Qeveria Kurti në Kuvend me 3 shkurt 2020, Foto: Albin Kurti/Twitter

Qeveria Kurti sot pritet të sfidohet me votë mosbesimi

Pas një vrulli të reagimeve, me gjendjen nën masa kufizuese për shkak të coronavirusit, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në ora 11:00 për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë, në ditën e 52-të të kësaj të fundit në pushtet.

Në sallën plenare të Kuvendit deputetët pritet të zënë vend në të gjitha hapësirat, përfshirë ato të mysafirëve e të mediave, në përpjekje për distancë sociale, si masë parandaluese ndaj virusit Covid – 19.

Përkundër presionit qytetar e ndërkombëtar që një gjë e tillë të mos ndodhë në këto rrethana, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur mëse e vendosur që ta çojë deri në fund qëllimin e saj për ta rrëzuar ekzekutivin në krye me Albin Kurtin, pjesë e së cilës është edhe vet, për më shumë se një muaj e gjysmë.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.

Mundësia për rrëzimin e qeverisë këtë të mërkurë është kundërshtuar ashpër nga shtetet mike të Kosovës, si Gjermania dhe Franca.

Paraprakisht, thirrje për unitet erdhën nga të gjitha vendet e Quintit.

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke kërkuar të sigurohet integriteti dhe funnksionaliteti i qeverisë dhe institucioneve të vendit.

Kurse, mbrëmjen e së dielës, Ministria e Jashtme e Francës dhe ajo e Gjermanisë dolën me një kërkesë të përbashkët që mocioni i mosbesimit i përgatitur nga LDK-ja të rishqyrtohet ose të shtyhet.

“Kujtojmë mbështetjen tonë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, do të thotë luftimin e korrupsionit dhe nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik. Ne jemi të gatshëm për të rritur mbështetjen tonë konkrete për Kosovën në këto zona”, thuhej mes tjerash në deklaratë.

Në anën tjetër, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, e ka përshëndetur mbajtjen e seancës për ta shqyrtuar mocionin.

Me këtë, sipas ambsadorit do të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

“I kënaqur të shoh që Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë nesër një seancë për votimin e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Siç i thashë sot kryeministrit, është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”, shkroi Kosnett në Twitter të martën.

Pas tërë këtyre reagimeve, vendosi të flas edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një adresim për strukturat udhëheqëse të partisë së tij.

Mustafa tha se nuk e ka partia e tij kohën e coronavirusit për mocionin, por sic është shprehur ai, këtë e ka bërë kryeministri Abin Kurti.

“LDK dhe Kryesia e saj nuk e ka zgjedhur kohën e Coronavirusit për të hapur këtë proces, por e zgjodhi Kryeministri Kurti me sjelljet dhe veprimet e tij arbitrare dhe me shkeljen e Marrëveshjes qeverisëse. Njerëzit e LDK-së pritet ta duan dhe ta respektojnë LDK-në. LDK nuk ka dy zgjidhje, Thaçin apo Kurtin, siç po shprehen disa. Por e kanë një zgjidhje. E kanë vetëm LDK-në dhe Kosovën”, thuhet mes tjerash në këtë adresim.

Por në një linjë me LDK-në nuk është shprehur nënkryetarja e kësaj partie, njëheresh kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Madje, të martën ajo u bëri thirrje të gjithë ligjvënësve që të mos e votojnë rrëzimin e qeverisë.

Ndërkohë partitë opozitare janë shprehur të gatshme t’i japin votë për, rrëzimit të ekzekutivit.

Për ta bërë një gjë të tillë, Kuvendi i Kosovës duhet të votojë me së paku 61 vota për.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019.

Këto zgjedhje të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.