Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj | Foto: KALLXO.com

Suhareka - Vendlindja e Bilbilave Pa Fole

“Mora fjalë, e mora vargun, mora qarkun, me i thurrë kangë…” Suharekës, vendlindjes së Shkurte Fejzës që vargun nën thonjëza ia kushton Adem Jasharit.

Ndoshta është kënga me motive disi epike, që shtrihet në horizonte të largëta e kthehet prap për të thënë nga dy tre vargje. Pastaj vjen një pjesë me flaut që të jep ndjenjën se po dëgjon muzikë të amerikanëve vendës apo siç i njohin “indianët e amerikës”.

Kaq shumë ka prodhuar Suhareka për muzikën folklorike të Kosovës sa krahasimi me Prekazin e Adem Jasharit, kuptohet që vlen vetëm për fushën e muzikës, nuk është aspak ekzagjerim.

Mushtishti është fshati i Suharekës që duhet studiuar në të ardhmen se si prodhoi pesë zëra të njohur të muzikës folklorike në Kosovë. Motrat Mustafa, Remzije Osmani, Shkurte Fejza e Shyhrete Behluli janë të pesta nga fshati Mushtisht i Suharekës.

Nuk ka njeri në Kosovë që të mos i njohë tingujt e motrave Mustafa, apo versionin e “My Heart will Go On” të Celine Dion që e ka kënduar Remzije Osmani në një show televiziv, apo duetin e Shyhretes me Hysni Klinakun që shkon: “Nëpër male thrrasin trimat: Kosova! Kosova! Gjithandej këndojnë bilbilat: Kosova! Kosova!”

Jo vetëm për muzikë njihet Suhareka. Ka ndodhur shpesh që këpucët në të cilat shkelim të jenë të Suharekës. Është fjala për fabrikën e prodhimit të këpucëve “Solid” e cila dorën në zemër, për çmimet që ofron, produktet i ka dinjitoze.

Prandaj kujtdo që i duhen këpucë solide si për nga pamja ashtu edhe për nga çmimi, le t’u drejtohet dyqaneve që mbajnë produkte të “Solid”-it.

Ne kishim shkuar për të parë si vete puna me projektet e komunës dhe përditshmërinë e suharekasve. Për këto çështje ishte ftuar në sallën e asamblesë komunale kryetari i Suharekës, nga radhët e LDK-së Sali Asllanaj.

Sapo u zunë vendet nëpër ulëset e asamblesë, kryetari mori pozicionin e duhur për kamerat, kryesuesja provizore Xharra poashtu, debati ishte gati të fillonte.

“Ky mandat mund të llogaritet vetëm një vit, pasi një vit jam harrnuar me buxhet të vjetër” – ishin fjalët e kryetarit sapo dëgjoi premtimet që kishte dhënë para dy vitesh.

Opozita që nuk pret në këso raste filloi me akuza. Kush nga ta ngriti çështjen e punëtorëve të Solid-it që paskan protestuar për mungesë rryme, ndërkohë u ngrit edhe çështja e fondit të punësimit.

Këtu kryetari na befasoi paksa kur e pranoi se në fakt ky premtim nuk kishte ecur siç kishte menduar. Ky është një rast i rrallë, që një njeri shqiptar i Kosovës ta pranojë para publikut se nuk ia ka qëlluar me diçka.

Opozita, nga sa merrej vesh, nuk e kishte votuar idenë për këtë fond nën arsyetimin se po të bëhej do të punësoheshin të rinjtë e LDK-së. A thua se atyre nuk u lejohet punësimi!

Këtu na duhet ta themi se Vetëvendosje kishte votuar pro edhe duke qenë në opozitë pasi sipas tyre punësimi i të rinjve është gjë e mirë ne vete dhe prandaj duhet përkrahur. Po kështu nuk kishin menduar shumica.

Opozita iu hodh më qafë kryetarit për vëllain e kryetarit që ishte punësuar në stacionin e autobusëve të Suharekës, ndërkohë që nga debati merrej vesh se anëtarët e bordit ishin nga dy prej AAK-së, LDK-së dhe PDK-së.

Në fakt, në të gjitha komunat këto emërime politike për anëtarë bordesh merren si normale, ndërkohë punësimet si shofer a diçka e ngjashme problematizohen.

Po tani vinte sërish një temë e ndjeshme. Besoj, jo vetëm për Suharekën, por për gjithë Kosovën.

Asambleja komunale e Suharekës | Foto: KALLXO.com
Asambleja komunale e Suharekës | Foto: KALLXO.com

Qendra e kulturës në Mushtisht, e papërfunduar. Kjo akuzë prek zemrat e shumëkujt, kam përshtypjen, pasi po flasim për Prekazin e muzikës folklorike kosovare. Dhe si ka mundësi, që fshati që është qendër e kulturës së mbarë kombit nuk ka qendër të kulturës për veten e vet?

“A do t’vjen edhe njëherë pranvera, a do t’çelin lulet përsëri?” janë vargu dhe tingujt e këngës së motrave Mustafa që përcjellin kokën time në pritje të hapjes së qendrës së kulturës në Mushtisht.

Bilbilat kanë nevojë për folenë e tyre, dhe ajo ende nuk është gati. A thua vallë, edhe sa “bilbila” mund të zbulohen, e tingujt e tyre sa do t’i mbushin zemrat tona me epsh patriotik po filloi punën kjo qendër?

Por nëse për asgjë tjetër, atëherë thjesht që të rinjtë e Mushtishtit të shoqërohen më mirë me njëri tjetrin e të ushqehen sado pak me inspirime kulturore.

Suhareka megjithatë është një vend i vogël. Nuk është se ndodhin shumë ngjarje edhe pse krahasuar me qytete të tjera të ngjashme është me rininë më aktive. Suhareka e ka gazetën e saj elektronike  “Theranda Post” që ka font si të “The Washington Post”.

Për ata që mund të jenë konfuzuar, Therandë është emri tjetër i Suharekës, pasi emri Suharekë vjen nga serbishtja që do të thotë Lum i Thatë (Suva Reka).

Edhe debati shkonte drejt tharjes. Një temë që u ngrit kishte të bënte me shtëpinë e shëndetit e cila nuk qe funksionalizuar diku në fshatin Dubravë të Suharekës. Kjo sipas kryetarit Asllanaj ishte një shtëpi e shëndetit pa plan dhe ishte larg qytetarëve prandaj edhe nuk funksionalizohej.

Filluan përsëri diskutime për punësime partiake dhe për befasinë tonë, një asambliste mori fjalën e filloi të fliste. Duke dashur të shpjegonte se si kryetari nuk bënte dallime partiake tha se në shtëpinë e shëndetit ku punonte ajo vet ishte punësuar një “militante e AAK-së” dhe se anëtarët e LDK-së, përfshirë edhe atë vet “jemi idhnu me kryetarin”.

“A do t’vjen edhe njëherë pranvera, a do t’çelin lulet përsëri?” A do të mësohen ndonjëherë njerëzit shqiptarë të Kosovës se puna dhe partia, s’mund dhe s’duhet të lidhen me njëra tjetrën.