Protestojnë për Lirimin e “Grupit të Drenicës”

Shumë qytetarë e studentë kanë protestuar të hënën para zyrave të EULEX-it, në shenjë pakënaqësie për arrestimet dhe aktakuzat ndaj grupit të Drenicës dhe të ish-ushtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Me parullat “Liri për çlirimtarët”, “Poshtë EULEX-i”, e “Drenica”, protestuesit kanë marshuar nga Qendra e Studentëve deri tek zyrat e misionit evropian për sundimin e ligjit në Prishtinë, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të të akuzuarve në Grupin e Drenicës. 

Përfaqësuesit e protestës i bënë thirrje EULEX-it dhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndalojë padrejtësinë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, pasi sipas tyre kriminelët e vërtetë të luftës janë në veri të Kosovës.

 “Jemi këtu në mbrojtje të vlerave të UÇK-së, për të cilët janë ngritur akuza të pa baza. Le ta sheh EULEX-i se UÇK-ja ishte ushtri e cila mbronte civilët, të cilët masakroheshin nga ushtria serbe, ku të njëjtin persona shëtisin të lirë në Beograd”, tha Veton Raci, njëri nga organizatorët e protestës.

Disa organizata studentore, iniciuese të protestës thanë se protesta do të bëhet më masive në ditët e ardhshme nëse nuk ndryshohet situata  

“I tregojmë (EULEX-it) se ne jemi këtu deri sa të lirohen çlirimtarët. Protesta do të masivizohet ditët e ardhshme dhe nuk jemi përgjegjës për veprimet që do të bëhen”, tha Raci.

Ndërsa organizatori tjetër i protestës, Flamur Spahiu kërkoi nga EULEX-i të kryej si duhet punën e tij, pasi sipas Spahiut, ky mision vetëm është duke e degraduar drejtësinë në Republikën e Kosovës.

Protestës së ditës së hënë përveç studentëve i janë bashkangjitur edhe organizatat e dala nga lufta, dhe qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës. 

Protestuesit në dorë mbani fotografi të të akuzuarve si dhe foto nga masakrat serbe në Kosovë. 

Marshit protestues i printe një kamion në ballë të së cilit ishte vendosur një fotografi  e gjeneralit amerikan Wesley Clark, duke shtrënguar duart me Sami Lushtakun,tash  i akuzuar për krime lufte në Kosovë. 

Protestuesit janë shpërndarë të qetë duke paralajmëruar që prapë do të protestojë në ditët në vazhdim.

Kjo është protesta e dytë  prej se u arrestuan shtatë nga 15 të akuzuarit të Grupit të Drenicës në muajin maj.

Ata akuzohen për krime të luftës kundër popullatës civile në një qendër paraburgimi të UÇK-së në fshatin Likoc të Skenderajt gjatë vitit 1998. Në mesin e të akuzuarve janë dy kryetarë komunash: ai i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku dhe kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku.

Të akuzuarit do të dalin para gjykatës më 6 dhjetor tha EULEX, megjithëse seanca do të mbahet me dyer të mbyllura.

“Sipas kodit të ri penal, seancat do të jenë të hapura për publikun sapo të fillojë gjykimi kryesor”, i tha BIRN-it, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq.