Dyshimet për kepërdorimet me patentë-shoferë, Prokuroria e Pejës nis hetime

Prokuroria e Pejës ka njoftuar se ka nisur hetimet për dyshimet për keqpërdorime lidhur me patentë-shoferë, të ngritura sot nga zëvendëministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënës i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi ka thënë se çështja është duke u hetuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda.

“Ajo çka mund të konfirmoj është se rasti është duke u hetuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japim më shumë detaje” – u shpreh Nikçi.

Durmishi në konferencën e sotme ka thënë se kanë identifikuar shkelje dhe keqpërdorime në njësitë e patentë-shoferëve, kryesisht në rajonin e Pejës e që të njëjtat pretendime i kanë dorëzuar në Prokurori.

Sipas tij, dyshimet janë se kanë të bëjnë me “një ndërmarrje të gjerë kriminale”.

Durmishi tha se kanë gjetur raste kur kandidati i është nënshkruar provimit në pjesën teorike në vitin 2023 në Prishtinë, ndërsa në dosje figuron që i njëjti kandidat e ka kaluar provimin në vitin 2022 në Pejë.

“Ka shumë raste që kandidatët i janë nënshtruar provimit në vitin 2022, ndërsa me certifikatën e Kryqit të Kuq janë pajisur me vitin 2023. Natyrisht që kjo është në kundërshtim me ligjin sepse nuk mund të hysh në provim pa pasur certifikatën e Kryqit të Kuq” – tha ai në një konferencë për media të premten.

“Gjithashtu kemi gjetur se është keqpërdorur edhe emri edhe nënshkrimi i një ekzamineri i cili ka dalur në pension. Në shumë teste nënshkrimi i tij nuk përshtatet me origjinalinsi dhe mbiemri i tij është shkruar gabimisht Po ashtu, nga ato që kemi gjetur, një pjesë e madhe e kandidatëve që kanë kaluar provimin nuk kanë qenë fare në Kosovë në atë kohë. Kemi një rast kur një ekzaminier është angazhuar vetëm për dy javë në Pejë dhe brenda kësaj periudhe ky ekzaminer i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike. Kjo është dukshëm mbi mesataren dhe kryesisht janë kandidatë nga komunat tjera” – shtoi ai.

Durmishi tha se pasi i kanë dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Pejës, janë të informuar se edhe sekretari dhe udhëheqësit e departamenteve përkatëse brenda ministrisë janë duke ndërmarrë masat administrative ku personat përgjegjës janë duke i dërguar para komisionit disiplinor.