Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Franca e Gjermania kërkojnë që mocioni ndaj Qeverisë Kurti të rishqyrtohet ose të shtyhet

Ministritë e Punëve të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë janë shprehur të shqetësuara me situatën politike në Kosovë, në kohën kur vendi po ballafaqohet edhe me coronavirusin.

Sipas tyre, Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe plotësisht funksionale për t’u marrë me këtë krizë, andaj kanë bërë thirrje që mocioni i mosbesimit i përgatitur nga LDK të rishqyrtohet ose shtyhet.

“Kujtojmë mbështetjen tonë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, do të thotë luftimin e korrupsionit dhe nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik. Ne jemi të gatshëm për të rritur mbështetjen tonë konkrete për Kosovën në këto zona”, thuhet në një komunikatë për media.

Kurse, sa i përket marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, Gjermania dhe Franca thonë se  presin që të dy palët të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të hequr pengesat për rifillimin e dialogut.

“Ne mirëpresim qëllimin e kryeministrit Kurti për të rifilluar dialogun me Serbinë dhe të përfshijë të gjithë aktorët në mënyrë që Kosova të flasë me një zë. Vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës në 20 Mars për të hequr tarifën 100% të lëndëve të para është një hap i parë i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ne presim që tarifat të pezullohen plotësisht nga 1 prilli dhe ne presim që Serbia të bëjë pjesën e saj të përpjekjeve”, thuhet më tej.

Më tej është bërë e ditur se pasi të tejkalohet kriza me coronavirusin, presidenti Francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë planifikuar të mbajnë një samit në Paris, me pjesëmarrjen e të dy drejtuesve të partive dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borrell.

“Mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është një çështje evropiane e sigurisë, prandaj Bashkimi Evropian do të vazhdojë të udhëheqë përpjekjet e lehtësimit sa më shpejt që të dy palët të bien dakord të fillojnë përsëri bisedimet e tyre. Koordinimi me partnerët tanë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, do të ndiqet”, thuhet në qëndrimin e Gjermanisë dhe Francës.

“Qëllimi i Dialogut duhet të mbetet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht detyruese. Arritja e këtij objektivi është një kusht për të dy palët në mënyrë që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, është thënë në fund.

Nesër pritet që të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti dhe këtë e ka kërkuar partneri i koalicionit, LDK, pa kaluar as 2 muaj nga arritja e koalicionit.

Shkak për këtë mocion, sipas LDK-së, është bërë vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Brendshëm dhe mosheqja e menjëhershme tarifës 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake.

Megjithatë, disa organizata të shoqërisë civile janë shprehur kundër votimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

Në një letër të hapur drejtuar liderëve të të gjitha partive, shoqëria civile ka thënë se votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë rrezikon të fus vendin në krizë.

Tërheqje të mocionit nga LDK ka kërkuar sot edhe Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Francës në Kosovë si dhe Partia Socialdemokrate e Gjermanisë.