Sheshi ne Prishtine

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Pengesat ligjore që pamundësojnë regjistrimin e OJQ-ve si Ndërmarrje Sociale 

Edhe pas pesë viteve nga miratimi i Ligjit, shteti kosovar nuk ka arritur që të regjistrojë asnjë ndërmarrje sociale për shkak të ngecjes së dispozitave ligjore. 

Në kryeqytet janë dy dyqane të “Tesha Vesha” ku qytetarët mund të dhurojnë rrobat dhe gjësende të tjera të cilat janë të përdorura. 

Këto produkte ata i shesin me një shumë simbolike, por që mjetet financiare e fituara i dedikojnë për shëndetin e nënave dhe të fëmijëve. 

Qëllimi i ndërmarjeve sociale është të garantohet përfshirja e grupeve të cenueshme për përmisimin e mirëqenies së tyre. 

Ligji e përcakton se në ndërmarrje sociale ndalohet shpërndarja e fitimit. Sipas Ligjit deri në 30% e fitimit mund të përdoret për pagesën për punonjësit e ndërmarrjes sociale në formë të pagave apo mëditjeve; dhe se fitimet do të mund të përdoren për të zhvilluar më tutje aktivitetet e ndërmarrjes apo për të rritur kapitalin e saj. 

Sipas një raportit të organizatës Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), Ligji për Ndërmarrjet Sociale mund të shërbejë si një bazë e mirë për zhvillimin e ndërmarrësisë sociale, duke ndikuar edhe në përfshirjen e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë, dhe po ashtu, në rritjen e punësimit.

‘Tesha Vesha’ është ndërmarrje sociale, por nuk është e regjistruar si e tillë për shkak të akteve nënligjore që kanë ngecur krahas Ligjit për Ndërmarrjet Sociale – i miratuar nga viti 2018.

Dyqani “Tesha Vesha” i cili ndodhet në dy lagje të Prishtinës, është iniciativë e organizatës Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) që nga viti 2016.  

Drejtori i Aksionit për Nënat dhe Fëmijët (AMC), Vlorian Molliqaj, ka thotë për KALLXO.com se ndërmarrjet sociale janë një mundësi e leverdishme edhe për organizata dhe shoqatat e grave. 

Sepse siç thotë ai, aktualisht shumë prej tyre nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme për ta zhvilluar veprimtarinë e tyre. 

“Benefitet për me u regjistru si ndërmarrje sociale kishin me qenë të shumta. E para, me ndërmarrje sociale tash ka fillu me u fol pak më shumë, është një fushëveprimtari goxha e re për shoqërinë tonë. Nëse kish fillu regjistrimi, besoj që benefitet më të shpejta kishin me qenë – mbështetja e ideve të reja që kanë për qëllim krijimin e ndërmarrjeve sociale” – thotë ai.

“Ndërmarrjet sociale funksionojnë si biznese veq se dallimi mes këtyre bizneseve është që krejt profitet nuk i shkon individit ose një grupi të individëve por nuk ka profit, do të thotë përvec njerëzve që punojnë aty dhe ju duhet me u pagu normalisht dhe të gjitha të hyrat tjera shkojnë për kauza të ndryshme që i shërbejnë komunitetit. Tash ka edhe organizata të tjera që i kanë kapak dyjat për shkak të mungesës së regjistrimit” – shton Molliqaj nga AMC.

Dyqani “Tesha Vesha”

Ai thotë se në Kosovë ekziston mendësia që ndërmarrjet sociale të konsiderohen si “lëmoshkërkues” e që sipas tij, kjo duhet ndryshuar. 

“Fatkeqësisht tek ne, ndërmarrjet sociale konsiderohet si organizate që ashtu sikurse “kërkojnë lëshmoshë” ose diçka e tillë, por nëse e shikojmë, se si veprojnë ndërmarrjet sociale në shtete e tjera, ki ndërmarrje sociale qe kanë modele të biznesit përveç profitit për komunitetin, kanë një qëndrueshmëri dhe ndikim shumë të madhe në komunitet” 

“Të na e para konsideroj që duhet me ndërru pak këtë mendësinë që po besoj që kish fillu me ndërru kur të kish fillu taman regjistrimi i ndërmarrjeve dhe mbështetja e tyre. Ka shumë të rinjë besoj që ka shumë ide, që ose nuk fonde ose nuk kanë mbështetje për me nisë ide të re që jo domosdoshmërish t shtë ide biznesi por është model biznesi që kish mujt me funksionu dhe me ju kthy në të mirë të komunitetit” – shton ai. 

Me fillim të regjistrimeve dhe të njohjes së këtij statuti të ndërmarrjeve sociale, mendon Molliqaj, që institucionet publike duhet të japin mbështetje në formë të granteve, kësisoji, sipas tij, të ngritet vetëdija për ndërmarrjet sociale. 

“…Jo veç me fillu me ndërmarrje sociale por edhe me i shfrytëzu shërbimet e produktet që i ofrojnë ndërmarrjet sociale sepse besoj që shumica e njerëzve, e shoh edhe prej përvojës sonë “me tesha veshë”, në momentin që e dijnë që të gjitha blerjet që i bëjnë aty në fakt janë edhe duke bo donacion me një organizatë që merret me shëndetësi. është një shtytje e madhe edhe për ta dhe një ndjenjë e mirë që pastaj vec ky aspekt i bën me qenë klientë të vazhdueshëm. Besoj që në këtë mënyrë kishim mujtë me rritë gradualisht njohjen e pastaj edhe funksionimin dhe me ja pa frytet si shoqni” – thotë ai. 

Molliqaj thotë se për ndërmarrjet sociale ka mungesë të njohjes së këtij koncepti, andaj sipas tij, nuk ka presion ndaj Qeverisë që të implementohet në terësi Ligji për Ndërmarrjet Sociale.

“Mendoj që njëfarë trysnie dhe presion më i madh i shoqërisë civile ndaj institucioneve. Por, ka mungesë të njohjes së këtij koncepti dhe rrjedhimisht presioni është më i vogël edhe pse nuk është që nuk ka presion. Mirëpo nëse qato institucione përgjegjëse që i dijnë dhe e njohin kontributin e ndërmarrjeve sociale, ish dashtë ata [Qeveria] me e shty dhe me e eduku popullsinë për rëndësinë e ndërmarrjeve sociale dhe pse edhe jo me i mbështetë financiarisht” – shton ai. 

“Nëse Qeveria aktuale e të kalumet, e shohin dhe besojnë që ka rol pozitiv ndërmarrësia sociale, ish dashtë me i jep pak ma shumë zor që me fillu me promovu këtë koncept” – thotë Vlorian Molliqaj nga organizata AMC. 

“ Mosregjistrimi i ndërmarrjeve sociale – humbasin gratë dhe grupet e cenueshme” 

YMCA është një tjetër organizatë e cila nga viti 2013 ka hapur degën e saj edhe në Kosovë. 

Në kuadër të saj veprojnë disa ndërmarrje sociale. 

Drejtoresha e YMCA Kosova, Dorina Lluka ka thënë për KALLXO.com se fillimisht kanë hapur një dyqan për shitjen e produkteve të recikluar me qëllim punësimin e grave. 

Sipas Llukës, në ndërmarrje sociale – biznesi i përshtatet individit dhe jo individi vendit të punës. 

“Në vitin 2013, nuk ka pas ligj të ndërmarrjeve sociale në Kosovë, ne e kemi kriju një model ku kemi hapë dyqanet bashkë me partnerët tonë në Danimark. E kemi hapë dyqanin e parë ku kemi shit, produkte të recikluara, me qëllim me i punësu gratë, i kemi hapë në komunën e Gjakovës, pastaj me ndihmën e Bashkimit Evropian e kemi hapur edhe në komunën e Prishtinës, dhe kemi bërë disa dyqane” – tregon Lluka.

“Kemi mjaftë njerëz të punësuar, të dyqanet tona jo vetëm që merrim me reciklim dhe punësim të grave por edhe punësojmë edhe persona me aftësi të kufizuar, janë dy persona me sindromë doën, e 15 persona me sindrom doën të punësuar gjithsej në krejt vendin” – thotë ajo.

Ajo thotë se me moslejim të regjistrimit si ndërmarrje sociale, po pësojnë gratë, grupet e cenueshme, personat me nevoja të vecanta, komunitetet etj. 

Sipas Llukës, duhet pasur kampanja për vetëdijësim për ndërmarrjet sociale, dhe sipas tij, shteti duhet ta konsiderojë si ‘pozitive’ iniciativën për regjistrimin e tyre.

“Duhet ngritur vetëdija dhe me pasë kampanja për vetijdësim për ndërmarrjet sociale por përderisa qeveria që e ka nis këtë inciativë dhe kanë stagnu, nuk ka pasur shumë ngritje të vetdijës. Nuk është punu deri tani në këtë drejtim. Por unë mendoj që së pari duhet pasur ngritje të vetëdijës institucionale për rëndësinë që kanë këto [ndërmarrjet sociale] për shtetin. Dhe duhet me i pas me pozitivitet sepse i kontribojnë grupeve të cenueshme që me u aktivizu në jetën ekonomike dhe sociale” – thotë ajo. 

Ndërmarrjet sociale lirohen nga tatimi

Fondacioni Kosovar për Ndërmarrësi Sociale – është themeluar nga një grup i organizatave në fillim të vitit 2017, me mision të përkrahë zhvillimin e sektorit të ndërmarrësisë sociale, me qëllim uljen e varfërisë, papunësisë dhe nxitjen e zhvillimit të ekosistemeve të shëndetshëm në Kosovë.

Drejtori i Fondacionit Kosovar për Ndërmarrje Sociale, Driton Bajraktari, tregon për KALLXO.com se një ndërmarrje sociale, pos lehtësirave tatimore te garantuara me pakon ligjore, organizimi i saj mbështet direkt anëtarët e komunitetit, punësimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.

“Përfitimet konkrete me rastin e regjistrimit të Ndërmarrjes Sociale; ky lloj entiteti si organizatë fokus primar e ka ofrimin e prodhimeve ose shërbimeve përmes objektivave sociale të qëndrueshëm pershembull një organizatë, pasi ka marrë statusin e Ndërmarrjes Sociale, ajo përcaktohet se do të ndërmerr aktivitete ekonomike me qellim sigurimin e qëndrueshmërisë financiare për misionin e vet. 

“Një ndërmarrje sociale, pos lehtësirave tatimore te garantuara me pakon ligjore, organizimi i saj mbështet direkt anëtarët e komunitetit, punësimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.” – thotë Bajraktari. 

Sipas tij, qëllimi i ndërmarrjeve sociale është të shërbejë interesave të grupeve të cenueshme të shoqërisë, mbrojtës mjedisore dhe inovacionit në vend të maksimizimit të fitimeve.

“Ndërmarrja sociale është formë e re e organizimit si entitet/person juridik  (shoqatë, institut, fondacion apo organizatë jofitimprurëse) që është pjesë e idesë së ekonomisë së gjerë sociale e mbështetur me politikat e BE dhe KE nga viti 2011 si sektor – Biznesi Social. Qëllimi i saj është të shërbejë interesave të grupeve të cenueshme të shoqërisë, mbrojtës mjedisore dhe inovacionit në vend të maksimizimit të fitimeve” – thotë ai. 

Ai thotë se etniteti ka beneficione sa i përket tatimit në fitim, pasi gjeneron fitim dhe të njëjtin fitim mund ta planifikojë në investime brenda ndërmarrjes. 

“Gjithashtu, beneficion tjeter konsiderohet lirimit nga TVSH-ja dhe ofertimi me çmime më të ulta për mallra dhe shërbime se operatorët tjerë ekonomik. Me plotësimin e ligjeve dhe akteve nënligjore për zbatimin e këtyre ligjeve është e mundësuar zbatimi i ligjit për regjistrimin e Ndërmarrjeve Sociale si pjesë përbërëse e kësaj kornize ligjore” – thotë Bajraktari.

Ministria thotë se shumë shpejtë nis procesi

Në Ministrinë e Punës nuk ka asnjë ndërmarrje sociale të regjistruar. 

Para disa muajsh është formuar një komision që do të merret me kryerjen e përgatitjeve teknike dhe jo vetëm për të filluar me njohjen e statusit të OJQ-ve apo bizneseve që aplikojnë për marrjen e statusit. 

“Aktualisht nuk kemi asnjë ndërmarrje sociale të regjistruar. Sapo MFPT të dal me njoftim për fillim e pranimit të aplikimeve nga ana e komisionit, ne do fillojmë të pranojmë kërkesat e para e njiherit t’i trajtojmë ato konform legjislacionit në fuqi” – ka thënë Andi Batusha, zyrtar në Ministrinë e Financave. 

Kryesuesi i komisioni për njohjen e statusit të ndërmarrjeve sociale në Ministrinë e Punës, Andi Batusha ka thënë për KALLXO.com se kanë përfunduar aspektet teknike që hap rrugën që komisioni të nis punën e mandatur. 

“Komisoni është themeluar pak muaj më parë dhe ka marrë përgjegjësinë për kryerjen e të gjitha përgatitjeve teknike (dhe jo vetëm) për të filluar me njohjen e statusit të OJQ-ve apo biznesve të cilat aplikojnë për marrjen e statusit të ndërmarrjes sociale. Sa i perket aspekteve teknike, të gjitha kanë përfunduar. D.m.th përgatitjet janë aty, ka mbetur një akt formal për ta shënuar si fillim të procesit” – thotë ai. 

Ai ka treguar disa hapa dhe rrjedhën se cfarë punësh kanë kryer dhe si do të bëhet procesi. 

“Janë disa hapa konkrete dhe disa të cilat kanë karakterin e ideve dhe diskutimeve që zhvillohen me partneret tanë zhvillimor: 1) Me rregulloren e re për organizimin e brendshem te MFPT-se, është paraparë themelimi i Divizionit për Ndërmarrësi Sociale i cili do të popullohet me zyrtarë të cilët pastaj do mirren me monitorim, analiza e planifikim të zhvillimit të sektorit. 2) Është themeluar komisioni për njohjen e statusit të ndërmarrjeve sociale 3) Janë kryer të gjitha përgatitjet dhe sqarimet me institucionet e linjes (ARBK, DOJQ, ATK etj). 4) Do të themelohet komisioni i ankesave 5) Po shqyrtohen mundesitë e përkrahjes së qëndrueshme të zhvillimit të ndërmarresisë sociale në Kosovë në partneritet me agjencitë zhvillimore prezente në Kosovë dhe 6) Do fillojmë me një cikel sesionesh informimi për palët e interesuara” – ka treguar Batusha për KALLXO.com

Çka është ligji për Ndërmarrjet Sociale?

Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2018 ka miratuar Ligjin për Ndërmarrjet Sociale, i cili ka hyrë në fuqi gjatë muajit dhjetor 2018. 

Sidoqoftë, aplikueshmëria e tij praktike varet nga nxjerrja e akteve nënligjore që janë të domosdoshme për aplikimin e tij në praktikë.

Ky ligj rregullon organizimin, funksionimin, parimet, mënyrën e fitimit dhe humbjes së statusit të ndërmarrjes sociale, si dhe përcakton kushtet e kriteret që një subjekt duhet t’i plotësojë që të fitojë statusin e ndërmarrjes sociale.

”Ndërmarrje sociale’’ sipas këtij ligji, është personi juridik pavarësisht mënyrës së themelimit të tij, që në aktin e vet themelues i përmban objektivat sociale, kryen aktivitete ekonomike, bënë prodhimin e mallrave dhe ofron shërbime në interes të përgjithshëm të shoqërisë dhe i integron në punë personat nga grupet e cenueshme; 

Aktivitetet e ndërmarrjes sociale konsiderohen aktivitetet që shërbejnë për interesat e përgjithshëm shoqëror, në formë të sigurimit të mallrave dhe shërbimeve sociale që e rrisin cilësinë e jetës, e forcojnë bashkëpunimin shoqëror dhe e inkurajojnë integrimin e grupeve të cenueshme.

Si e kanë të rregulluar vendet europiane çështjen e ndërmarrjeve sociale?

Disa nga shtetet e BE-së kanë bërë disa modifikime në format ligjore ekzistuese për t’i përshtatur me konceptin e ndërmarrësisë sociale, kështu duke krijuar ndërmarrjet sociale si forma të reja ligjore në formën e kooperativave. 

Disa nga vendet po ashtu njohin kooperativat sociale si forma të veçanta. 

Një qasje tjetër, e ndjekur në shumë vende të BE-së, është ajo e njohjes së statusit të ndërmarrjes sociale, pa marrë parasysh formën ligjore të organizimit të tyre. 

Kjo qasje nënkupton që një subjekt juridik, pa marrë parasysh formën e organizimit, biznes, OJQ, Kooperativë mund të marrë statusin e ndërmarrjes sociale me kusht që të plotësojë disa parakushte apo kritere të parapara me ligj.

Ndër këto vende bëjnë pjesë edhe Italia, Finlanda, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Belgjika, Polonia, Luksemburgu, Malta, Latvia, etj. 

Përveç kësaj, shumica e vendeve të BE-së, krahas formës ligjore, kanë përcaktuar kërkesa shtesë, që kanë të bëjnë me qëllimin social, disa përcaktojnë edhe kufizime në llojet e aktiviteteve. 

Disa vende tjera kanë përcaktuar kritere më strikte, duke vënë fokusin në ndërmarrjet që do të merren me promovimin e punësimit të grupeve më pak të favorizuara apo personave me nevoja të veçanta.

Përmes ligjit për Ndërmarrjet Sociale, Kosova ka ndjekur njërin nga konceptet e trajtuara më sipër, duke njohur statusin e ndërmarrjes sociale për disa forma të organizimit të personave juridik.

Ky status do të njihet nën kushte dhe kritere specifike që kanë të bëjnë me ushtrimin e aktiviteteve dhe ofrimin e shërbimeve në funksion të arritjes së objektivave sociale, e të cilat kryesisht janë të ndërlidhura me kategori të caktuara sociale dhe në nevojë në shoqërinë kosovare. Në pjesën në vijim do të trajtohet ky koncept më në detaje.

Për nga përmbajtja e dispozitave të ligjit për ndërmarrjet sociale të Kosovës, shihet se ai është ndikuar nga sistemet tjera juridike në Evropë, në veçanti nga sistemi italian i ndërmarrësisë sociale. 

Megjithatë, sa i përket formave të organizimit të ndërmarrjeve sociale, Ligji për Ndërmarrjet Sociale i Kosovës është më i limituar.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.