ARKIV - Foto: RTV 21

38 milionë euro për rrugën Prishtinë - Podujevë

Për të përfunduar rrugën nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndarë 38 milionë euro.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar që sot është hapur afati për pranimin e tenderëve për ndërtimin e kësaj rruge.

“Presim që sa më shpejtë të vijojë puna për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, një investim infrastrukturor me rëndësi madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, qarkullimin rrugor në përgjithësi, por dhe për zhvillimin ekonomik të vendit”- ka shtuar ai.

Sipas tij, kjo është arritur pasi që ka përfunduar elaborati i shpronësimit dhe kanë marrë deklaratën e disponueshmërisë së mjeteve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Kujtojmë që ministri Aliu në një konferencë për media ka folur për ‘ngecjet’ e punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë.

Për Aliun kjo rrugë është ndër rastet më të rënda. Ai theksoi se kjo rrugë ka probleme në shpronësim e dizajnim të saj duke theksuar se shumë shpejt do të fillojnë punimet intensive në të.

Ai kishte deklaruar se “Rruga Prishtinë – Podujevë është ndër rastet më të rënda e cila përpos problemeve të shpronësimit dhe problemeve të dizajnit ka edhe probleme të tjera gjatë realizimit të cilat jemi duke i marrë seriozisht dhe unë mund të ju them që është breng kryesorja e jona. Shumë shpejt do të fillojnë punimet intensive e për dhënie të datës nuk do të mund të flas sepse problemet pronësore po dalin gjithnjë të reja”.

 

Ministri i Infrastrukturës: Rruga Prishtinë-Podujevë, ndër rastet më të rënda