Ministria e Infrastrukturës hap tender në vlerë 38 milionë euro me vetëm 6 milionë euro të buxhetuara

Gjashtë milionë euro është shuma që Qeveria e Kosovës ka ndarë në buxhetin e saj për vitin 2023, për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

I tërë projekti, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, e kap shifrën e 38 milionë eurove, ndërsa ministri Liburn Aliu po shpreson në ndihmën e Ministrisë së Financave që të finalizohet ky projekt.

Në fakt, sipas Buxhetit të Kosovës për vitin 2023, shuma prej 6 milionë eurove është bartur nga buxheti i vitit 2022.

Për vitin 2024 është parashikuar të ndahen 5 milionë euro, e për vitin 2025 edhe 11 milionë e 330 mijë euro të tjera. Rrjedhimisht, në total nëse e llogarisim edhe shumën e planifikuar, janë 22 milionë euro për këtë projekt, e vetëm 6 milionë euro prej tyre të buxhetuara.

Përmes një shkrimi në rrejtin social Facebook, ministri Liburn Aliu të hënën më 9 janar tha se janë ndarë plot 38 milionë euro për përfundimin e kësaj rruge, por që nuk dha shumë informata se si janë ndarë këto mjete.

Ai ka shkruar se është marrë deklarata për disponueshmërinë e mjeteve nga Ministria e Financave.

“Tani pasi që ka përfunduar elaborati i shpronësimit dhe që kemi marrë deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga MFPT, sot është hapur afati për pranimin e tenderëve për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Presim që sa më shpejtë të vijojë puna për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, një investim infrastrukturor me rëndësi madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, qarkullimin rrugor në përgjithësi, por dhe për zhvillimin ekonomik të vendit” – ka shkruar Aliu.

38 milionë euro për rrugën Prishtinë – Podujevë

Ndërsa zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, për KALLXO.com ka thënë se pjesa tjetër e mbetur prej rreth 15 milionë eurove pritet të sigurohet nga Ministria e Financave.

Durmishi ka thënë se për këtë kanë marrë garanci nga Ministria e Financave.

“Projekti është bërë pasi që është miratu buxheti, edhe e kemi bo një kërkesë në Ministrinë e Financave dhe kemi marrë deklaratën e disponueshmërisë së mjeteve nga Hekuran Murati, në vlerën prej rreth 15 milionë euro, për të arritur në shifrën e 38 milionë eurove” – ka thënë ai përmes telefonit.

Sipas tij, këto mjete mund të përdoren në cilindo prej viteve buxhetore, në varësi prej dinamikës së punimeve.

Premtim pas premtimi për finalizimin e rrugës

Ministër i Infrastrukturës ka qenë Lufti Zharku e kryetar i Podujevës Agim Veliu, kur për herë të parë është përuruar projekti për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, në vitin 2016.

Punimet në këtë rrugë kishin vazhduar edhe gjatë mandatit të ministrit Pal Lekaj. Më 3 tetor të vitit 2018 është bërë asfaltimin e segmentit të katërt të kësaj rruge.

Për përfundimin e saj ishin dhënë disa herë afate kohore.

Më 23 korrik 2021, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte thënë se po asfaltohej shtresa e parë në projektin “Ndërtimi i rrugës nacionale N25, segmenti Besi – Podujevë, Llot 4”.

“Mision e kemi që sa më parë të përfundohen projektet që janë zvarritur me vite të tëra”, kishte shkruar Durmishi në Facebook.

Ndërkohë, më 11 gusht 2021, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka premtuar se punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë do të përfundojnë këtë vit [2021].

“Rruga Prishtinë – Podujevë do të përfundojë këtë vit” – ka thënë ministri Aliu në emisionin #KallxoPernime.

Më 2 nëntor 2021, kryeministri Albin Kurti thoshte se punimet do të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm – 2022.

“Jemi këtu së bashku me kryetarin Bulliqi, të konstatojmë një zvarritje, përveç që është e dëmshme, është edhe e paarsyeshme, teksa sektori dy do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, ndërsa në vitin 2022 ne zotohemi që do të përmbyllim punimet dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme, në këtë mënyrë që kjo rrugë që e lidh Llapin me kryeqytetin të jetë e përfunduar, dhe njerëzit të mos kenë më vështirësi në këtë trafik kaq të dendur, sikur të ishte në mes të Prishtinës” – kishte deklaruar kryeministri Kurti nga një takim që kishte pasur në Komunën që udhëhiqet nga partia e tij.

Në gusht të vitit 2022, në një intervistë, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ishte shprehur se tashmë janë kryer disa procedura kryesore, si ajo e shpronësimit, për punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë.

Tenderi për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë është hapur më 6 janar 2023. Ky tender është i ndarë në 5 LOT-e.

Afati i përcaktuar për përfundimin e punëve, sipas njoftimit për kontratë, është 425 ditë që nga data e nënshkrimit të kontratës.

Ndërsa kompanitë që duan të marrin pjesë në këtë tender duhet të plotësojnë disa kritere teknike si përshembull duhet të ofrojnë dëshmi se kanë përfunduar me sukses në 10 vitet e fundit kontrata të ngjashme; duhet të ketë bazë për prodhimin e aslfaltit në pronësi apo marrëveshje për furnizim me asfalt; duhet të ketë gurthyes të licencuar në pronësi apo marrëveshje për furnizim; apo duhet të ketë bazë për prodhimin e betonit në pronësi apo marrëveshje për furnizim.

Zëvendësministri Hysen Durmishi për KALLXO.com ka thënë se procesi i shpronësimit ende nuk ka përfunduar, për pronat që preken nga ndërtimi i kësaj rruge. Sipas tij, procedurat janë përgatitur në departamentin e shpronësimit dhe tash pritet të dërgohet në mbledhjen e Qeverisë, për miratim.

Vlera totale e shpronësimeve nuk dihet ende, pasi që sipas Durmishit, Ministria e Financave ende nuk e ka bërë vlerësimin.