Takimi i kryetarëve të degëve të LDK-së Foto: LDK

Mustafa: Sjelljet në LDK dhe kundër vendimeve të LDK-së duhet të marrin fund

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u është përgjigjur akuzave se me nisjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti po bashkëpunon me presidentin, Hashim Thaçi.

Në një komunikatë për media, kryetari i LDK-së tha se nuk e ka zgjedhur ky subjekt kohën e coronavirusit për të hapur këtë proces, por sipas tij kryeministri, Albin Kurti e ka bërë një gjë të tillë.

“LDK dhe Kryesia e saj nuk e ka zgjedhur kohën e Coronavirusit për të hapur këtë proces, por e zgjodhi Kryeministri Kurti me sjelljet dhe veprimet e tij arbitrare dhe me shkeljen e Marrëveshjes qeverisëse. Njerëzit e LDK-së pritet ta duan dhe ta respektojnë LDK-në. LDK nuk ka dy zgjidhje, Thaçin apo Kurtin, siç po shprehen disa. Por e kanë një zgjidhje. E kanë vetëm LDK-në dhe Kosovën.”, thuhet në komunikatë.

“LDK nuk mburret që është unike vetëm kur ndanë pozita, por edhe kur sfidohet, pra kur duhet të solidarizihet me veprimtarët e saj që padrejtësisht atakohen, shpallen tradhëtar dhe etiketohen nga ata që shpresuam se do të qeverisim bashkë”, thuhet më tej.

Në fund, Mustafa u ka bërë apel simpatizantëve të LDK-së që ta mbështesin pavarësisht vendimeve që i marrin.

“Prandaj unë ju apeloj që ju që e duani LDK-në të jeni me LDK-në dhe me vendimet e saj. Nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund”, përfundon letra e Mustafës.

Nesër pritet që të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti dhe këtë e ka kërkuar partneri i koalicionit, LDK, pa kaluar as 2 muaj nga arritja e koalicionit.

Shkak për këtë mocion, sipas LDK-së, është bërë vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Brendshëm dhe mosheqja e menjëhershme tarifës 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake.