Infografika: KALLXO.com

Hulumtimi i BIRN: Gjykatat po i injorojnë rrethanat rënduese kur sulmohen dhe rrahen gazetarët

Gjykatat e Kosovës e kanë injoruar kërkesën publike që sulmet dhe kërcënimet fizike ndaj gazetarëve në Kosovë, të cilësohen si rrethana rënduese dhe kryerësit të dënohen me dënime maksimale.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, ka analizuar aktgjykimet e dënimeve të kërcënuesve e sulmuesve të gazetarëve në vitet e fundit dhe aty është zbuluar se gjykatat kanë injoruar rrethanat rënduese, duke ulur në skajshmëri dënimet ndaj atyre që kanë sulmuar dhe kërcënuar gazetarët.

Në 5 rastet e analizuara, gjykata ka marrë vetëm 4 rrethana si rënduese, ndërsa si lehtësuese janë marrë 12 rrethana.

Nga viti 2016 dhe deri më sot në gjykatat e Kosovës janë gjykuar me vendim të shkallës së parë 5 raste penale, në të cilat viktima janë gazetarët.

BIRN ka kërkuar nga të gjitha gjykatat dosjet e këtyre lëndëve. Vetëm Gjykata e Gjakovës nuk ka arritur të ofrojë qasje në lëndët e gazetarëve me arsyetimin se nuk mund t’i identifikojë në sistem.

Për të arritur në përfundimet e përmendura më lart, BIRN ka analizuar aktgjykimet dhe mënyrën se si gjyqtarët i kanë peshuar dënimet, duke i llogaritur rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese të rasteve.

Gjyqtarët përdorin një formulë gati matematikore kur llogarisin dënimin. Kjo është e përcaktuar në Kodin Penal të Kosovës. Nëse ka më shumë rrethana rënduese kryerësi dënohet më ashpër, ndërsa nëse ka më shumë lehtësuese atëherë ai dënohet më lehtë.

Në 6 rastet e analizuara, të dhënat tregojnë që gjykatat shqiptuan dënime jashtëzakonisht të ulëta, kryesisht me gjobë.

Rastet janë paraqitur secili veç e veç, për të pasqyruar evidentim të rrethanave lehtësuese në numër krahasimisht me të lartë se rrethanat rënduese dhe mos arsyetim të këtyre rrethanave me rastin e matjes se tyre për të ardhur te një dënim në baraspeshë me veprën e kryer.

Rasti i veprës së sulmit të gazetarit të portalit “Indeksonline” më 2020

Infografika: KALLXO.com

Kjo dosje penale është trajtuar nga Gjykata e Ferizajt dhe nga gjykata është aprovuar propozimi i prokurorisë për urdhër ndëshkimor, duke i shqiptuar të akuzuarit vërejtje gjyqësore.

I akuzuari XH.L. është gjetur fajtor për sulmin ndaj gazetarit, i cili sulm ka ndodhur në nëntor të vitit 2020 në Kaçanik.

Dosja e gjykatës tregon se gazetari ka has në Policinë dhe inspektorët sanitarë duke i inspektuar lokalet lidhur me respektimin e masave anti-COVID dhe i dëmtuari ka nxjerrë telefonin dhe i ka bërë disa foto.

Në momentin që gazetari ka vendos të marrë fotografi nga ngjarja, i pandehuri i është drejtuar me fjalët “Kush je ti që na fotografon?”, ndërsa gazetari i tregon që me profesion është gazetar dhe i ofron “ID Press”, por prapë i pandehuri vazhdon të bëjë sjellje brutale duke ju afruar dhe shtyrë gazetarin me dy duar dhe duke përdorur ndaj tij ofendime banale.

Për këto veprime që i pandehuri është gjetur fajtor, gjykata i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore, që nënkupton se ai është lënë i lirë, por i është bërë me dije se ka kryer vepër penale dhe po qe se prapë kryen vepër të tillë gjykata do të shqiptojë sanksion me të rreptë penal.

Provat qe i ka marrë gjykata për të vërtetuar gjendjen faktike të dosjes janë CD-të, si dhe dëshmitë e dëshmitarëve dhe të pandehurit.

Në këtë aktgjykim nuk ka ndonjë arsyetim ligjor të detajuar se pse gjykata ka vendos në shqiptimin e vërejtjes gjyqësore si sanksion ndaj veprimeve inkriminuese të akuzuarit.

Gjykata vetëm është mjaftuar në citimin e nenit në Kod Penal që evidenton qëllimet e dënimit.

“Gjykata me rastin e shqiptimit të vërejtjes gjyqësore ka vlerësuar se me këtë vërejtje, do të arrihet qëllimi i përgjithshëm i dënimit i paraparë me nenin 38 të KPRK-së, përkatësisht vë rrezikshmërinë e saj dhe te autorit të saj që do të shërbejë në parandalimin e kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe do të bëjë rehabilitimin e tij…”- është shkruar në aktgjykim lidhur me pjesën ku është vendosur për dënim.

Ngecje tjetër e evidentuar është se në aktgjykim nuk ka arsyetim se si gjykata ka ardhur te përfundimi që vërejtja gjyqësore ndaj të akuzuarit i përmbush qëllimet e dënimit, secilin veç e veç apo si tërësi.

Dosja e kanosjes në Klinë

Infografika: KALLXO.com

Në vitin 2019, gazetari kishte marrë mesazhe kërcënuese, ndërsa gjykata kishte dënuar kryerësin me gjobë në shumë prej 300 eurove.

“Jam duke e përgatitur një padi në gjykatë, se jeni ka qitni-shkruani lajme ‘fake’ e të pavërteta dhe si rezultat po shkaktoni panik të qytetaret dhe të shihemi në gjykatë, por edhe ndryshe” janë fjalët kanosëse me të cilat i akuzuari i është drejtuar gazetarit.

Të akuzuarit i është dhënë mundësia që këtë gjobë ta paguajë brenda afatit prej 2 viteve.

Ndërsa, ai është liruar nga shpenzimet procedurale për shkak të gjendjes së dobët ekonomike.

Në dosjen e tij penale thuhet se në vitin 2019 në Klinë, përmes telefonit e ka kanosur gazetarin duke fshehur numrin e telefonit.

“Jam duke e përgatitur një padi në gjykatë, se jeni ka qitni-shkruani lajme ‘fake’ e të pavërteta dhe si rezultat po shkaktoni panik të qytetaret dhe të shihemi në gjykatë, por edhe ndryshe” janë fjalët kanosëse që i akuzuari i ka drejtuar gazetarit.

E për këtë kanosje ka marrë 300 euro gjobë.

Për këtë akuzë të kanosjes se gazetarit, i akuzuari ka pranuar fajësinë.

Me rastin e analizimit të rrethanave rënduese dhe lehtësuese që gjykata i ka peshuar për të ardhur deri të dënimi prej 300 euro, ka marrë për bazë 4 rrethana lehtësuese dhe 2 rënduese.

Rrethanat lehtësuese që janë marrë për bazë nga gjykata janë sjellja korrekte në shqyrtim fillestar, pranim i fajësisë, shprehja e keqardhjes për veprën e kryer, dhe rënia ndesh me ligjin për herë të parë.

Rrethanë rënduese gjykata e ka gjetur dashjen e kryerjes së veprës dhe dënueshmërinë ku parashihet dënimi me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

Edhe në këtë rast penal, gjykata është mjaftuar vetëm në numërimin taksativ të rrethanave lehtësuese e rënduese, pa përfshirë asnjë arsyetim veç e veç për secilën prej tyre, apo edhe faktin se si gjykata ka mendu që gjoba prej 300 euro e arrin qëllimin e dënimit.

Edhe në këtë aktgjykim është aplikuar standardi i njëjt i gjykatës, që ndalet vetëm në evidentimin e qëllimit të dënimit sipas Kodit Penal.

Dosja e kanosjes e sulmit të gazetarëve gjatë aksionit të Inspektoratit të Ndërtimit

Në këtë rast penal 3 persona E.F., G.P., D.K., akuzohen se janë përfshirë në pengimin e punës së gazetarëve, të cilit ishin duke xhiruar aksionin e inspektoratit komunal të ndërtimtarisë për rrënimin e një pjese të një qendre tregtare.

Ngjarja dyshohet të këtë ndodhur më 19 korrik të vitit 2019 në Prizren.

“Vazhdo se për toke të përplasi!” janë fjalët kanosëse që djali i pronarit të qendrës ia ka drejtuar gazetarit GJ.F., i cili ishte duke xhiruar aksionin e inspektoratit.

Ai po ashtu akuzohet për sulm, pasi që dy gazetarët i shtyen me duar me qëllim që mos t’i lejojë të xhirojnë procesin.

Menaxheri i qendrës po ashtu sipas dosjes akuzohet për sulm.

Sipas dosjes, menaxheri e ka penguar me dorë xhirimin e gazetarëve e pastaj me dorën e djathtë e ka goditur të dëmtuarin, por nuk ka pasur lëndime trupore.

Ndërsa edhe një person është përfshirë në këtë dosje për kanosje.

Ai po akuzohet se një gazetari në këtë aksioni, i është drejtuar me fjalët “Ec, ec se të zhduki pasha Zotin!”

Këta persona që po akuzohen për këto veprime që me ligj janë inkriminuar si vepra penale, janë dënuar nga gjykata me gjobë.

Njërit prej të akuzuarve E.F. i është shqiptuar dënim unik për dy vepra penale në vlerë prej 900 euro, të akuzuarit G.P. dënim me gjobë në vlerë prej 400 euro dhe D.K. dënim me gjobë prej 500 euro.

Matja e dënimit

Gjykata me rastin e matjes se dënimit nuk ka gjetur asnjë rrethanë rënduese.

Ndërsa rrethanat lehtësuese që i ka gjetur është pranimi i fajësisë, sjellja korrekte pas kryerjes së veprës, pendimi i thellë, kërkim falja publike ndaj të dëmtuarve.

“Bashkëpunuar me gjykatën, bashkëpunimi i tyre ka qenë vullnetar në hetimin dhe ndjekjen penale, kanë shpreh dhe janë të gatshëm që të dëmtuarëve t’i bëjnë kompensimin e dëmit material, gjerë më tani të pa gjykuar”- rrethana tjera që gjykata i ka gjetur.

Gjykata duke marrë për bazë këto rrethana ka vlerësuar se dënimi me gjobë e arrin qëllimin e dënimit.

As ky aktgjykim i Gjykatës së Prizrenit nuk përmban arsyetim të detajuar përkitazi me matjen e dënimit.

Infografika: KALLXO.com

Një dosje tjetër e kanosjes se gazetarëve është dënuar me 1,220 euro gjobë.

Në këtë dënim me gjobë është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim prej 2 muajsh.

Në këtë aktgjykim nuk është ofruar qasja, pasi lënda ka qenë në arkivin e gjykatës, duke pasur parasysh kohën e gjatë të kaluar nga marrja e vendimit.

Dosja e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla

Infografika: KALLXO.com

Gazetari Valon Syla ishte sulmuar në një rrugë të Prishtinës për shkak postimit të tij lidhur me diasporën.

B.J. personi që e kishte goditur, sipas dosjes se prokurorisë i pakënaqur me postimet e Sylës, e ka goditur me duar në kokë dhe qafë duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Për këto veprime ai ishte gjetur fajtor nga gjykata dhe ishte dënuar me 4,500 euro gjobë. Ai kishte qëndruar edhe në paraburgim me vendim të gjykatës.

Për këto veprime atij i vihej në barrë vepra penale lëndim i lehtë trupor.

Nga dosja kuptohet që sulmuesi e ka pranuar fajësinë për veprën penale qe i vihet në barrë.

Rrethanat e marra parasysh nga gjykata

Si rrethana lehtësuese nga gjykata janë marrë, pranimi i fajësisë, pendimi i thellë, rënia për herë të parë ndesh me ligjin, sjellja korrekte në gjykatë, ndërsa si rrethanë rënduese gjeti rrezikshmërinë e veprës, dhe faktin se vepra është kryer në vend publik.

Po ashtu rrethanë që sipas gjykatës rëndon dënimin është edhe motivi i veprës nga i pandehuri, duke e ndërlidhur këtë në lirinë e shprehjes se gazetarëve, duke shtuar se deklarimi i të dëmtuarit nuk ishte drejtuar direkt ndaj të pandehurit, por në mënyrë të abstrahuar, duke atakuar kështu një grup të caktuar njerëzish.

E kryerja e veprës në prezencë të kalimtarëve të rastit është vlerësuar nga gjykata si reflektim i një sjellje negative që ka krijuar frikë dhe shqetësim te të gjithë dëshmitarët dhe jo vetëm, duke shtuar këtu faktin se kryerja e veprës penale është incizuar dhe shpërndarë në rrejte sociale duke krijuar një imazh të keq në një shtet ligjor ku respektimi i ligjit është imperativ.

Të gjitha këto rrethana janë peshuar nga gjykata duke ardhur deri të vendimi për gjobë me 4,500 euro.

Analizë e dosjeve të prokurorive në rastet e sulmeve dhe kanosjeve të gazetarëve

Dosjet e hapura nga Prokuroritë e shtetit që po procedohen në gjykata për sulme e kanosje të gazetarëve, po përshkruhen me zvarritje të shumta që po dërgojnë në shkelje të afateve ligjore për zgjidhjen e rasteve.

Përveç zvarritjeve e shkeljeve të afateve, edhe vendimet e gjykatave përkitazi me dosjet ku gazetarët janë viktima të veprave penale janë pa arsyetime lidhur me dënimet dhe rrethanat që gjykatat i kanë marrë për matje të dënimit.

Kjo pasi sipas raportit statistikor të Zyrës se Kryeprokurorit të Shtetit shihen që numri i aktakuzave të ngritura për periudhën kohore që BIRN ka kërkuar, është më i lartë se sa aktgjykimet që gjykata i ka evidentuar.

Raporti i Zyrës se Kryeprokurorit të Shtetit tregon ndër vite numrin e aktakuzave të ngritura për këto dosje penale, që arrin shifrën 26.

Në vitin 2016, Prokuroritë e shtetit në Kosovë kanë proceduar para gjykatave 3 aktakuza, viti 2017 po ashtu 3 aktakuza. Në vitin 2018 vetëm një dosje është proceduar për gjykatë, ndërsa në vitin 2019 në gjykatat e Kosovës janë dorëzuar për gjykim 7 aktakuza.

Raporti tregon se në vitin 2020 janë ngritur 4 aktakuza, ndërsa viti 2021 janë proceduar 8 dosje penale. Ndërsa viti 2022 nuk është evidentuar ndonjë aktakuzë.

Përkundër që ka një numër më të lartë të dosjeve të hapura, gjykatat i kanë gjykuar vetëm 5 prej tyre.

Impresium:

Eksperte ligjre Vyrtyte Gërvalla

Shkrim: Adelina Ahmeti

Redaktimi: Visar Prebreza

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.