Berat, Shqipëri Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com

Gëzim i dyfishtë: Bashkëjetesa fetare i ka rrënjët e thella në Berat

Besimtarët e krishterë dhe ata myslimanë festuan së bashku Pashkët dhe Bajramin këtë vit, duke nxjerrë në pah traditën e hershme të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare në qytetin e Beratit në Shqipëri. 

Bardhyl Qafa është një besimtar i devotshëm mysliman, por mëngjesin e Pashkëve më 16 prill, ai u vesh si për festë dhe shkoi në kishë.

“Shkova për të uruar festën e Pashkëve”, thotë i moshuari nga lagjja “30 Vjetori” e Beratit.

Qafa është një mësues në pension dhe festa e Pashkëve e gjeti atë në agjërim. Ai i tha BIRN se me festat kaq pranë njëra-tjetrës këtë vit, ai dhe miqtë e tij ortodoksë u gëzuan dyfish.

Me banesat muzeale bashkuar mes njëra-tjetrën si askund tjetër, familjet e vjetra ortodokse dhe ato myslimane në qytetin e Beratit bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën. Simbol i kësaj bashkëjetese fetare janë edhe afresket e kishave të qytetit, brenda së cilave janë pikturuar minare.

Afërsia kohore mes Pashkëve dhe Bajramit këtë vit u përjetua si një ogur i mirë në qytet.

“Ato [festat] ndryshojnë për çdo vit, mirëpo fakti që këtë vit ato kanë qenë afër njëra-tjetrës, duhet të jetë një ogur i mirë për reflektim dhe për vetëpërmbajtje në një kohë ku bota materiale dhe shoqëria e spektaklit nuk janë aspak miqësore ndaj religjioneve,” tha publicisti Namir Lapardhaja.

Pranë Katedrales Ortodokse të “Shën Dhimitrit”, At Joani ndjehet i kënaqur që besimtarët myslimanë në agjërim iu bashkuan riteve fetare të Pashkëve.

“Në procesionin e Epitafit, të premten dhe të shtunën për shërbesën e Ngjalljes, kemi parë si çdo vit praninë e personave me përkatësi të ndryshme fetare, duke uruar dhe festuar së bashku me miqtë e tyre ortodoksë,” tha At Joani për BIRN.

Në qytetin e Beratit, këto festime janë vlerë e trashëguar. Margarita Mihali, 77 vjeç është besimtare ortodokse dhe kujton se solidariteti me besimtarët myslimanë u mbajt gjallë edhe në vitet e vështira të diktaturës.

“Isha në punë, në ushqimore ato vite kur u ndalua besimi. Shoqja ime e ngushtë agjëronte dhe unë që e dija sekretin e saj, e ndihmoja që të lodhej sa më pak,”kujton ajo.

“Këtë vit ditët që unë kam qenë me kreshmë, shoqet e mia myslimane kanë qenë në agjërim dhe urimet i kemi përcjellë mes nesh, duke u bashkuar madje dhe në Iftare,” shtoi Margarita.

Besimtarët rrëfejnë se e kanë uruar njëri-tjetrin edhe në kohën kur feja ishte e ndaluar dhe praktikat fetare mund të të fusnin në telashe. Madje, Kozma Nova nga lagjia “Kala” kujton se në vitet e diktaturës, në shtëpinë e tij festohej fshehurazi jo vetëm Pashka, por edhe Bajrami.

“Babai i thoshte nënës që të bënte një ëmbëlsirë. Mbaj mend që ia kërkonte sepse ishte Bajram dhe duhet ta festonim dhe ne, por në heshtje pa e mësuar askush,” kujtoi besimtari ortodoks.

Besimtarët myslimanë gjatë faljes së Bajramit në Berat. Foto: Eriola Azizolli.

Edhe për Bardhyl Qafën, këto ditë janë të veçanta dhe e kthejnë pas në kohë.

“Kishte shokë të ngushtë që e dinin që agjëroja. Ashtu siç unë e dija që mbanin kreshmë dhe merreshim vesh me njëri-tjetrin në fshehtësi dhe në heshtje pa folur fare,” shtoi Qafa.

Namir Lapardhaja thotë se festat fetare mund të japin një kontribut për mbarëvajtjen shpirtërore të shoqërisë, por sipas tij ka edhe aktorë që i keqpërdorin ato.

“Politika shpeshherë i ka keqpërdorur festat fetare, duke ia marrë ato besimtarëve dhe duke i përdorur për qëllime elektorale”, tha ai.

Lapardhaja shtoi gjithashtu se komunitetet fetare kanë një rol të rëndësishëm në orientimin e besimtarëve tek elementi shpirtër, larg manipulimit dhe spektaklit.

Në kishën ortodokse, At Joani thotë se festimet e këtij viti ndikojnë në edukimin e bashkëjetesës te brezi i ri.

Kalaja e Beratit, 187 metra mbi kodër e ndërtuar në shekullin 13 banohet ende nga beratasit. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

“Pashka dhe Bajrami duke qenë afër këtë vit, i jdhanë mundësinë krerëve fetarë që përtej vizitave për urime në institucionet e tyre fetare, të mund të shpalosin dhe përqafojnë akoma dhe me tepër tek brezat e rinj ndjenjën e tolerancës dhe harmonisë ndaj të afërmit, mikut, kolegut të një feje tjetër,” tha ai.

Edhe myftiu i Beratit, Emirjon Vathaj thotë se bashkëjetesa fetare është një traditë e bukur dhe një obligim.

“Vizitat e ndërsjellta janë një shenjë respekti dhe detyrimi njerëzor. Njeriu e ka obligim moral t’i ushtrojë. Kjo është një traditë e bukur shqiptare, që historikisht ka ndarë gëzimin e hidhërimin me fqinjin e tij të besimit tjetër,” tha ai.

Berat, Shqipëri Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com
Berat, Shqipëri
Foto: Emirjeta Vllahiu/ KALLXO.com