Kalaja e Vushtrrisë

Rinia e Vushtrrisë kundër restorantit në Kalanë e qytetit

Kryetarja e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Vushtrri, Drita Dibrani, ka reaguar pasi që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë vendim të lejojë që në Kalanë e Vushtrrisë të ndërtohet një restorant.

Përmes një postimi në Facebook, Dibrani ka thënë se ky vendim duhet të anulohet sepse rinia e kësaj komune e ka shfrytëzuar këtë hapësirë për aktivitetet e saj.

“Hapësira të cilën Rinia e Vushtrri e ka shfrytëzuar për aktivitete rinore, tash e tutje po shndërrohet në biznes dhe ne nuk do kemi mundësi t’i mbajmë këto aktivitete aty…  “Dhënia në shfrytëzim për restorant hapësire e kalasë së qytetit është një gabim të cilin nuk është dashur ta bëjë IMMK-ja. Ajo hapësirë përveç që do na pamundësojë neve OJQ-ve t’i mbajmë aktivitete tona rinore, do bëhet edhe pengesë për vizitorët e kalasë”, ka shkruar ajo.

Për këtë vendim, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili ka thënë se nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

“Komuna nuk do të ja dorëzojë çelësat e Kalasë Institutit dhe askujt tjetër derisa të anulohet ai vendim i kundërligjshëm. Ne nuk e njohim Mentor Salihun dhe nuk na intereson aspak se cilat janë lidhjet e tij me MKRS”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Në lidhje me vendimin e Ministrisë ka reaguar edhe nënkryetari i kësaj komune, Besim Muzaqi, i cili në një postim në Facebook ka shkruar se “tentimi i mbetjeve të PAN-it për ta dhënë Kalanë e Vushtrrisë eksponentëve të caktuar për destinim hotelierik është i kundërligjshëm dhe i papranueshëm!”.

“Kalaja ka statusin e objektit arkeologjik, do të thotë hulumtimet ende nuk kanë përfunduar. Trashëgimia kulturore është e publikut, jo e oligarkëve”, ka shkruar Muzaqi.

Në vendimin e marrë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thuhet se “aprovohet kërkesa e “Dardania Castel”, me pronar Mentor Salihu për shfrytëzim të përkohshëm të Kalasë së Vushtrrisë”. Salihu është daja i ish-kryetarit të Komunës, Bajram Mulaku.

Në vendim është i bashkëngjitur edhe arsyetimi i aprovimit të kësaj kërkese për dhënie në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë.

www.kallxo.com