Rrahjet mes deputetëve ndër vite në Kuvendin e Kosovës

Gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, pati një incident në mes të deputetëve të LDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes.

Por, kjo nuk është hera e parë që në institucionin më të lartë të shtetit, deputetët rrihen në mes vete.

Në qershor të vitit 2012, një fjalosje në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve Visar Ymeri, atë kohë në Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe Florin Krasniqi në njërën anë dhe deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu kishte vazhduar edhe me një përplasje jashtë Kuvendit.

Bekim Haxhiu i njohur me nofkën ‘Kamishi’, kishte mbetur i lënduar nga ky incident dhe rasti kishte përfunduar në gjykatë.

“Kamishi’ në këtë rast ishte si palë e dëmtuar, ndërsa Visar Ymeri e Rexhep Selimi akuzoheshin se kanë goditur Haxhiun, pas një mosmarrëveshje ndërmjet tyre.

Pas disa seancave të mbajtura, kryetari i trupit gjykues i kishte shpallur të pafajshëm Selimin e Ymerin, ndërsa vozitësi Besart Bujupi ishte dënuar me gjashtë muaj burg me kusht.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Bekim Haxhiu, pati dhënë kritika të ashpra ndaj trupit gjykues të këtij rasti.

Arben Gashi vs Xhavit Haliti & Gani Dreshaj

Një konflikt tjetër kishte ndodhur edhe në maj të vitit 2018, në mes të deputetit të LDK-së, Arben Gashi dhe atij të PDK-së, Xhavit Haliti, e në të cilën ishte përfshirë edhe deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.

Incidenti kishte ndodhur në momentin kur deputetët po votonin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Pamjet e kapura nga kamerat e Kuvendit, tregonin se deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, pasi kishte dalur nga kabina e votimit me fletëvotim në dorë, ka shkuar drejt vargut të deputetëve ku gjendej edhe Arben Gashi. Në momentin kur i është afruar, Haliti shihet duke tentuar t’i bjerë me bërryl deputetit të LDK-së.

Ndërsa deputeti Dreshaj më pas afrohet dhe shkëmben disa fjalë me Gashin, të cilit i thotë ‘kom me ta prish fytyrën’.

Në lidhje me këtë, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj deputetëve Haliti dhe Dreshaj. Ky i fundit akuzohej për kanosje ndaj deputetit Gashi, ndërsa Haliti akuzohej për sulm me pretendim.

Në fund, në tetor të vitit 2019, të dy deputetët e akuzuar ishin dënuar me nga 1250 euro gjobë.

Vetëvendosje vs LDK

Ndërsa gjatë ditës së sotme pati një incident tjetër në mes të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, Kujtim Shala dhe të Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca e Fitore Pacolli.

Këta të fundit, pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në të cilën raportoi ministrja Meliza Haradinaj-Stublla, mbajtën një konferencë për media, ku akuzuan deputetët e LDK-së për sulm fizik në korridorin e Kuvendit.

“Ata patën një tendencë të dytë na sulmuan në korridorin e kuvendit të Kuvendit, jashtë sallës ku mbajtëm takimin. Nuk është fyese kur kërkon prej ministrisë pse nuk shkarkon një ambasador të emëruar politik pasi i ka skaduar mandati. Kjo ishte e orkestruar dhe kjo tregon që këta janë duke u përballur me një situatë të vështirë dhe nuk munden ti kryejnë detyrat e veta”, ka thënë Pacolli në një konferencë për media”, ka thënë sot Pacolli para gazetarëve.

Ndërsa po ashtu përmes një konference për media, deputetët e LDK-së, Arben Gashi dhe Kujtim Shala mohuan akuzat e Vetëvendosjes.

Deputeti Arben Gashi, para gazetarëve tha se në korridor ka pasur gjuhë agresive nga deputetët Gjyshinca e Fitore Pacolli.

“Mbledhja ka qenë e tensionuar, në mes te deputetëve të Vetëvendosjes dhe ministres dhe me kryetaren e Komisionit.Ne si LDK nuk jemi përfshi në këto tensione. Ka pas një diskutim të Kujtim Shalës dhe pas diskutimit, Gjyshinca ka fillu me ofendime ndaj deputetit, për ketë arsye kryetarja ka vendosur për mbylljen e mbledhjes. Në diskutime në korridor, Gjyshinca dhe deputetja Pacolli shfaqen një gjuhë agresive dhe ne u larguam prej aty, kjo mund të shihet nga kamerat e kuvendit. Kjo po bëhet qëllimshëm për me demtu  reputacionin e Kuvendit”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, të dy janë intervistuar nga ana e Policisë së Kosovës në lidhje me rastin.

Kurse një incident tjetër kishte ndodhur në shtator të vitit të kaluar, ndërmjet ish deputetit, Dardan Molliqaj dhe ish zëvendëskryeministrit, Haki Abazi, pas një debati televiziv.

Në lidhje me këtë, Prokuoria Themelore në Prishtinë ka ngritur një aktakuzë ndaj  Dardan Molliqajt dhe shoqëruesit të tij  kundrejt veprës penale të sulmit, ku palë e dëmtuar është ish-zëvendëskryeministri  Haki Abazi.