Kosnett flet për seancën e nesërme të Kuvendit, e thirrur për rrëzimin e Qeverisë

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i është gëzuar mbajtjes së seancës së paraparë për nesër, kur do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“I kënaqur të shoh që Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë nesër një seancë për votimin e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Siç i thashë sot kryeministrit, është e rëndësishme që Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Nesër pritet që të mbahet seanca për mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti dhe këtë e ka kërkuar partneri i koalicionit, LDK, pa kaluar as 2 muaj nga arritja e koalicionit.

Shkak për këtë mocion, sipas LDK-së, është bërë vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Brendshëm dhe mosheqja e menjëhershme tarifës 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake.

Megjithatë, disa organizata të shoqërisë civile janë shprehur kundër votimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

Në një letër të hapur drejtuar liderëve të të gjitha partive, shoqëria civile ka thënë se votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë rrezikon të fus vendin në krizë.

Tërheqje të mocionit nga LDK ka kërkuar sot edhe Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Francës në Kosovë si dhe Partia Socialdemokrate e Gjermanisë.

Franca dhe Gjermania kërkojnë nga LDK ta rishqyrtojë mocionin për Qeverinë

Social Demokratët gjermanë i bëjnë thirrje LDK-së të tërhiqet nga rrëzimi i Qeverisë

www.kallxo.com