Inspektorati për Trashëgimi Kulturore: IKMM tejkaloi kompetencat ligjore

Inspektorati për Trashëgimi Kulturore (ITK) në Ministrinë e Kulturës ka marrë vendim për ndalimin e çfarëdo veprimi apo ndërhyrje në Kalanë e Vushtrrisë, duke anuluar kështu vendimin e drejtorit të Institutit të Kosovës për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë për qëllime afariste.

Ndërsa konstaton se IKMM me vendimin për dhënie në shfrytëzim të Kalasë në Vushtrri operatorit ekonomik “Dardania Castle” ka bërë tejkalim të kompetencave bazuar në dispozitat ligjore në fuqi.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i MKRS, ka nxjerrë gjatë ditës së sotme, 18.10.2019, një vendim përmes së cilit ndalon çdo veprim të paautorizuar në Kalanë e Vushtrrisë, duke kujtuar se bëhet fjalë për një aset të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Sipas këtij vendimit të ITK-së, çdo ndërhyrje në këtë aset të trashëgimisë palët janë të obliguar të marrin paraprakisht aprovimin nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Ndërsa obligon drejtorin e IKMM, Ismet Hajrullahu që të marrë të gjitha masat për zbatimin e vendimit të Inspektoratit të trashëgimisë Kulturore me nr. 18/2019, të datës 18.10.2019.

“Çdo ndërhyje e paautorizuar në asetin e trashëgimisë kulturore, të cekur në pikë I, të këtij vendimi është e përcaktuar si kundërvajtje në bazë të dispozitave të Ligjin nr. 02/L për Trashëgiminë Kulturore dhe bazuar në dispozitat Kodit Penal të Kosovës, saktësisht, neni 354 ‘Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’,  është e përcaktuar si vepër penale”, thuhet në pikën e 4-të të Vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për Kalanë e Vushtrrisë.

Më tej në vendimin nr: 18/2019 të ITK të MKRS thuhet se inspektori i Trashëgimisë Kulturore pasi ka analizuar të gjitha dokumentacionet që lidhen me monumentin, por edhe ato që lidhen me vendimin e IKMM për të aprovuar kërkesën e “Dardania Castle” për shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë, ka ardhur në përfundim se IKMM gabimisht i është referuar nenit 6 të Ligjit për trashëgiminë kulturore, ku flitet për shfrytëzim të trashëgimisë monumentale për përfitime ekonomike, pasi siç thuhen në vendim, Kalaja e Vushtrrisë nuk bënë pjesë në kategorinë e trashëgimisë monumentale por, arkeologjike, sipas kategorizimit të bërë nga Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.

Më tej në raport ITK konstaton se IKMM me vendimin e lëshuar, (për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë operatorit ekonomik) ka tejkaluar kompetencat e saja bazuar në dispozitat ligjore, pasi pavarësisht marrëdhënieve pronësore me Kalanë, të njëjtë nuk kanë të drejtë që të japin leje që mund të ndikojnë në vlerat e trashëgimisë kulturore arkeologjik, duke dispozita e ligjore rreth mundësi për shfrytëzim të aseteve të trashëgimisë për qëllime ekonomike.

“Po ashtu Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, konstaton se secili institucion kompetent, që ka të drejtë të vendos lidhur me të drejtën e lejimit të shfrytëzimit të përkohshëm të asetit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje për qëllime ekonomike, në asnjë rrethanë nuk ka të drejtë të nënshkruaj kontratë me operatorin ekonomik sepse lidhja e secilës kontratë duhet të bëhet nga institucionet përkatës përmes shpalljes publike në pajtim me procedurat e prokurimit publik”, thuhet në vendimin e ITK të MKRS.