Paradë në mbështetje të komunitetit LGBT në Prishtinë. Foto: CEL
Nga sulmet te diskriminimi, komuniteti LGBTI ende në betejë për të drejta e tyre në Kosovë
Përderisa janë vërejtur përmirësime në trajtimin e përgjithshëm të komunitetit LGBTI në Kosovë, pjesëtarë të komunitetit thonë se ka ende shumë punë për tu bërë drejt gëzimit të të drejtave të plota nga ky komunitet.
Për të katërtën herë me rradhë, këtë tetor, në Kosovë pritet të organizohet “Parada e Krenarisë”.
Parada që për qëllim ka të avokojë mbi të drejtat e pjesëtarëve të komunitetit LGBTI, është mbajtur pa incidente që nga organizimi i parë më 2017.
Megjithatë, përgjatë viteve, në vend janë regjistruar dhjetëra raste të sulmeve fizike ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti. Institucionalisht, personat me gjini të njëjtë ende e kanë të ndaluar të martohen në Kosovë ndërsa beteja ligjore për ndërrimin e gjinisë për transgjinorët edhe bëhet me shumë sfida.
Shumë politikanë kanë marrë pjesë në Paradat e Krenarisë, por kur KALLXO.com kishte pyetur rreth 100 kandidatë për deputetë lidhur me mendimet e tyre për martesën e gjinisë së njëjtë, mbi gjysma e tyre ishin kundër.
Në Kosovë në pesë vitet e fundit në Policinë e Kosovës janë iniciuar gjithsej 16 raste penale ku viktima kanë qenë pjesëtarët e komunitetit LGBTI+.
Duke krahasuar rastet e iniciuara në polici ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI+ shihet një rritje e numrit në katër vitet e fundit.
Sipas statistikave të Policisë në vitin 2015 ka qenë vetëm një rast i hapur, në vitin 2016, pesë raste, në vitin 2017, katër raste, në vitin 2018 pesë raste dhe në vitin e kaluar pra në 2019 janë hapur gjithsej gjashtë raste.
KALLXO.com ka kërkuar nga policia të dijë nëse këto raste kanë qenë sulme fizike ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI+ por të njëjtit kanë thënë se këto shifra paraqesin “rastet e raportuara në polici nga pjesëtaret e LGBTI-se, për vepra te ndryshme penale te cilat janë kryer ndaj tyre”.
Lendi Mustafa, pjesëtar i këtij komuniteti dhe anëtar i organizatës që mbron të drejtat e komunitetit LGBTI , CEL Kosova, ka thënë se sulmet verbale ndaj komunitetit që i takon kanë rënë.
Ai shton se ndodh që edhe kur ka raste të tilla personat që janë viktima nuk i raportojnë për shkak të qasjes diskriminuese të institucioneve të sigurisë.
“Sulmet verbale kanë qenë dhe janë ende prezente ndaj personave LGBTI, mirëpo sa i përket sulmeve fizike në Kosovë, ka ndryshime të mëdha. Nëse e krahasojmë gjendjen në Prishtinë me vitet 2000-2015 sulmet fizike ndaj personave LGBTI kanë qenë shumë më të shpeshta. Në ditët e sotme, me sa jam në dijeni unë nuk janë të shpeshta sic kanë qenë. Edhe pse është vështirë të thuhet diçka e tillë e të merret si rezultat i vërtetë pasi që shumë persona LGBTI hasin në dhunë dhe jo gjithherë kanë guxim të raportojnë raste të tilla për shkak të qasjes diskriminuese dhe traumatizuese nga institucionet e sigurisë”, thotë Mustafa.
Mustafa shton se komunitetit LGBTI+ duhet t’i ofrohen mundësi të sigurta për të raportuar krimet që kryhen ndaj tyre.
“Personave LGBTI duhet t’i ofrohen më shumë mundësi të barabarta dhe të sigurta, qoftë në aspektin e sigurisë nga sulmet apo çfarëdo aspekti tjetër. Shpeshherë mund të vërejmë që personat LGBTI hezitojnë të raportojnë raste nga frika se do të ju zbulohet identiteti jashtë institucioneve nga vetë zyrtarët, pasi që kjo gjë ka ndodhur më herët. Gjithashtu, në raste kur dhuna është në familje, ende nuk ka shtëpi të sigurta që sigurojnë personat LGBTI dhe t’i largojnë nga ambientet e rrezikshme për mirëqenien e tyre”, vazhdon të tregoj Mustafa.
Sipas tij, gjendja dallon edhe nga terenet e ndryshme në vend, sidomos në vendet rurale.
Deri më sot, Mustafa thotë se vetëm një rast i sulmit ndaj një personi të komunitetit LGBTI është trajtuar deri në fund.
“Sulmuesit u është caktuar dënimi minimal. Të tjera mund të ketë por për të cilat nuk jam në dijeni. Shumë persona LGBTI drejtohen tek ne për ndihmë ligjore dhe këshillim rreth procedurave të raportimit të një rasti, mirëpo pothuajse të gjithë hezitojnë për të njëjtat arsye që i përmenda edhe më lartë”, tregon ai.
Dëmet nga stigma shoqërore për komunitetin LGBTI
Megjithë sfidat për pranimin e vetvetes dhe pranimin nga familja, ekspertë të shëndetit mendor thonë se stigmatizimi shoqëror është një prej dëmeve më të mëdha që i shkaktohet shëndetit të personave të këtij komunitetit.
Neuropsikiatri, Sami Rexhepi ka treguar për dëmin zingjiror në shëndetin mental nga stigma.
“Në përgjithësi stigmatizimi si fenomen është i dëshmshëm te të gjithë njerëzit. Stigmatizimi ndikon në shëndetin e tyre mendor sepse u shkakton ankth dhe ky ankth më pas ndikon në izolimin e tyre dhe depresion. Te komuniteti LGBT është një problem që ata nuk munden me tejkalu së pari problemin me vetveten pastaj janë të paragjykuar nga shoqëria dhe gjykohen për orientimin e tyre. Problemi i parë është që ata duhet me tajkalu vetveten mos me paragjyku rrethin se qysh kanë me i pranu dhe do të jenë më të liri me pa atë që janë. Çka duhet me bë është që me i pranu ata ashtu siç janë sepse orientimi i tyre është personal”, thotë ai.
Rexhepi kujton edhe fillet e stigmatizimit të këtij komuniteti pasi vite më parë ishte besuar gabimisht se homoseksualizmi është sëmundje.
“Çështja e sëmundjes ka mbetur sepse më herët ka qenë me klasifikimin e sëmundjeve, kjo gjë ka qenë e definuar si sëmundje dhe ajo ka mbetur dhe shumë vështirë ndërron. Çështja e orientimit të tyre nuk jemi ne si shoqëri mjaft e ngritur që me kuptu që ajo është një çështje shumë personale dhe paraqesin njëfarë mënyrë rrezik për shoqërinë apo kërcënim pasi që ajo nuk është diçka ngjitëse është thjesht orientim individual, thjesht duhet t’i pranojmë si pjesë të shoqërisë në mënyrë të barabartë”, thotë ai.
Për nderë të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transofobisë dhe Bifobisë, Qeveria e Kosovës çdo vit vesh fasadën e ndërtesës me flamurin shumëngjyrësh të komunitetit LGBT.
“Projekt-Kodi Civil definon martesën si bashkësi ligjërisht të regjistruar ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme. Po ashtu, definon që Burri dhe Gruaja, kanë të drejtën të martohen dhe të formojnë familje. Më tej, Projekt-Kodi Civil parasheh mundësinë e krijimit të bashkimeve tjera civile me ligj të veçantë. Organizatat e shoqerise civile konsiderojnë që të gjitha partneritetet e mundshme (martesa apo bashkësitë civile) duhet të rregullohen me Kodin Civil”, thuhet në deklaratën e publikuar në ueb-faqen e CEL.
Sipas tyre, kjo qasje e të rregulluarit të partneriteteve tjera me ligje të veçanta, tenton të ndaj të drejtën për partneritet për personat LGBTI nga ato të qytetarëve të tjerë të Kosovës.
“Një qasje e tillë është shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut të personave LGBTI në Kosovë, dhe nuk paraqet gjithëpërfshirjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Projekt-Kodi civil ka dështuar në sigurimin e njohjes ligjore të statutit të partneritetit të çifteve të sekseve të njëjta (të bashkësisë civile apo martesës) dhe i’a mohon këtyre personave të drejtën për të krijuar familje”, thuhet tutje në deklaratë duke shtuar se mos rregullimi i partneritetit për çiftet e të njëjtit seks në Projekt-Kodin Civil është qasje diskriminuese në bazë të orientimit seksual.
“Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën për martesë dhe krijimit të familjes. Është e qartë që në Kushtetutën e Kosovës nuk ka gjini të përcaktuar, që do të pengonte çiftet e seksit të njëjtë të martoheshin dhe të krijonin familje. Më tej, Kushtetuta e Kosovës siguron edhe shtresa të tjera të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Neni 24 i Kushtetutës – Barazia para ligjit garanton që çdo person gëzon të drejtën e mbrojtjes ligjore pa diskriminim duke përfshirë edhe orientimin seksual si bazë të mbrojtur”, deklaron CEL së bashku me OJQ-të e tjera që kanë nënshkruar në këtë deklaratë.