Rasti “Kiçina” Megjithatë Debatohet Nga Deputetët

Me kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Ramiz Lladrovci, rasti i njohur si “ Kiçina” do të diskutohet në seancën e së premtes më 15 mars në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi u mor në takimin e Kryesisë së Kuvendit, të hënën.

Për herë të parë, deputeti  Ramiz Lladrovici më 3 dhjetor të vitit 2012 kishte propozuar që ta fusë në rend të ditës diskutimin e rastit Kiçina. Por dy javë më vonë, më 17 dhjetor, pak orë para se të mbahej mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ai kërkoi  shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së tij.

“Përmbajtja e rastit e Kiçina ka rreth 4,000 faqe dhe më duhet kohë ta analizoj tërë atë”, i pat thënë Lladrovci Gazetës Jeta në Kosovë. 

Sipas Lladrovcit, procesi gjyqësor në rastin “Kiçina” është zhvilluar në mungesë të argumenteve faktike, ka kaluar nëpër instanca gjyqësore në bazë të rrethanave fiktive dhe, sipas tij, në të janë shkelur të drejtat kushtetuese të akuzuarve.

Por kundër diskutimit të procesit gjyqësor ne parlamentin e Kosovës kishte dalë Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Zyra e Bashkimit Europian në vend.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës të përmbahet nga veprimet të cilat mund të interpretohen si tentim për të ndikuar, ose për të kthyer ndonjë vendim gjyqësor.

“Duhet të ekzistojë një ndarje e qartë ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ”, kishte thënë Fjolla  Çeku, zyrtare informimi e BE-së,  e pyetur nëse parlamenti duhet të diskutojë për rastin gjyqësor  “Kiçina”.  

Familja pesëanëtarëshe e Hamëz Hajrës ishte vrarë në veturë nga një breshëri e armëve automatike, në gusht 2001. Gjykatat e të gjitha instancave – që nga viti 2003 deri në vitin 2012 – kanë gjeturë fajtor Burim e Arsim Ramadanin dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçinën për këtë vrasje.

Propozimi i Ramiz Lladrovcit dërguar në Kryesi ka marrë mbështetjen e 85 deputeteve nga: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Koalicioni për Kosovë të Re, Lëvizja për Bashkim dhe Partia e Pavarur Liberale.