Marsh në mbështetje të komunitetit LGBT në Prishtinë. Foto: CEL

Më 10 Tetor Mbahet Parada e Parë e Krenarisë në Kosovë

Të martën e ardhshme, në Prishtinë, nga komuniteti LGBT dhe përkrahësit do të organizohet Parada e parë e Krenarisë në Kosovë.

Paradës do t’i paraprijnë aktivitete të Javës së Krenarisë që do të zhvillohen mes datave 6 e 9 tetor.

Sipas organizatorëve, Parada e Krenarisë do të fillojë në ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Pas përfundimit të Paradës do të mbahet një fjalim në lidhje me ngjarjen dhe do të përfundojë me një koncert të shkurtë.

Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është: “Në emër të Dashnisë“.

Kjo moto, sipas organizatorëve të ngjarjes, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët për të treguar që komuniteti LGBTI ashtu si edhe gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin.

Organizatorë janë Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra për Liri dhe Barazi (CEL), në bashkëpunim me disa organizata të tjera.

Ata ftojnë institucionet relevante që të angazhohen më shumë në zbatimin e ligjeve, strategjive të parandalimit të dhunës ndaj komunitetit LGBTI dhe ofrimin e shërbimeve në mbrojtjen dhe mirëqenien e viktimave.

Në studimin e kryer nga National Democratic Institute- NDI “Hulumtimi i mendimit publik për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor”, Kosova del të jetë vendi më homofobik në rajon, ku personat e këtij komuniteti janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës.

Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkëngjiten në Paradën e Krenarisë “që kjo kauzë të bëhet më e zëshme, në mënyrë që shoqëria jonë të jetë më tolerante dhe pranuese ndaj diversitetit dhe dashnisë”.

Deri më tani, në Kosovë janë organizuar tre marshe në përkrahje të komunitetit LGBT.

Këto aktivitete janë përkrahur edhe nga institucionet e Kosovës.

Në njërin prej tyre ka marrë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi.