Problemet moderne që rrahin gurët antikë të Kalasë së Vushtrrisë

Dëshmia e antikitetit ende tërësisht të  pazbuluar në Vushtrri është Kalaja e lashtë. Megjithëse tërheq vizitorë, kjo zonë antike lufton me pakujdesinë dhe kthetrat e biznesit.

Historianë shqiptarë e të huaj kanë dhënë opinione lidhur me vjetërsinë e objektit, që nuk është i vetmi i këtij lloji nëpër Vushtrri.

Ajo shërbeu si burg, depo e deri edhe qendër rekreative, kinema e restaurant, para se të bëhej objekt i trashëgimisë kulturore që është sot.

Sot, objekti turistik ka mungesë guide e ciceroni. Vushtrriasit u përballën edhe me betejën e ndalesës së zhvillimit të biznesit brenda zonës së mbrojtur.

Si të shkosh deri atje?

Kalaja e Vushtrrisë gjendet në qendër të këtij qyteti dhe është shpesh pikë orientimi brenda qytetit.

Nëse viziton Kalanë e qytetit gjithashtu në distancë jo të largët mund të vizitosh edhe “Hamamin e Vushtrrisë”, Urën e Gurit dhe shumë monumentet tjera kulturore. 

Hyrja kryesore ka një derë të madhe të hapur brenda orëve të vizitave, përkatësisht nga ora 8 deri n orën 16.

Kjo zonë ka mungesë të ciceronit, ndërsa zyrtarët thonë se janë në fazën e fundit të përzgjedhjes së dikujt për këtë pozitë.

Çfarë sheh atje?

Platforma me hekur dhe dru mundëson ecjen nëpër gjithë kompleksin e kalasë.

Objekti kryesor brenda këtij kompleksi është kulla dy katëshe. Në muret e kësaj kulle janë të vendosura piktura dhe fotografi me rëndësi historike dhe fotografi të qytetit të vjetër të Vushtrrisë.

Kulla që shërben edhe si muze, ka të ekspozuara artefakte të ndryshme të gjetura brenda kompleksit arkeologjik.

Dyert e Kalasë janë po ashtu të vjetra dhe rëndësi arkeologjike. Jashtë, në zonën që pritet të gërmohet edhe tutje, shihen të hapura puse të ndryshme dhe kanale që besohet që janë shfrytëzuar në periudha të ndryshme historike.

Për hapjen dhe mirëmbajtjen e saj kujdeset një punëtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Vushtrrisë

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë sundimit osman kalaja një periudhë ka shërbyer si burg, pastaj si depo e armatimit, si dhe për qëllime të tjera varësisht sipas nevojës.

Në vitet 1955-1958 kalaja shfrytëzohej si kinema dhe restorant. Ana jugore e kalasë, ku ishte edhe kabina për kino-projektor, ka qenë e mbuluar me çati, ndërsa në murin e jashtëm të kullës shihen edhe sot pjesët metalike ku janë vendosur perdet për shfaqjen e filmave verorë. 

Kalaja u përdor nga qytetarët deri në vitin 1962.

Kalaja që shpëtoi nga restauranti

Megjithëse kishte pasur role dhe funksione të ndryshme në jetëgjatësi, kësaj kalaje desh iu bë edhe një ndryshim tjetër para dy viteve

Më 6 korrik të vitit 2017, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK)i dha leje Mentor Salihut që në një pjesë të kalasë të ndërtojë një restorant.

Salihu është daja i kryetarit të atëhershëm të Vushtrrisë, Bajram Mulaku.

Idesë për ndërtimin e këtij restoranti i ishin kundërvënë qytetarët dhe OJQ-të e këtij qyteti dhe jo vetëm.

OJQ-të e Vushtrrisë dhe gjithë Kosovës  hapësirën e Kalasë së Vushtrrisë e kanë shfrytëzuar për organizimin e aktiviteteve vullnetare, rinore dhe kulturore që si qëllim kanë pasur interesin e përgjithshëm publik.

Presioni pas protestave detyroi institutin që të tërhiqte mbrapa vendimin.

Sot Kalaja vazhdon të qëndrojë me hapësirë të pa gërmuar dhe hulumtuar.

Në vitin 2013/14 atje u realizuan punime restauruese dhe konservuese me investimin e Ambasadës së ShBA-së.