kërkese që mund të vije për realizim e të drejtave të Kosovës në pasurinë që ka pasur në kohën e ish-Jugosllavisë e që më suksesion i ka takuar Malit të Zi.

Podgorica i është qasur me mjeshtri edhe marrëdhënies së ndërlikuar me Kroacinë që është pasojë e bombardimit të Dubrovnikut që ishte kryer nga territori i Malit të Zi në vitet nëntëdhjetë. Qasja përdor posaçërisht promovimin e kundërshtisë publike që qytetarët e kryeqytetit historik të Malit të Zi, Cetinjes, i kishin bërë asokohe aksionit ushtarak për të bombarduar Dubrovnikun.

Në krejt këtë marrëdhënie dhe politikë të jashtme të ndërtuar me kujdes ndaj fqinjëve, duhet analizuar edhe marrëdhëniet me Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke e njohur dinamikën e zhvillimit të infrastrukturës, rolit krejt unik që shqiptarët kanë luajtur në shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi, e në anën tjetër pa përdorur ndonjë nga argumentet e nxehta politike për reformën e ligjit zgjedhor që i bën shqiptarët në Mal të Zi të ndihen të diskriminuar ose rastet e arrestimeve të shqiptarëve që shumëkush i konsideron si një hap i përçarjes dhe i nxitjes së konfliktit ndërfetar, po mundohem të trajtoj marrëdhëniet fqinjësore nga një përvojë e freskët dhe krejt individuale.

Duke i rënë rrugës gjarpërore të Njegushit që lidh Cetinjën me Grykën e Bokës, një ndër udhëtimet më fascinuese që mund të kesh në Ballkan, si zakonisht u ndala në fshatin Njegush. Është vendi ku ka lindur themeluesi i shtetit të Malit të Zi, shtetit më të vjetër ballkanas. Ka edhe rrugë tjera edhe më të mira dhe më të rehatshme, por sa herë që më jepet rasti nuk e humb kënaqësinë të udhëtoj në atë rrugë që e sjell ashpërsinë dhe bukurinë e natyrës në një pako. Çdo herë, sikur ka diçka të re anës saj të që të habit dhe të bën për vete. Shpesh takon turistë biciklistë që shkojnë atypari përkundër ashpërsisë dhe tatëpjetave të larta, rrezikut nga gurët që rrëshqasin prej majave të zhveshura dhe krenare e që rreziten por edhe mbrojnë qytetet e bukura të Kotorrit e Perastit. Aty në majën e Njegushit përpara se te lëshohesh në luginën e parë të gjelbër është një pikë shitje ku dy plaka, Ikja edhe Danka, shesin djathin e zënë, mishin e tharë të derrit, mjaltin dhe verën e kuqe të pa kemikalizuar. Të përgatitura në një lartësi mbidetare e cila, megjithatë, ka klimën Adriatikut i bënë të veçanta edhe nga shija por edhe kualiteti.

Në ndalesën time të zakonshme aty, edhe pse bëj bisedë të gjatë, Ikja dhe Danka nuk më mbajnë mënd dhe çdo herë biseda fillon nga e para. Prej nga vjen, çka je?- si çdo herë janë pyetjet e para. Shqiptar nga Kosova – u përgjigjem. Kësaj radhe pa menduar asnjë sekondë më thonë: e kemi një shqiptar këtu, nga Skodra është. Dhe filluan të më numërojnë të mirat që i ka ai shqiptar: Është i fuqishëm, punon gjithë ditën pa u lodhur, është i pa zë, është shumë i ndershëm, nuk di të thotë jo, është i martuar dhe ka tre fëmijë… të mirat e tij nuk kane të mbaruar. Derisa ato bënin garë për të listuar të mirat që ka shqiptari, dy burra po vinin në drejtimin tonë. Gjatë bisedës më vonë, kuptova se njëri prej tyre ishte burri i Dankës dhe tjetri ishte shqiptari që mezi ecte dhe rrinte i kërrusur. Posa erdhën afër, ato bënë me gisht. Ja ky është shqiptari ynë. U afrova dhe u përshëndeta me të dy burrat dhe filluam në shqip bisedën me Milazimin nga Shkodra. Me tregoi se ishte aty qe dy vite, bën punët më të rënda që i ka fshati. Që nga bagëtia e deri tek ndërtimi duke dërguar çimenton nëpër maja për të ndërtuar. Të qarat e duarve të tij vështirë t’i imagjinosh në piktura mjerimi diku. Çfarë të bëj, punë në Shkodër nuk ka, i kam tre fëmijë që lypin dhe duhet me u rritë, sikur arsyetohej Milazimi më një shqipe të rrjedhshme shkodrane. Por zëri i dridhej ngapak e dukej i lodhur.

Dy gjera më shkuan në mëndje. E para, ashtu siç duket bukur Njegushi dhe gryka e Bokës duket edhe Llogoraja në Shqipëri, dhe e dyta, djathi dhe mishi i qengjit atje kanë shumë ngjashmëri për nga cilësia. Këtë po ia thosha vetes derisa Milazimi po fliste me shikim herë pas here nga bashkëshorti i Dankës – zotëriu skllavopronar modern, por mendimi im nuk u ndal aty.

U hamenda se çfarë do të duhej të mendonte Milazimi nga Shkodra për premtimet e demokracisë dhe të gjithë ata që janë bërë milionerë pas ndryshimeve në Shqipëri për ta lënën Milazimin të “kënaqur” me 200 euro në muaj që merr si argat krahu ne mesin e bukurisë së Njegushit. Dhe se ç’mu renditën këngët për kurbetin njëra pas tjetrës. Me siguri Milazimi ka qenë motivi për me ba gurbetin kaq të keq e kaq të urryer ne këngët që kanë përcjellë të kaluarën e shqiptarëve.

Me siguri edhe meloditë do t’ishin kujtuar po të mos vazhdonte tregimin Milazimi për Shkodrën e vërshimet atje, për fukarallëkun dhe fqinjët e tij që nuk ia dalin fundin e muajit, për kushtet e vështira dhe jetën e shtrenjtë dhe për disa të tjerë që nuk e dinë se sa kanë pasuri. Këtu mu kujtua Migjeni dhe poema e tij e mjerimit. Edhe ai Shkodran si Milazimi ka qenë veç koha ka ecur por gjërat nuk kanë ndërruar shumë. Shtet i poshtër kishin me thënë Stupcat.

Mendimet vazhduan tutje aq sa harrova të ndalem në lartësinë e ardhshme prej nga shihet bukuria e grykës së Bokës dhe gjarpërimi i shkallëve të thepisura që të dërgojnë nga qyteti tek kalaja e Kotorrit dhe ndërkohë radio lajmëroi se pajisja kozmike CURIOSITY e NASA’s ishte lëshuar me sukses në Mars për të filluar misionin e saj të hulumtimit atje…

Sfida e shqiptarëve për të ndërtuar jetën e dinjitetshme duhet tejkaluar arsyetimet dhe bartjen e fajit tek të tjerët. Historikisht ka qenë kjo, por ka më shumë se një decenie që shqiptarët janë viktimë e vetës ose të të vetëve që i kanë zgjedhur për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Borxhi i vetëm që tani kanë shqiptarët është borxhi ndaj vetës dhe këtë duhet kërkuar me ngulm.