Raporti për Reformën Zgjedhore në Kuvend

Në seancën e ardhshme parlamentare e cila do të mbahet të enjten, ish-kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Haki Demolli do të raportojë para deputetëve të Kuvendit, për punën e këtij komisioni.

Këtë e tha para gazetarëve kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën.

Ai tha se në bazë të raportit të këtij komisioni dhe nga debati që do të zhvillohet në kuvend, më së miri do të shihet se cili do të jetë fati i kësaj reforme dhe a do të shkohet në zgjedhje me reformë apo pa reformë.

“Komisionit në fakt i është dashur shumë kohë për të kryer  detyrën e vet dhe të raportojë në kuvend”, tha Krasniqi.

Sa i përket ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për vendet e rezervuara për komunitetet dhe për futjen e minoritetit kroat dhe të atij malazez,  Krasniqi tha se kushtetuta mund të ndryshohet në bazë të proceduarave të përcaktuara.

Sipas nenit 4, paragrafit 2 të Kushtetutës së Kosovës, çdo ndryshim kushtetues kërkon miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës.

Ismet Beqiri nga Grupi Parlamentar i LDK-se tha se kryetari i Komisionit për Reformë Zgjedhore  e ka për detyrë që atë raport ta sjellë në kuvend, e pastaj deputetët të marrin një vendim për t’u hyrë procedurave të ndryshimeve dhe mandatimit të komisionit për legjislacion.

Beqiri, tha se partia e tij është kundër ndryshimit të kushtetutës.

“Ne nuk pranojmë të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ndryshimi i kushtetutës është procedurë e veçantë. Votat e deputetëve të LDK-së nuk do të jepen për të ndryshuar kushtetuta”, tha ai.

Ai tha se megjithë kundërshtimin e ndryshimit të kushtetutës për vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet, LDK-ja nuk është kundër minoriteteve.

“Ne jemi që të gjitha komunitetet të kenë të drejtat e tyre,  por kërkohet procedurë dhe kohë për ndryshimin e kushtetutës dhe ne jemi kundër”, shtoi Beqiri.

Edhe Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje tha se janë për ndryshim të kushtetutës, por jo ashtu siç e kërkon kryeministri.

 “Shumicës në Kosovë i është bërë e padrejtë me kushtetutën aktuale dhe me planin e Ahtisarit dhe kjo padrejtësi në vend se të korrigjohet,  ka tendenca të vazhdohet më tutje dhe të përjetësohet, në mënyrë që Kosova të mos mund të funksionojë si shtet normal”, tha Ymeri.

Ai tha se qytetarët e Kosovës duhet të jenë të barabartë para ligjit, e jo dikush të privilegjohet.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, tha se partia e tij është që së pari të ndodhë reforma.

“PDK-ja e ka thënë qartë se së pari duhet të përfundojë reforma zgjedhore të përgatitet ligji, e pastaj të diskutojmë për përcaktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Grabovci.

Sa i përket ndryshimit të kushtetutës për futjen e dy minoriteteve tjera, atij kroat dhe malazez, Grabovci tha se Kushtetuta nuk është diçka statike dhe e pandryshueshme.

Ai tha se  është e kuptueshme se me kërkesat dhe me nevojat e qytetarëve  të Kosovës kur ka nevojë dhe vlerësohet se është në dobi të qytetarëve të Kosovës, normalisht se duhet të ketë ndërhyrje në Kushtetutë.

“PDK-ja është për të respektuar të gjitha të drejtat e minoriteteve në Republikës e Kosovës dhe ata të ndihen sa më mirë në shtëpinë e tyre, në shtetin e Kosovës”, tha Grabovci.

Komisioni që më shumë se një vit nuk është takuar

Komisioni për Reformën Zgjedhore është themeluar me 22 prill të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës, kurse udhëheqës i këtij komisioni ishte zgjedhur Haki Demolli, deputet i LDK-së.

Krijimi i këtij komisioni është bërë si rezultat i marrëveshjes politike të 6 prillit të të njëjtit vit, të nënshkruar nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli.

Me këtë marrëveshje të tre liderët ishin pajtuar rreth afateve kohore për ndryshimet në Ligjin zgjedhor, ndryshimet kushtetuese, mbajtjen e zgjedhjeve për president dhe atyre të përgjithshme.

Për të përfunduar reformën zgjedhore, anëtarëve të komisionit u ishte dhënë një afat prej 8 deri në 12 muaj për t’i bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që t’i hapte rrugë organizimit të zgjedhjeve parlamentare më së voni pas 18 muajve.

Me 28 gusht 2012, Lidhja Demokratike e Kosovës tërhiqet nga Komisioni për Reformën Zgjedhore në shenjë pakënaqësie me mosrespektimin e marrëveshjes ndërmjet liderëve politikë për ndryshimet kushtetuese dhe mandatin e presidentes aktuale Jahjaga, e cila sipas marrëveshjes së lartpërmendur ishte paraparë të mbante këtë post vetëm për një vit.

Që atëherë ky komision nuk ka qenë më funksional dhe nuk është takuar më.