Qytetarët kundërshtojnë vendimin për dhënie në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë

Një grup qytetarësh nga Vushtrria të bashkuar me moton”Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë” reaguan pas vendimit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, për dhënie në shfrytëzim të përkohshëm të monumentit të trashëgimisë kulturore – Kalasë së Vjetër.

Instituti në kuadër të Ministrisë së Kulturës mori dje vendim që kalaja t’i jepet në shfrytëzim për ta bërë restaurant

Pas këtij vendimi reaguan komuna, organizata dhe grupe qytetarësh.

Ky grup  ftoi Prokurorinë e Shtetit që të nis hetimet në lidhje me “marrjen e këtij vendimi të  jashtëligjshëm”

Dje kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri  njoftoi se Komuna nuk do të dorëzojë çelësat e kalasë dhe nuk do ta pranojë këtë vendim.

Qytetarët e Vushtrrisë edhe dy vite më parë kishin protestuar ndaj një vendimi të ngjashëm, atë të Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore me datën 07.07.2017, i cili ia dha në shfyrtëzim Kalanë për pesë vite po ashtu z. Mentor Salihu – dajës së ish kryetarit të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së, Bajram Mulaku.

Asokohe “Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë” kanë dalë kundër këtij vendimi dhe kanë kërkuar që ai të anulohet për faktin se Kalaja e Vushtrrisë përveq që është monument i trashëgimisë kulturore gjendet në zone arkeologjike, si dhe është e vetmja hapësirë publike e restauruar dhe destinuar për aktivitete kutlurore për rininë e qytetit.

Përveç kësaj, procesi i dhënies në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë, sikurse herën e kaluar edhe kësaj radhe ka ndodhur pa asnjë diskutim publik me qytetarët.

‘’Ne si qytetarë të Vushtrrisë, jemi të shqetësuar për këtë vendim pasi që përmes tij qytetarëve po u privohet shfrytëzimi i njërës nga hapësirat kryesore kulturore. Gjithashtu, ne jemi dëshmitarë se praktika të tilla të shfrytëzimit të objekteve të trashëgimisë kulturore nga bizneset private kanë rezultuar në dëmtimin e tyre dhe për këtë nuk është dhënë asnjë përgjegjësi. Një shembull i tillë është Ura e Vjetër e Gurit në qytetin tonë që për momentin shfrytëzohet si oborr restoranti. Gjatë këtij viti anësoret e kësaj ure janë rrëzuar në mungesë të mirëmbajtjes adekuate nga pronarët’’,  deklarojnë qytetarët.

Gjithashtu edhe  organizata CHwB Kosova  ka reaguar dhe ka vlerësuar  që vendimi i lëshuar nga Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe  nënshkruar nga drejtori i këtij Insitucioni, Ismet Hajrullahu për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të Monumentit të trashëgimisë kulturore – Kalaja e Vushtrrisë është i pabazuar dhe i kundërligjshëm.

Negocimi i Dyshimtë i Kontratës për Kalanë e Vushtrrisë