Sanatoriumi i Kaçanikut - FOTO - Sahide Brati - Kallxo

Pas zgjidhjes së kontestit gjyqësor, në Sanatoriumin e Kaçanikut parashihen veprimtari të ndryshme

Sanatoriumi në Kaçanik, një vend i gjelbëruar, i rrethuar nga lisa, kodra, pisha, prej ku mund të shohësh edhe majën më të bukur, Lubotenin, po vlerësohet nga gjeografët si ndër hapësirat gjeografike më të mira në Kosovë.

Ky objekt i cili gjendet në anën lindore të Kaçanikut, dy kilometra prej qendrës së qytetit, dikur u shfrytëzua si objekt shëndetësor e më vonë edhe për qëllime të tjera.

Ndonëse kjo hapësirë konsiderohet si shumë e dobishme shkaku i vetive shëruese, aty nuk ka pasur ndonjëherë investime. Nga ekzekutivi lokal thanë se Sanatoriumi ishte në kontest gjyqësor dhe kjo pamundësoi të punohet në këtë drejtim.

Por, ata shtuan se pas zgjidhjes së kësaj çështje, Komuna është në fazën e hartimit të planit zhvillimor komunal dhe thonë se në këtë hapësirë parashihen veprimtari të ndryshme.

Kosovar Xhokli, gjeograf ka treguar se pse quhet ky objekt Sanatorium.

“Emri apo termi sanatorium u dedikohet objekteve apo institucioneve rehabilituese dhe shëruese që ndërlidhet me hapësira të veçanta gjeografike, në të cilën ka ndikim të drejtpërdrejt në trajtimin dhe kurimin e sëmundjeve të ndryshme kronike”-  ka thënë ai.

Tutje, ai ka treguar se për çfarë qëllime u ndërtua ky objekt.

“Sanatoriumi në Kaçanik, ishte një spital i planifikuar, për trajtimin e sëmundjeve respiratore, respektivisht sëmundjeve kronike të tuberkulozit, për shkak se zona që ishte planifikuar të jetësohet ky spital, është rajoni i qarkullimit të tri rrymave ajrore që në vete përmbajnë elemente shëruese, sidomos të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe të eshtrave”- ka shtuar ai.

Ai ka treguar se objekti u shfrytëzua nga pacientët që kryesisht përballeshin me sëmundjet e lartpërmendura e të cilët ishin nga krahinat e ish-Jugosllavisë.

Njerëzit këtu qëndronin nga dy deri në katër javë varësisht nga rezultatet e kurimit.

Tutje, gjeografi tregon se në çfarë gjendje ndodhet objekti.

“Objekti nuk është në gjendje të mirë, por nuk është shkatërruar, kanë pas tentativë për investime, por për shkaqe që është kontest pronësor me AKP-në, nuk është marr ndonjë hap në renovimin dhe destinimin për ndonjë qëllim të caktuar apo kthimin në origjinën e qëllimit të krijimit të këtij objekti”- tha Xhokli.

Gjeografi konsideron se ky vend është ndër hapësirat gjeografike më të mira në Kosovë.

“Pos që është një hapësirë me dedikim shërues për shkak të klimës së veçantë që ka gjithashtu është edhe atraksion dhe hapësirë rekreative, pasi gjendet në një lartësi mbi 1500 m mbi nivelin e detit, gjithashtu klima e veçantë bën që edhe zhvillimi i sektorit bujqësor dhe blegtoral të jep produkt dhe rendiment të lartë”- ka thënë Xhokli.

Ai ka një rekomandim se si të shfrytëzohet kjo hapësirë.

“Kjo hapësirë të ndahet në sektorë, sektori i kurimit, siç është Sanatoriumi, sektori i aktivitetit fizik dhe rekreativ-sportiv, sektori i fushimit dhe sektori i zhvillimit bujqësor i plantacioneve, sidomos të pemëve”- ka thënë ai.

Sanatoriumi i Kaçanikut
Sanatoriumi i Kaçanikut

Qamil Stagova, drejtor i Urbanizmit, Kadastrit dhe Mjedisit në Kaçanik, ka treguar se kur ka filluar të ndërtohet ky objekt.

“Objekti ka filluar të ndërtohet para Luftës së Dytë Botërore. Duket se Mbreti i Mbretërisë së atëhershme Serbo-Kroate-Sllovene kishte dëgjuar për vetitë shëruese të klimës së këtij vendi dhe kishte vendosur të ndërtojë një pushimore për vete“- ka thënë ai.

Drejtori ka treguar se për çka ka shërbyer dikur ky objekt.

“Ai do të shërbejë si qendër rehabilituese e një spitali të Shkupit. Më vonë është braktisur dhe nuk ka funksionuar deri në vitet 80-ta, kur fillon me punë ndërmarrja për prodhimin e materialit sanitar “SanKos”. Gjatë viteve 90-ta të gjitha pajisjet e ndërmarrjes “SanKos” janë vjedhur prej autoriteteve të dhunshme serbe dhe janë dërguar në Shtërpcë”- ka thënë Stagova.

Më tej, ai shtoi se Sanatoriumi është shfrytëzuar edhe për qëllime të tjera.

“Deri në çlirimin e Kosovës prej pushtuesit serb, objekti është shfrytëzuar nga policia serbe. Pas çlirimit objekti është shfrytëzuar nga UÇK-ja, pastaj nga TMK-ja deri në transformimin e saj në FSK. Prej atëherë objekti shfrytëzohet prej disa familjeve të pastreha. Numri i të cilave ka ndryshuar kohë pas kohe”- tha ai.

Më tej Stagova tha se objekti aktualisht nuk është në gjendje të mirë dhe nuk mirëmbahet nga askush.

Drejtori theksoi se Sanatoriumi ishte në një kontest gjyqësor.

Sipas tij, kjo çështje tashmë është zgjidhur dhe Komuna e ka fituar të drejtën që të vendosë për këtë hapësirë.

“Lokacioni ku është i ndërtuar objekti i Sanatoriumit përfshin tri parcela kadastrale, të cilat janë pronë e Komunës së Kaçanikut. Për shkak se ne këtë objekt ka kryer veprimtarinë një ndërmarrje shoqërore (Ndërmarrja për prodhimin e materialit sanitar “Sankos”) AKP-ja ka kërkuar që objekti bashkë me pronën t‘i nënshtrohet privatizimit. Këtë e ka kundërshtuar Komuna e Kaçanikut dhe si rezultat përmes Gjykatës, Komuna edhe e ka fituar të drejtën që të vendosë për këtë objekt“- ka thënë drejtori për KALLXO.com.

Sanatoriumi i Kaçanikut
Sanatoriumi i Kaçanikut

Pas lufte tha se është investuar nga UNMIK-u, për nevojat e TMK-së. Tjera investime shtoi se nuk ka pasur për shkak të kontestit gjyqësor.

Drejtori tha se niveli lokal është në fazën e hartimit të planit zhvillimor komunal, sipas të cilit në këtë hapësirë parashihen veprimtari të ndryshme.

“Komuna është në fazën e hartimit të planit zhvillimor komunal, sipas të cilit në këtë hapësirë parashihen veprimtari të ndryshme. Për shkak të vetive shëruese, për shkak të kryqëzimit të klimave mesdhetare dhe kontinentale, lokacioni është i përshtatshëm edhe për ndërtimin e objekteve shëndetësore, për shërbime terciare, për nevojat e Kaçanikut apo edhe tërë Kosovës“- ka thënë ai.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kanë treguar se para më shumë se 10 vitesh e kishin paditur Komunën e Kaçanikut me qëllim të vërtetimit të pronësisë së ngastrave kadastrale të Sanatoriumit.

“AKP ka ushtruar padi në GJTH Ferizaj dega në Kaçanik më datë 30.01.2012 ndaj Komunës së Kaçanikut lidhur me vërtetim të pronësisë për ngastrat kadastrale”- kanë thënë ata.

Ata shtuan se Sanatoriumi nuk është më në kontest gjyqësor.

“Gjykata Supreme e Kosovës, më datë 03.09.2020 ka marr Aktgjykim përmes të cilit ka refuzuar revizionin e ushtruar nga AKP kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit”- thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Pra, prona në fjalë ishte në kontest gjyqësor në mes të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Komunës së Kaçanikut.

Kontesti kishte filluar kur AKP-ja kishe dorëzuar padi në Gjykatën e Ferizajt, Degën e Kaçanikut kundër Komunës në fjalë me pretendimin  se OP “Saniteks” ishte pronare e pronës në fjalë, gjë e cila ishte kundërshtuar nga pala e paditur – Komuna e Kaçanikut.

Por Gjykata kishte vendosur në favor të Komunës, ndonëse nuk e kishte kontestuar se OP “Saniteks” e kishte pasur në shfrytëzim objektin në fjalë deri në vitin 1993.

Për më tepër sipas aktgjykimit të datës 19 maj 2015, e drejta e pronësisë në paluajtshmëri fitohet me regjistrim në regjistra publik, e sipas konstatimeve të gjykatës në regjistra publik prona figuron të jetë e regjistruar në emër të Komunës së Kaçanikut.

Në mbështetje të këtij aktgjykimi Gjykata ka argumentuar më tutje se prona kontestuese përveç se është e regjistruar në emër të Komunës së Kaçanikut, është në posedim të saj dhe në shfrytëzim të pa penguar nga askush madje as nga vetë AKP-ja.

Vendimi i shkallës së parë i marrë nga gjyqtari Riza Livoreka ndër të tjera ka konstatuar se AKP-ja me asnjë provë nuk e kishte vërtetuar se është pronare e pasurisë kontestuese.

Vendimi i Themelores ishte ankimuar në Gjykatën e Apelit nga ana e AKP-së.

Por Apeli me aktgjykimin e datës 17 tetor 2019 e kishte vërtetuar qëndrimin paraprak të Themelores duke e refuzuar ankesën e palës paditëse.

Kolegji gjyqësor i përbërë nga Nenad Laziq – kryetar si dhe anëtarët: Kujtim Pasuli, Nora Bllaca- Dula i kishin hedhur poshtë pretendimet e Agjencisë së Privatizimit, se themelorja e kishte vërtetuar gabim dhe në mënyrë jo të plotë gjendjen faktike si dhe e kishte aplikuar gabimisht të drejtën materiale.

Beteja gjyqësore në kontestin në fjalë kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, ku APK-ja kishte ushtruar revizion.

Por me aktgjykimin e datës 3 shtator 2020 e kishte konsideruar të pabazuar revizionin në fjalë, përkatësisht pretendimin e AKP-së se në dy aktgjykimet paraprake ishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe aplikimit të të drejtës materiale.

Kështu përfundimisht pronësia e ngastrave kadastrale ishte vërtetuar në rrugë gjyqësore se i takon Komunës së Kaçanikut.

Sanatoriumi i Kaçanikut
Sanatoriumi i Kaçanikut

Ndërsa asamblisti nga Partia Demokratike e Kosovës në Kaçanik, Rrustem Zenuni, ka thënë se nuk është investuar asnjëherë në këtë pjesë.

“Sanatoriumi mbetet në gjendje jo të mirë dhe të pa shfrytëzueshme dhe me sa jam i informuar nuk është investuar asnjëherë. Një herë për shkak të kontestit dhe tash për arsye të pamundësisë ekonomike nga ana e Komunës”- ka thënë Zenuni.

Ai konsideron se është mirë që të investohet dhe të rikthehet në shfrytëzim në të mirë të interesit të përgjithshëm.

Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të LDK-së në Kaçanik, Ardita Rrahmani, ka treguar se ka interesim pasiv për investim në këtë pjesë.

“Investimet në Sanatorium ka dekada që kanë pushuar. Interesimi për investime në atë pjesë është pasiv e për arsyet se pse ka ndodhë kjo ende janë të paditura”- ka thënë ajo.

Rrahmani ka treguar se si ky vend ishte ndër qendrat më të mira të trajtimit të tuberkulozit.

“Në vitin 2000 pas luftës, objekti i Sanatoriumit është shfrytëzuar për pak kohë nga TMK-ja mandej edhe ata janë zhvendosur. Qytetarët e Kaçanikut vënë theks se ka qenë njëri ndër qendrat e trajtimit të tuberkulozit më të mira në gjithë Kosovën. Lartësia mbidetare e ajri tejet i pastër e ka bë atë vend edhe më të përshtatshëm për ato shërbime që i ka ofru ajo qendër”-  tha ajo.

Tutje, Rrahmani ka thënë se qytetarët e Kaçanikut ka vite që ndihen të neglizhuar nga pushteti qendror rreth investimeve të mëdha e që janë në shërbim të qytetarëve nga kjo Komunë dhe jo vetëm.

Në këtë vend aktualisht janë të strehuara dy familje.