Organizata Kulturore kundërshton dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë

Pas Komunës së Vushtrrisë edhe CHwB Kosova ka reaguar ndaj vendimit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për dhënien në shfrytëzim për qëllime biznesore- hotelerie, të Kalasë së Vushtrrisë

Përmes një reagimi në Facebook, organizata e specializuar për trashëgiminë kulturore CHwB Kosova vlerëson se Vendimi  lëshuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është i pabazuar dhe i kundërligjshëm.

Ky vendim, Sipas CHwB-së, i cili ka për subjekt një “Monument të trashëgimisë kulturore arkeologjike”, në mënyrë të kundërligjshme bazohet në dy pika.-

“Ligji 02/L-88 Neni 6 ( paragrafi 6.14)’ dhe ‘Rregullorja 06/2017 Neni 10, Paragrafi 1.18’- të cilat i referohen trashëgimisë kulturore arkitekturale. Neni 6 ( paragrafi 6.14), Ligji 02/L-88 thotë se përdorimi me qëllim përfitimi ekonomik dhe kulturor i trashëgimisë arkitekturale autorizohet me leje të shkruar nga Institucioni kompetent, në rastet ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura”. Gjithashtu, Rregullorja 06/2017, Neni 10, Paragrafi 1.18 specifikon se Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve autorizon me leje të shkruar përdorimin me qëllim përftimi ekonomik dhe kulturor të trashëgimisë arkitekturale në raste ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura, pas konsultimit me Qendrën Rajonale përkatëse të Trashëgimisë Kulturore”, thuhet në reagimin e organizatës CHwB Kosova.

CHwB Kosova sqaron më tej se ‘Kalaja e Vjetër në Vushtrri’ është monument nën mbrojte të përhershme në kategorinë ‘trashëgimi arkeologjike’ dhe jo arkitekturale siç është trajtuar nga vendimi i fundit .

Kategorizimi zyrtar, sipas kësaj organizate,  është adaptuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, propozuar nga Ministria e Kulturës.

“Në përshkrimin e publikuar në ueb-faqen e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore thuhet që se Bazuar në vlerat arkeologjike, artistike, shoqërore, shpirtërore, rariteti dhe shkencore, aseti Kalaja e vjetër është shpallur monument në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në vitin 2016”. Duke marrë parasysh kategorizimin e mësipërm, Rregullorja 06/2017, Neni 11, Paragrafi 1.2, specifikon se është Instituti Arkeologjik i Kosovës i cili “Jep lejet (lejimi) me shkrim për veprimtari që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e trashëgimisë kulturore – arkeologjike nën mbrojte të përhershme ose të përkohshme”. CHwB Kosova konsideron se Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve me vendimin e fundit ka bërë një veprim kundërligjor duke shpërfillur kompetencat e Institutit Arkeologjik të Kosovës”, thuhet më tej reagim.

Për më tepër, sipas CHwB-së,  ky veprim ( i IKMM-së) është vazhdimësi e një përpjekjeje të vazhdueshme të të njëjtit institucion.

Më tej CHwB Kosova vlerëson se trashëgimia kulturore duhet të jetë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm lokal, mirëpo kjo duhet të bëhet përmes planeve adekuate të menaxhimit të cilat garantojnë mbrojtje të vlerave kulturore si dhe sigurojnë një proces transparent të përfshirjes së operatorëve ekonomik në menaxhimin e lokaliteteve të trashëgimisë kulturore.

“Nisur nga kjo CHwB Kosova rekomandon që organet përgjegjëse urgjentisht ta shfuqizojnë këtë vendim të kundërligjshëm në mënyrë që të parandalohet çdo veprim që cenon integritetin dhe autenticitetin e monumentit – Kalaja e Vjetër në Vushtrri”, thuhet në reagimin e CHwB Kosova lidhur me vendimin e IKMM për dhënie në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë për qëllime hotelerie.

Dy ditë më parë, më 16.10.2019, drejtori i IKMM-së, Ismet Harjrullahu, ka marrë vendim për të aprovuar kërkesën e ‘Dardania Castle” për shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë.

Vendimi i IKMM është përcjellë me reagime të ashpra të Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dhe shoqërisë civile në Vushtrri.

Negocimi i Dyshimtë i Kontratës për Kalanë e Vushtrrisë