Vendet e Quintit thirrje politikanëve kosovarë: Përqendrohuni në luftën kundër Covid – 19

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke kërkuar të sigurohet integriteti dhe funnksionaliteti i qeverisë dhe institucioneve të vendit.

Vendet e Quintit i kanë bërë thirrje liderëve institucional dhe politik që të përqendrohen në luftën kundër virusit COVID – 19, duke respektuar Kushtetutën dhe kompetencat që u janë dhënë përmes saj.

“Në momentin e vështirë si ky, u bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucional dhe politik që të përqëndrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat Kushtetutese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës”, thuhet në deklaratë.

Ambasadorët tutje kanë kërkuar që të ruhet integriteti dhe funksionaliteti i qeverisë dhe institucioneve të vendit.

“Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe të japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, përfundon deklarata.

Pak pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për të ndaluar lëvizjet e veturave dhe njerëzve në orare të ndryshme, një gjë të tillë e kundërshtoi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke thënë se një vendim i tillë është antikushtetues.

Presidenti të martën njoftoi se vendimin e ekzekutivit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Që nga konfirmimi i rasteve të para me coronavirus në Kosovë, liderët instiucional janë përplasur politikisht për marrjen e masave lidhur me këtë gjendje.

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 26 raste të reja me coronavirus në Kosovë duke shtuar numrin e të infektuarve në 61.

 

Konfirmohen edhe 26 raste pozitive me coronavirus, numri shkon në 61