Nga ora 20:00 protestohet nga ballkonet kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë

Organizata ‘Replikë’, ka ftuar qytetarët që nga ballkonet e tyre të protestojnë përsëri duke bërë zhurmë më mjete metalike kundër mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, i iniciuar nga LDK-ja dhe i përkrahur nga partitë opozitare.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet nga ora 20:00.

“Përkundër thirrjeve të qytetarëve dhe kërkesave tona, LDK-ja dhe partitë opozitare nuk po i përfillin këto kërkesa. Përkundrazi, vendosin për seancën për rënien e Qeverisë në kohë krize shëndetësore. Këto parti nuk janë duke i përfillur kërkesat e qytetarëve të Kosovës në rend të parë, Administratës të Parlamentit të Kosovës e cila ka konstatuar që salla e Kuvendit nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e seancës, dhe kërkesat e Ambasadës të SHBA-ve, Britanisë të madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë për unitet politik dhe qëndrueshmëri të institucioneve. Sonte në ora 20:00 po protestojmë kundër LDK-së dhe partive opozitare për mospërfilljen e këtyre kërkesave”, thuhet në njoftim e Replikës.

Kujtojmë se kjo organizatë për disa ditë ka organizuar protesta të llojit të njëjtë për të kundërshtuar situatën politike në vend në gjendje pandemie.

Nesër pritet që të mbahet seanca e Kuvendit për mocionin e mosbesimit të inicuar nga LDK.

Thirrje për ‘Protestë n’ballkon” kundër politikës në kohën e coronavirusit