Foto: REL/AFP
Rrugëtimi burokratik për njohjen e përcaktimit gjinor
17 maji shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë.
Dita ndërkombëtare e gjen Kosovën me avancime në drejtim të tolerancës përderisa rritja e urrejtjes në rrjetet sociale rrezikon të nxisë frymën radikale jo-tolerante.
Parada të krenarisë dhe aktivitete të shumta të cilat organizohen për të rritur vetëdijen e shoqërisë për tolerancën mbledhin rreth vetes shumë politikanë e figura publike por dukja nga jashtë tregon diçka të fshehur.
Disa dhjetëra kandidatë për deputetë të intervistuar gjatë vitit të kaluar me gjysmë goje kishin thënë se janë pro martesave në mes gjinive të njëjta ndërsa dhjetëra të tjerë kishin thënë se janë edhe kundër.
Niveli politik i lidhur me administratën shtetërore ndikon që barrierat të jenë në çdo hap.
Në nivelin administrativ, Blert Morina nuk kishte arritur ta marrë të drejtën për të ndryshuar emrin dhe shenjën identifikuese të gjinisë në letërnjoftimin e tij.
Kërkesat e tij para administratës ishin refuzuar ndërsa Blerti u obligua të nisë një betejë ligjore në gjykatë e cila pas dy vjetësh konstatoi të drejtën e tij për ta ndryshuar emrin e gjininë në letërnjoftimin e tij.
Rrugëtimin për ndërrim të emrit dhe gjinisë, Blerti fillimisht e nisi më 4 prill 2018, përmes një kërkese që bëri në Zyrën e Gjendjes Civile në qytetin e tij të lindjes në Gjakovë.
Por Komisioni për verifikimin e kërkesave në Zyrën e Gjendjes Civile, pa vonuar shumë, pas një muaji i ktheu përgjigje Blertit, ndonëse nuk ishte përgjigja të cilën Blerti e priste.
Në bazë të vendimit të Zyrës së Gjendjes Civile në Gjakovë, Blertit i ishte refuzuar kërkesa për ndërrim të emrit nga Blerta në Blert, dhe të shënjuesit të gjinisë nga Femër në Mashkull.
Ndonëse kërkesa ishte bazuar në Udhëzimin Administrativ që përcakton kushtet dhe procedurat e ndërrimit dhe korrigjimit të emrit personal, komisioni kishte gjetur se kërkesa ishte e pa bazuar, pasi që sipas tyre kërkesa nuk i ka plotësuar konditat dhe kriteret e parapara me Udhëzimin Administrativ për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe Korrigjimit të Emrit Personal, me arsyetimin se emri nuk e pengon aplikuesin për tu integruar në shoqëri.
Por edhe përkundër refuzimit që iu bë nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë, Blerti nuk u zmbraps në kërkim të realizimit të së drejtës së tij, për tu identifikuar ashtu siç ndjehej.
Tentativën e dytë Blerti e bëri në Agjencinë e Regjistrimit Civil, me ç ‘rast apeloi vendimin e Zyrës së Gjendjes Civile në Gjakovë, por Ministria e Punëve te Brendshme, Komisioni i Ankesave në Drejtorinë e Gjendjes Cilivile në Prishtinë e refuzoi një kërkesë të tillë, duke e lënë kështu në fuqi vendimin e Zyrës së Gjendjes Civile.
Përkundër refuzimit për të dytën herë radhazi, Blerti nuk u ndal, rrugëtimin e tij ai e vazhdoi në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetueses, Blerti iu drejtua në korrik të vitit 2018 me kërkesën për shqyrtim të kushtetutshmërisë së vendimit për refuzimin e kërkesës së tij. Por me 5 shtator 2019, Gjykata Kushtetuese e refuzoi një kërkesë të tillë, si të parakohshme, për shkak se nuk ishin shteruar të gjitha mjetet e tjera ligjore në dispozicion.
Në të njëjtën kohë me ankesën e drejtuar në Kushtetuese, Blerti parashtroi edhe padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Padia në Gjykatën e Prishtinës, ishte si duket stacioni i fundit i endjeve poshtë e lartë nëpër institucione e refuzimit për të realizuar të drejtën e tij të privatësisë dhe njohjes së identitetit gjinor.
Me 24 tetor 2019, Gjykata e Prishtinës shpalli aktgjykimin me anë të të cilit e aprovoi pjesërisht kërkesë padinë e Blertit në pjesën e kërkesës për ndërrim të emrit dhe gjinisë në dokumentet e identifikimit, ndërsa pjesën e kërkesës për njohjen e kompensimit të dëmit, për shkelje të së drejtës në jetë private, të drejtës për trajtim të barabartë dhe të drejtës për pacenueshmëri të dinjitetit njerëzor, Gjykata e Prishtinës e hodhi poshtë me arsyetimin se ushtruesi i padisë nuk ka propozuar ekspertizë për vlerësimin e dëmit të shkaktuar e as nuk e ka vlerësuar dëmin e shkaktuar në mënyrë që Gjykata të kishte mundësi ta vlerësonte këtë dëm.
Me anë të këtij aktgjykimi, Gjykata e Prishtinës në afat prej 15 ditësh e detyroi Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme të Komunës së Gjakovës, që paditësit t’i bëjë korrigjimin e emrit personal, nga Blerta në Blert dhe ndërrimin e shënjuesit të gjinisë nga femër (F), në mashkull (M). Këto korrigjime Gjykata ka kërkuar që të evidentohen në Regjistrin Themeltar dhe Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile si dhe në tërë përbërësit e tjerë të gjendjes civile.
Gjykata e Prishtinës me rastin e shqyrtimit të kërkesë padisë së paditësit përgjithësisht i është referuar Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Emrin Personal si dhe Ligjit për Barazi Gjinore.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës është e përcaktuar se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm si dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, përcakton neni 23 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në Kushtetutë neni 24 përcakton se çdo kush është i barabartë para ligjit dhe se çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore pa diskriminim, e që askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, orientimit seksual ose ndonjë tjetër.
Duke u bazuar në këto dispozita si dhe në Ligjin për Emrin Personal, Gjykata e Prishtinas ka vlerësuar se qytetari i moshës madhore mund të ndërroj emrin personal në bazë të kërkesës së tij.
Në marrjen e këtij vendimi Gjykata ju referua edhe Ligjit për Barazi Gjinore, sipas të cilit thuhet se statusi mashkull përfshin çdo person që e konsideron veten si të tillë pavarësisht moshës dhe statusit martesor.
Po sipas këtij ligji dhe sipas interpretimit të Gjykatës, thuhet se gjinia nënkupton role të krijuara shoqërore të cilat i atribuohen femrave dhe meshkujve, që është identitet i fituar që mësohet, pëson ndryshime me kalimin e kohës dhe ndryshon përgjithësisht brenda dhe ndërmjet kulturave.
Sipas nenit 1.9 të Ligjit për Barazi Gjinore në të cilën pikë po ashtu u bazua Gjykata gjatë marrjes së këtij vendimi, thuhet se identiteti gjinor është karakteristikë e mbrojtur që mbulon identitetin që ka të bëjë me gjininë e një personi dukjen apo karakteristikat tjera që lidhen me gjininë e një personi, dukjen apo karakteristikat e tjera që lidhen me gjininë e një personi (qoftë përmes ndërhyrjeve kirurgjike apo jo), duke mos marrë parasysh seksin që personi e ka pasur në lindje.
Prandaj sipas Gjykatës së Prishtinës në rastin e refuzimit të kërkesës për ndërrimin e emrit dhe të shënjuesit të gjinisë nga femër në mashkull, bëhet cenim i të drejtës për privatësi siç është e paraparë me Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut e po ashtu edhe me Kushtetutën e Kosovës.
Madje sipas Gjykatës së Prishtinës, praktika e GjEDNj-së parasheh se koncepti i të drejtës në jetë private është term i gjerë dhe nuk mund të kapet në një përkufizim të ngushtë, pasi që përfshinë integritetin fizik dhe psikik të një personi dhe ndonjëherë mund të përfshijë edhe aspekte të identitetit fizik dhe social, elemente të tilla si për shembull, identiteti gjinor, emri, orientimi seksual dhe jeta seksuale, aspekte këto të cilat hyjnë brenda sferës personale.
Kështu që, Gjykata e Prishtinës ka vlerësuar se me refuzimin e kërkesës për ndërrim të emrit dhe gjinisë, Zyra për Gjendje Civile në Gjakovë si dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, kur kanë kërkuar raporte mjekësore për ndryshimin e përbërësit të gjendjes civile, kanë ardhur në përfundime të gabuara, pasi që një kërkesë të tillë Gjykata e Prishtinës e ka vlerësuar si shkelje të jetës private të përcaktuar edhe me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Prishtinës, ARC me këtë rast ka shpërfillur edhe dispozitat e ligjit për barazi gjinore, në bazë të të cilit thuhet se gjinia mashkullore përcaktohet si “çdo person që e konsideron vetën të tillë pavarësisht moshës dhe statusit martesor”.
Gjykata ka vlerësuar se me refuzimin e ankesës nga ARC, Blertit i është shkelur e drejta në privatësi, e drejta në pacenueshmëri të identitetit njerëzor si dhe e drejta për trajtim të barabartë.
Në fund të muajit janar të vitit 2020, Blerti më në fund realizoi të drejtën e tij për tu pajisur me dokumentin e tij të ri të identifikimit, tashmë edhe zyrtarisht me emër Blert dhe gjini mashkullore.
Përfaqësimi ligjor
Mbështetësja kryesore e Blertit në rrugën ligjore drejtë realizimit të së drejtës së tij, ka qenë avokatja nga Prishtina, Rina Kika.
Avokatja Kika është shprehur mjaftë e kënaqur me efikasitetin e trajtimit të rastit nga Gjykata e Prishtinës.
“Gjykata ka vendosur t’ia njohë të drejtën në njohjen ligjore të identitetit gjinor të Blertit dhe padinë e ka trajtuar shumë shpejtë, andaj konsiderojmë se e ka trajtuar me efikasitet rastin e Blert Morinës. Në krahasim me atë se sa zgjasin proceset gjyqësore zakonisht në procedurën e konfliktit administrativ, rasti është trajtuar nga gjykata brenda një kohe shumë të shkurtër. Ne i kemi dërguar 6 kërkesa për përshpejtim të procedurës, duke nënvijëzuar urgjencën e rastit dhe rëndësinë që të trajtohet sa më herët. Kjo dhe inicimi i rastit të njëjtë edhe para Gjykatës Kushtetuese, kanë ndikuar në trajtimin e rastit në procedurë të përshpejtuar”, ka thënë për KALLXO.com, avokatja Rina Kika.
Me aprovimin e padisë së Blertit, avokatja Rina thekson se Gjykatat vendore i kanë respektuar ligjet në fuqi dhe në këtë mënyrë kanë mbrojtur të drejtat e personave transgjinor.
“Gjykata Themelore në Prishtinë tashmë i ka vendosur dy raste për njohjen ligjore të identitetit gjinor, në të cilat ka vendosur në favor të paditësve transgjinor. Po ashtu, edhe Gjykata Kushtetuese, megjithatë në rastin e Blert Morinës e ka hedhur poshtë kërkesën si të parakohshme, në aktvendimin për papranueshmëri prej 50 faqeve, ka dhënë kontribut të vlefshëm për gjykatat e rregullta në trajtimin e kërkesave të personave transgjinor për njohjen ligjore të identitetit të tyre gjinor. Prandaj vlerësoj se gjykatat kanë vepruar sipas ligjit dhe në mbrojtje të të drejtave të personave transgjinor në këto raste”, ka deklaruar Kika.
Refuzimin e kërkesës për kompensimin e dëmit jo material, avokatja Kika e ka cilësuar si jo të kënaqshme, për faktin se sipas saj, me rastin e evidentimit të shkeljes së një të drejte, qytetarit i takon kompensimi, ndërsa sa i përket apelimit të vendimit lidhur me këtë pjesë, ajo ka theksuar se nuk kanë bërë ankesë pasi që nuk kanë dashur që procedura të stërzgjatej më tej.
“Ne nuk jemi ndarë të kënaqur me këtë pjesë të vendimit, pasi që kur gjykata ka konstaton se është shkelur një e drejtë nga shteti, qytetarëve të Kosovës i takon të kompensohen për atë shkelje, edhe pa paraqitur raport mjekësor. Sidoqoftë, kemi vendosur të mos paraqesim ankesë ndaj aktgjykimit pasi që me paraqitjen e ankesës do të mund të stërzgjatej procedura gjyqësore, duke ia imponuar Blertit ta vazhdojë përdorimin e një dokumenti të identifikimit që nuk përputhet me identitetin e tij gjinor për një kohë të pacaktuar”, deklaroi për KALLXO.com avokatja.
Lidhur me koston financiare që mund të ketë përfaqësimi i një rasti të tillë në Gjykatë, avokatja Kika ka deklaruar se rastin e ka përfaqësuar në mënyrë vullnetare, duke qenë se është avokate e cila është e përcaktuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, këtë rast tha se e ka nisur si përpjekje për ndryshim të vetëdijes së përgjithshme shoqërore lidhur me trajtimin e rasteve të ngjashme.
“Me Blertin e kam ndarë bankën në shkollë të mesme. Jemi takuar pas shumë vitesh kur ai kishte dalë haptas si transgjinor. Pasi që ai është aktivist për të drejtat e njeriut, e unë angazhohem si avokate për të drejtat e njeriut, këtë rast e kemi filluar si rast të gjyqësisë strategjike për të drejtat e njeriut (strategic litigation in human rights). Pra, e kemi filluar si rast përmes të cilit sfidohet sistemi i drejtësisë, dhe bëhet një përpjekje e ngritjes së vetëdijes shoqërore për një çështje të mbrojtjes së të drejtave të një komuniteti të margjinalizuar. Përfaqësimin në këtë rast e kam bërë pa pagesë”, është shprehur avokatja Kika.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me disa avokat të tjerë të Odës së Avokatëve të Kosovës të cilët janë testuar nëse edhe ata kanë vullnet të njëjtë në përfaqësimin e rasteve të tilla.
Të gjithë avokatët me të cilët kemi bashkëbiseduar janë shprehur pro përfaqësimit të një rastit të tillë.
“Çdo kush ka të drejtë me vendos për vetveten për trupin e vetë, jetën se si do me jetu ai. Gjithçka që me ligj nuk ndalohet atëherë është e lejueshme. Në aspektin ligjor të drejtësisë nuk përtoj të ja bëj mbrojtjen, e çka mendoj unë është diçka tjetër. Personalisht ndoshta kam një mendim të kundërt, por të drejtat ja mbroj”, është shprehur një avokat nga Prishtina.
“Absolutisht po, kjo është e drejtë e tyre. Vetëm sa merremi vesh në bazë të kontratës. I kemi parasysh dhe konventat evropiane. Nuk kemi rezerva në këtë aspekt”, deklaroi një avokat tjetër nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Përballja me drejtësinë
Blert Morina i cili tashmë ka fituar betejën ligjore ka pasur fatin që rasti i tij të përfaqësohet vullnetarisht nga avokatja Rina Kika, sipas tij në një vend si Kosova nëse rasti përfundon në Gjykatë, kostoja financiare mund të jetë e pa përballueshme nga palët.
“Sigurisht që angazhimi i avokatit/ës për një vend si Kosova kur dihen në përgjithësi si janë të ardhurat financiare, e që rëndohet edhe më shumë kjo situate për personat të cilët nuk janë të punësuar atëherë kostoja mundet të jetë edhe e papërballueshme. Në rastin tim ka qenë shumë e lehtë, unë ende pa nisur këtë rrugëtim fillimisht jam konsultuar me avokaten Rina sepse kam pas fatin ta njohë qysh nga shkolla e mesme madje mund të them që ka qenë vendim i përbashkët, prandaj procedura për me gjete avokate i/e cila e merr përsipër rastin por ma e rëndësishmja e cila e kupton kontekstin tonë, për mua ka qen e lehtë për arsyet e lartpërmendura”, është shprehur Blert Morina.
Morina ka folur edhe për dëmin emocional i cili ka thënë se i është shkaktuar me rastin procedimit të rastit në Gjykatë, për shkak të refuzimit të kërkesës fillestare për ndërrim të emrit dhe gjinisë, dëm për të cilin tha se është i pa kompensueshëm.
“Definitivisht mendoj që dëmi emocional është ai i cili nuk mund të kompensohet, e në raste të ndjeshme si ky, ka qenë mjaft i lartë. Në shoqërinë tonë, duke ditur që reagimi në përgjithësi nuk është shumë i mirë, gjykatat por edhe tjera institucione paraprake duhen me ju referu ligjeve ose me i përditësu ligjet me praktikat më të mira. Siç e thash demi psikologjik e emocional ka qenë shumë i shtuar gjatë periudhës sa ka qenë rasti në proces. Pjesa financiare nuk ka qenë problematike sepse avokatja e ka përfaqësu rastin pa pagesë”, ka deklaruar Morina.
Blerti shtoi se përpos rastit të tij, ka edhe persona të tjerë të cilët dëshirojnë të kërkojnë realizimin e të drejtës së tyre për ndryshim të emrit dhe shënjuesit të gjinisë.
Për këtë gjë, ai tregoi se momentalisht organizatat për të drejtat e personave LGBTI janë duke punuar që të mos jetë e nevojshme që për njohjen e kësaj të drejtë, çdo personi t’i duhet të kaloj nëpër dyert e Gjykatave, por tashmë një gjë e tillë të njëjtëve tu njihet automatikisht.
“Është absurde nëse kemi një vendim nga gjykata e cila dikujt ja ka mundësuar dhe ja ka njohur këtë të drejtë të mos jetë e aplikueshme automatikisht për të gjitha rastet, por të detyrohen personat transgjinor të kalojnë nëpër një proces, proces i cili kërkon shumë energji dhe që definitivisht është proces i cili mundet me i rreziku personat transgjinor duke i bërë cak i gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve”, tha Morina.
Personat e tjerë të cilët planifikojnë ti hyjnë kësaj rruge për realizimin e të drejtës së tyre për tu identifikuar ashtu siç ndjehen, Blerti i porositi që paraprakisht të përgatiten emocionalisht pasi që tha se mund t’i pres një rrugë e gjatë e mjaftë e mundimshme.
“Këshilla e vetme është që të përgatitën emocionalisht sepse nuk është proces i lehtë. Rasti im ka mund të jetë më ndryshe për shkak të vëmendjes mediatike, mirëpo kjo s’do të thotë që më patjetër ky proces përfundohet pas 2 viteve, mund të jetë shumë më gjatë”, tha për fund Blert Morina.
Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e medieve dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE-së, K2.0, CEL apo QKSGJ.