Foto panoramike e Novo mesto nga Wikimedia Commons

Një Përrallë Sllovene

Novo mesto – Si e vogël, ajo çfarë dija për Slloveninë ish se ajo qe qendra e përkëdhelur e fuqisë së quajtur Jugosllavi, dhe nganjëherë, kur binte fjala, të moçmit thonin se sllovenët ishin njerëz të ftohtë.

Shumë ujë ka hyrë nën urë tashmë dhe kujtimet e fëmijërisë janë larg. Sllovenia e natyrës së bukur e krejt jeshile, e rrethuar nga Alpet, është hapa larg asaj kohe, por larg jemi të gjithë asaj që dikur e quanim “të përbashkët”.

Jernej Balant, (32) më priste në aeroportin e Ljubljanës. Jernej është pjesë e ekipit të shtëpisë botuese Goga Publishing House, kafe bar-it dhe qendrës kulturore nën këtë emër. Rruga rreth një orë e gjatë nga aeroporti i Ljubljanës deri në Novo mesto është tejet e bukur. Me Jernej-in flasim për letërsinë, gazetarinë dhe politikën.

Ai ka studiuar për bibliotekari në Universitetin e Ljubljanës dhe tashmë puna e tij sillet rreth librit e kulturës në qytetin e lindjes, Novo mesto. Flasim edhe për të kaluarën e përbashkët. Ai mban mend pak nga ajo kohë dhe thotë se gjithë çfarë di për ‘vllazënim-bashkimin’ e dikurshëm alla jugosllav, janë rrëfimet e babait e të gjyshit, të cilët edhe qenë dërguar për të kryer shërbimin ushtarak afër Kosovës.

Diku në mes të rrugës magjistrale për në Novo mesto, mbi një kodrinë rri një tank dhe disa flamuj. Jernej më thotë se kjo relike ushtarake ka mbetur si kujtim nga e shkuara sllovene, memorie nga lufta që zgjati vetëm dhjetë ditë në Slloveni, 27 qershor – 7 korrik 1991, me rënien e ish-Jugosllavisë dhe fillimin e luftërave në rajon.

Mirësevjen në Dolenjska!

Dolenjska është njëra nga krahinat e Sllovenisë. Emrin thonë se e ka marrë ngaqë është tokë e rrafshët. Dolenjska është sharmante me bukurinë dhe butësinë e pamjeve piktoreske, me fushat, kodrat e kodrinat, rajonin e pasur historik e arkeologjik, melodinë e dialekteve dhe sidomos mikpritjen e njerëzve.

“Ajo për çka ne, banorët e kësaj ane, njihemi më shumë dhe rreth së cilës na pëlqen të thurim plot shaka, është se pothuajse të gjithë, pa përjashtim, pos një shtëpie në qytet e kemi edhe nga një shtëpi në periferi, me një copë truall dhe secili nga ne ka një vresht të vetin ku prodhojmë venën rozë, vetëm për tavolinën familjare”. Jernej flet dhe derisa vozit tregon me gisht edhe kodrën ku familja e tij ka shtëpinë e fundjavës dhe vreshtin.

Vera rozë e quajtur Cvicek, autentike e këtij rajoni, mund të jetë, përpos emrit të njohur të verës italiane Chianti, një nga brendet e rralla në botë e prodhuar nga rrushi i kuq dhe varietetet e rrushit të bardhë. Si një dashuruese e madhe e verërave, Jernej më thotë se krahina Dolenjsko është vendi i duhur për t’i eksploruar shijet e saj.

Kodrat jeshile përgjatë rrugës, përplot me kisha, duket se e bëjnë bashkë të shkuarën dhe të sotmen. Dhe sigurisht, ky nuk duket si një vend ku mund të nxitosh, pos ta shijosh ngadalë, mu si verën, ta shikosh gjatë, ta dëgjosh dhe ta ndjesh me zemër.

Novo mesto, qyteti i kovave

Novo mesto (Qyteti i ri), sot është kryeqendra politike, ekonomike dhe kulturore e rajonit Dolenjska, si dhe qyteti më i madh i kësaj ane, ndonëse me vetëm 22 mijë banorë. Qyteti i vjetër mbi kodër, zë vend rreth shtratit të lumit Krka, njërit nga lumenjtë më të gjatë në Slloveni.

Qyteti ka një histori të pasur dhe për pak ditë feston ditëlindjen e 658-të. Mirëpo ekzistenca e banimit në të daton që para erës sonë, dëshmuar nga gjetjet e shumta arkeologjike, që sot ndodhen në muzeun e qytetit “Dolenjska museum”.

Qyteti ka në hapësirën e tij 12 zona të kërkimeve të rëndësishme arkeologjike, dhe janë pikërisht zbulimet në nëntokën e tij, që kanë bërë të konsiderohet i rëndësisë së madhe arkeologjike jo vetëm për Slloveninë, por dhe në kontekstin e gjerë të zbulimeve arkeologjike në Evropën Qendore.

Janë pikërisht zbulimet arkeologjike që qytetit piktoresk mbi kodër, i kanë dhënë emrin Qyteti i kovave. Kova është simbol arkeologjik i tij. Edhe në hyrje mban një kovë të madhe. Kovat ornamente prej bronzi të gjetura në Novo mesto janë të rralla dhe dëshmitare të jetës së periudhës Hallstat, të shekullit 8 – 4 p.e.s.

Qyteti i kovave, i rrethuar në të tri anët nga lumi Krka dhe me mure fortesë, një qendër e rëndësishme e kohëve parahistorike, duke qenë i pozicionuar 70 kilometra larg Ljublajnës dhe po aq larg kryeqendrës kroate, Zagrebit, sot është shtëpia e kompanisë së njohur farmaceutike Krka si dhe Fabrika e makinave Revoz, e cila prodhon markën e makinave Renault.

Jernej Balant më tregon se pjesa më e madhe e banorëve janë të punësuar në këto dy kompani.

Novo

Pulsi kulturor

Mitja Licen, drejtor i shtëpisë botuese dhe kafe barit Goga, thotë se jeta kulturore në këtë qytet të vogël është e pasur. Kafenë e pijmë në sheshin kryesor të qytetit të vjetër, Glavni trg. Licen tregon se organizohen mbrëmje të shumta leximi, performancash artistike dhe evente diskutimi përgjatë vitit, por më të shpeshta ato janë gjatë verës. Më atraktive e më të shpeshta për banorët vendas, duket të jenë bendet e ndryshme muzikore sllovene e të huaja, të cilët performojnë zhanre të ndryshme muzikore.

Të premteve ish ditë pazari. Dhe ndryshe nga ditët e tregjeve tona, ajo nisi me muzikë tradicionale, me valle, këngë e diskutim. Dikush provonte e shijonte llojet e djathërave, dikush të mjaltit, të verërave, dikush vallëzonte e një grumbull njerëzisht ishin ulur dhe e dëgjonin një burrë të moshuar tek fliste, nuk e di për çfarë, se vështirë kuptoja ndonjë fjalë.

E shtuna ndërkaq nisi herët me sirenat e makinave. Dikush tha se shqiptarët po merrnin nuse. Kushedi. Në qendër të qytetit ka një furrë që quhet Pekarna Arta, dhe gruan që shet bukën e pyes nga je, ajo përgjigjet: nga Kosova. Emrin e kish Lirije. Pyes njërën nga mikpritëset e mia për shqiptarët e vendosur në Novo mesto, dhe ajo më thotë se e din se ka disa familja mafioze diku përreth. Kushedi!

Nga sirenat e makinave në mëngjes te tingujt e fortë të rok muzikës në mbrëmjet e fundjavës, nga lumi jeshil, kodrat e kishat, shtëpitë e vjetra te kënga e përditshme e zogjve, nga shija e verës Civcek dhe ushqimeve tradicionale sllovene, qyteti i vogël e i bukur, duket si një përrallë e rrëfimeve të gjysheve dhe njëkohësisht një storie shumë moderne.