Ilustrim-Jeta Dobranja për KALLXO.com

100 kandidatë për deputetë flasin për martesën mes gjinisë së njëjtë

Intervistat me 100 kandidatë që garojnë për një vend në Kuvendin e Kosovës shpërfaqin mendime të ndryshme për martesën mes të njëjtës gjini. 

Ndërkohë që të drejtat e komunitetit LGBTI rrallë zënë hapësirë ​​politike në fushatat elektorale në Kosovë, një seri intervistash të realizuara nga KALLXO.com tregojnë se një numër i madh i kandidatëve që kandidojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit janë në favor të martesës së çifteve të së njëjtës gjini.

Asnjë parti gjatë kësaj fushate zgjedhore nuk ka shprehur në mënyrë të qartë mbështetjen për përmirësimin e të drejtave të komunitetit LGBTI në programet ose planet e tyre për qeverisje. Sidoqoftë, gjatë intervistave të bëra nga KALLXO.com, pothuajse gjysma e të gjithë kandidatëve për deputetë e kanë shprehur mbështetjen e tyre për martesa të së njëjtës gjini.

 48 për qind e të intervistuarve janë deklaruar se janë në favor.

Albert Kinolli, si pjesë e Partisë së Bashkuar Rome, shprehu mbështetjen e tij për martesa të së njejtës gjini, por pranoi se Kosova është në një situatë të vështirë kur bëhet fjalë për përmirësimin e pranimit shoqëror. 

“Sinqerisht të them sa i përket mentalitetit tonë ne dihet jetojmë në Kosovë dhe jemi në rregull mirëpo nëse jemi në hap me kohën edhe me Kushtetutë ju kemi lejuar, është zgjidhja e tyre”, tha Kinolli

 Në anën tjetër, 43 e të të intervistuarëve ishin kundër martesave të së njëjtës gjini. 

Përderisa shumica e deputetëve që u deklaruan kundër martesave të së njëjtës gjini, nuk u përpoqën të arsyetonin qëndrimin e tyre.

Disa nga arsyet e kundërshtimit përfshinin aspektin fetar, mbështetjen për “vlerat tradicionale të familjes”, të jetuarit në Ballkan dhe mosha e shtyrë.

KALLXO.com intervistoi 100 politikanë, duke u parashtruar atyre 44 pyetje mbi temat që variojnë prej mjedisit, kujdesit shëndetësor, të drejtat fetare, nëse ata do të preferonin të merrnin kujdesin shëndetësor publik ose privat në rast se do të sëmureshin si dhe pyetje rreth financimit të fushatës së tyre elektorale.

Përderisa ka mb 1 mijë politikanë që garojnë për një vend në Kuvend, 100 kandidatë janë intervistuar, përfshirë 37 ish-deputetë. 

10  kandidatë të intervistuar kanë mbajtur poste ministri në ish- qeveritë e mëparshme ndërsa pesë prej tyre mbështesin martesën mes të njëjtës gjini.

Martesat mes të njëjtës gjini asnjëherë nuk janë pranuar qartësisht në Kosovë. 

Ndërkohë që Kushtetuta e Kosovës thotë  se martesa është një e drejtë që të gjithë njerëzit e gëzojnë pa asnjë dallim, Ligji mbi Familjen në Kosovë në mënyrë specifike e thotë se martesa duhet të ndodhë midis një burri dhe një gruaje.

Megjithë paqartësinë, intervistat e bëra nga KALLXO.com sugjerojnë se besimi që mbizotëron tek politikanët në Kosovë është se Kushtetuta e ka fjalën e fundit për këtë çështje.

 Shumë prej atyre që ishin në favor e përmendën qartë Kushtetutën për të arsyetuar mbështetjen e tyre për martesë të së njëjtës gjini, në dukje hezitues që të shprehen hapur në mbështetje, por të prirur t’i binden ligjit.

Duke filluar nga partitë që kishin më shumë kandidatë të deklaruar në favor të martesave të së njëjtës gjini, si më poshtë mund ta lexoni përmbledhjen e statistikave nga Prishtina Insight.

 

LVV

Përkundër faktit se Lëvizja Vetëvendosje shpesh ka folur për të drejta të barabarta në ligjërimin e tyre politik, kjo parti rrallëherë i ka mbështetur publikisht të drejtat e komunitetit LGBTI në të kaluarën.

Para këtyre zgjedhjeve, në një intervistë televizive më 16 shtator, udhëheqësi i partisë, Albin Kurti iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me mbështetjen për komunitetin LGBTI, duke thënë se “ata janë një pakicë, të drejtat e të cilave duhet të respektohen si pjesë e të drejtave themelore elementare të njeriut.”

Kurti është përballur edhe me pyetje për mungesën e tij në paradat e krenarisë që janë mbajtur në Kosovë. Përgjigjia e tij ka qenë se pjesëmarrja në ngjarje të tilla nuk është një shenjë e mbështetjes së vërtetë për grupet e margjinalizuara.

“Nuk e di pse nuk kam shkuar atëherë ose ku kam qenë gjatë asaj kohe,” ka deklaruar Kurti për RTV Dukagjini.

 “Por, shikoni, unë jam më shumë për të drejtat e njeriut dhe pakicat sesa vetë për simbolikën e pjesëmarrjes në paradë, e cila nuk e kompenson dot faktin që të kemi politikat e duhura. Ka shumë njerëz që marrin pjesë në këto ngjarje, por pastaj shikoni se çfarë bëjnë më pas. “

Në intervistën e tij për KALLXO.com, kandidati për deputet nga kjo parti, Hekuran Murati, pranoi se çështja e martesave mes gjinisë së njëjtë është përgjegjësi e qeverisë për të kodifikuar dhe mbrojtur atë. 

“Të drejtat e njeriut duhet të garantohen nga shteti,” tha ai.

 

LDK

Ekziston një ndarje midis anëtarëve të LDK-së në mbështetje ose kundërshtim të martesës mes gjinisë së njëjtë . 

LDK është parti  e njohur për proklamim të vlerave tradicionale familjare.

Megjithatë, mosha e kandidatëve të intervistuar zbuloi një ndarje në mendimin e tyre, me kandidatë më të rinj në mbështetje të barazisë në martesë dhe me kandidatë më të vjetër që në përgjithësi ishin kundër.

Kandidatët e LDK-së që janë shprehur në favor të martesës mes gjinisë së njëjtë, kanë tendencë ta klasifikojnë martesën si një zgjedhje personale ose individuale. 

Befasia e shprehur nga shumë prej këtyre politikanëve kur përballeshin me këtë pyetje gjatë intervistës si dhe shumë të tjerë në LDK që shpreheshin se martesa mes gjinisë së njëjtë është diçka private, zbulon se të drejtat e komunitetit LGBTI nuk janë një “çështje tematike’ për të cilën politikanët duhet të kenë një qëndrim në Kosovë, duke i vendosur nevojat e komunitetit jashtë sferës politike të përgjegjësisë.

Në një intervistë televizive, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, deklaroi se gjatë 20 viteve të fundit kishte çështje tjera më të mëdha për t’u marrë.

Ajo, megjithatë tha se ajo do të dëshironte që Gjykata Kushtetuese t’i sqaronte të gjitha dilemat dhe se ajo do t’i përmbahej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht rezultatit.

 

AAK-PSD

Përderisa shumica e kandidatëve nga koalicioni AAK-PSD që ishin në favor të martesave mes të njëjtës gjini, i refeeroheshin ligjit, një pakicë prej tyre folën për mbështetjen e tyre për barazi më të gjerë sociale. Të tillë ishin Fatos Axhemi dhe ish kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, të cilët deklaruan se “të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe njerëzit e kësaj kategorie duhet të respektohen”.

Burim Ramadani, kandidat për deputet nga AAK, ishte i vetmi kandidat që mbështetjen për komunitetin LGBTI e përmendi ende pa u pyetur për këtë temë.

Të intervistuarit nga koalicioni AAK-PSD të cilet u deklaruan kundër martesave mes të njëjtës gjini nuk ofruan arsyetimin e tyre për një deklarim të tillë.

Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, publikisht ka përdorur gjuhë homofobike gjatë një takimi në Kuvendin e Kosovës në lidhje me marrëveshjen për demarkimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi,  në shtatorin e vitit 2015.

 

NISMA-AKR-PD

Koalicioni trepartiakësh i NISMA-AKR-PD duket se janë të ndarë për këtë çështje. 

Katër nga pesë kandidatët e intervistuar nga Aleanca Kosova e Re, AKR, e udhëhequr nga Ministri në largim i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ishin në favor, ndërsa NISMA u nda në mënyrë më të barabartë me pesë kandidatë për, tre kundër dhe një prej tyre që abstenoi.

 Të dy përfaqësuesit e Partisë së Drejtësisë, PD, u deklaruan kundër martesës mes të njëjtës gjini.

Ndarja e opinionit për martesat e së njëtës gjini pasqyron një konflikt më të gjerë të ideologjive brenda koalicionit, me NISMA-n e vetëidentifikuar si një parti socialdemokrate, AKR duke e përcaktuar veten e tyre brenda një kornize neoliberale, dhe Partia e Drejtësisë duke e përshkruar vetën e saj me vlera më konservatore djathtiste.

Gjatë një debati me BIRN, ditën e dielë, kreu i NISMA-s dhe kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Fatmir Limaj, u pyet nëse ai do të marrë pjesë në paradën e krenarisë së komunitetit LGBTI në të ardhmën në Kosovë. 

“Nuk e di nëse do të jem këtu, por për mua, të gjithë duhet të kenë të drejtën e vullnetit të lirë. Ajo që është më e rëndësishmja është që njerëzit duhet të kenë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe një kryeministër nuk duhet të vendosë nëse kjo duhet apo nuk duhet të ndodhë. “

 

PLE dhe NDK

Të katër kandidatët për deputetë nga  komuniteti egjiptian ishin në favor të  martesës mes gjinisë së njëjtë.

Kandidatët e intervistuar ishin anëtarë të dy partive, Partia Liberale Egjiptiane dhe Inciativa e Re Demokratike e Kosovës. 

Albert Kinolli nga Partia e Bashkuar Rome gjithashtu shprehu mbështetjen e tij në lidhje me këtë temë.

Veton Berisha, ish deputet nga Partia Liberale Egjiptiane pranoi se për këtë temë ka rezistencë nga grupet fetare por gjithashtu deklaroi se personalisht nuk është kundër.

“Koncepti im liberal, normalisht që e lejon dhe e mbron… dhe unë jetoj me konceptin e njerëzve të lirë, e kam edhe pjesën fetare gjë që është në kundërshtim (me martesën mes gjinisë së njëjtë). Mendoj që Zoti ka thënë që njerëzit duhet të jetojnë të lirë”, tha Berisha.

PDK

Nga 12 kandidatët që garojnë nga PDK-ja , shtatë ishin kundër martesës të së njëjtës gjini dhe dy nuk pranuan të deklarohen fare.

 Kandidati Fadil Nura i ceku arsyetimet fetare për kundërshtimin e tij, por tha se kjo çështje ka nevojë për “një vlerësim”.

“Unë jam kundër kësaj lloj martese në parim, por kjo varet sepse ka nevojë për një vlerësim. Ne jemi 90 përqind myslimanë, dhe në aspektin fetar, kjo kundërshtohet fuqimisht nga të gjitha fetë dhe jo vetëm Islami. Por në parim, unë jam kundër”, tha ai.

Nga të intervistuarit, ish- Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi dhe Donjet Sadiku, dy politikanë që konsiderohen si pjesë e “gjeneratës së re” të PDK-së, ishin kundër martesave të së njëjtës gjini apo nuk pranuan të komentojnë mbi çështjen.

Në një rast të rrallë ku lideri i PDK-së Kadri Veseli përmendi të drejtat e komunitetit LGBTI në 2015 gjatë një takimi me Randy Berry, i Dërguar Special për të Drejtat e Njeriut nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

 “Ne kemi kushtetutën më liberale në rajon, si dhe një traditë të fortë të tolerancës kulturore në mënyra të ndryshme të jetës, dhe kjo na lejon të jemi më efektivë kundër paragjykimeve dhe stereotipeve me të cilat përballen anëtarët e komunitetit LGBTI”, kishte thënë Veseli.

Nga ana tjetër, përgjimet e telefonatave nga gushti i vitit 2016 haptazi e shpërfaqin liderin e PDK-së duke përdorur gjuhë homofobike duke iu referuar kundërshtarëve të tij politikë.

Të anketuarit e tjerë

Përderisa kandidatët nga partitë që përfaqësojnë komunitetin egjiptian dhe rom të gjithë dhanë mbështetjen e tyre për martesa mes të njëjtës gjini, shumica e atyre që përfaqësojnë pakicat e tjera etnike ishin kundër.

Tre nga katër kandidatët e intervistuar nga koalicioni serb ‘Sloboda’ deklaruan se ishin kundër martesave mes të njëjtës gjini, me përjashtim të Rada Trajkoviçit, e cila deklaroi se “Liria i takon njerëzve. Lërini ata ta bëjnë zgjedhjen e tyre vetë “.

Nga shtatë kandidatët e intervistuar nga dy parti që përfaqësojnë komunitetin ashkali, secili ishte kundër martesave mes të njëtës gjini.

Dy kandidatë u arsyetuan duke e cituar aspektin fetar. Tre nga katër kandidatët nga komuniteti boshnjak ishin gjithashtu kundër.

Të dy kandidatët e intervistuar nga partia fetare konservatore, Fjala, ishin hapur homofobikë në përgjigjet e tyre. 

Avni Çakmaku deklaroi se ai kurrë nuk do t’i mbështesë njerëzit e komunitetit  LGBTI si një kategori e diskriminuar sepse “ata kanë nevojë për ndihmë mjekësore, sesa për mbështetje institucionale”, ndërsa Xhevdet Maloku deklaroi se ai është “kundër çdo sëmundjeje që rrezikon Kosovën”.

Rrugë e gjatë drejt barazisë për martesat mes gjinisë së njëjtë

12 muajt e fundit janë karakterizuar me batica dhe zbatica në avancimin e procesit të të drejtave të komunitetit LGBTI në Kosovë, me shumë pengesa për barazi për individët e LGBTI-së jashtë pranimit politik të martesave mes të njëjtës gjini.

Në prill, ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës bënë të mundur shtimin e masave mbrojtëse për anëtarët e komunitetit LGBTI, duke kriminalizuar gjuhën e urrejtjes dhe krimet e kryera me motiv urrejtjeje që kanë si shënjestër identitetin gjinor ose orientimin seksual të një personi.

Sidoqoftë, një nga pengesat më domethënëse ishte ajo e nëntorit 2018, kur dëshmitarët u ishin nënshtruar abuzimeve verbale homofobike nga ana e pesë zyrtarë policorë  gjatë marrjes në pyetje dhe kishin dështuar në hetimin adekuat të rastit në fjalë.  

Përballë incidenteve të shumta homofobike, me qëndrime shoqërore të përhapura  kundër komunitetit LGBTI dhe mungesës së mbështetjes vokale për komunitetin, të drejtat e komunitetit LGBTI rrallë herë janë inkuadruar si çështje e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ekspertët ia kanë atribuar këtë mungesës së mbështetjes së zëshme në drejtim të të drejtave LGBTI në të gjithë spektrin politik të Kosovës..”

Në vendet si Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke, rezistenca ndaj pikëpamjeve politike homofobike ishte vendimtare në krijimin e të drejtave të komunitetit LGBTI si një çështje e zbatueshme e të drejtave të njeriut.

Kosova do të zhvillojë paradën e tretë vjetore të krenarisë LGBTI të enjten e ardhshme, 10 tetor, me ngjarje të organizuara në të gjithë Prishtinën deri në ditën e paradës.

 Për më shumë informacion mbi këto ngjarje, vizitoni Qendrën për Liri dhe Barazi, CEL, faqen në Facebook.

 

Shënim: Artikulli është përkthyer nga PrishtinaInsight  dhe pas publikimit të artikullit janë intervistuar edhe kandidatë të tjerë për deputetë duke kaluar numrin 100.