Tahiri: Komuna e Vushtrrisë nuk i dorëzon çelësat e Kalasë

Sot gjatë ditës është bërë e ditur se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka marr vendim për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë Mentor Salihut.

Këtë vendim po e kundërshtojnë zyrtarët e Vushtrrisë.

KALLXO. com ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë,Xhafer Tahiri i cili ka thënë se Komuna e Vushtrrisë nuk i dorëzon çelësat e Kalasë.

“Komuna nuk do të ja dorëzojë çelësat e Kalasë Institutit dhe askujt tjetër derisa të anulohet ai vendim i kundërligjshëm. Ne nuk e njohim Mentor Salihun dhe nuk na intereson aspak se cilat janë lidhjet e tij me MKRS”, tha Tahiri për KALLXO. com.

Ai tutje ka shtuar se Kalaja është e qytetarëve dhe nuk do të lejojnë që të përdoret për përfitime personale të askujt.

Në lidhje me vendimin e Ministrisë ka reaguar edhe nënkryetari i kësaj komune, Besim Muzaqi, i cili në një postim në Facebook ka shkruar se “tentimi i mbetjeve të PAN-it për ta dhënë Kalanë e Vushtrrisë eksponentëve të caktuar për destinim hotelierik është i kunderligjshëm dhe i papranueshëm!”.

“Kalaja ka statusin e objektit arkeologjik, do të thotë hulumtimet ende nuk kanë përfunduar. Trashëgimia kulturore është e publikut, jo e oligarkëve”,ka shkruar Muzaqi.

Ai tutje ka shtuar se Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka nxjerr vendim që ndalon ndërhyrjet “abuzive të udhëheqësve abuziv të IKMM”.

“Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve me vendime të tilla flagrante para ardhjes së Qeverisë Kurti veçse tregon jo profesionizmin dhe përpjekjet e dëshpëruara për kapjet e fundit.Qytetarët e Vushtrrisë do t’i dalin në mbrojtje vlerave kulturore dhe do iu japin përgjigje meritore këtyre keqpërdorueseve”, ka shkruar Muzaqi.

Mentor Salihu kishte marrë në shfrytëzim Kalanë e Vushtrrisë edhe më 15 korrik 2017.

Por kjo kontratë ishte shkëputur katër ditë pasi ishte nënshkruar, pasi që Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore kishte gjetur të paktën katër shkelje ligjore në vendimin për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së vjetër në Vushtrri.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për negocimin e dyshimtë të kontratës për Kalanë e Vushtrrisë.

Negocimi i Dyshimtë i Kontratës për Kalanë e Vushtrrisë