Si Mundet Kosova t’i Paraprijë Konferencës së Parisit ?

Kjo konferencë do të trajtojë çështjen e ngrohjes globale që ka për qëllim kryesor arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët për ndërmarrjen e hapave konkretë të cilat do të rezultonin me një ngadalësim të ndryshimeve klimatike.

Sidoqoftë, ndryshe nga vitet e tjera ku fokusi qëndronte në strategjitë “top-doën”, tanimë, kjo strategji është zëvendësuar me atë “bottom-up”, ku shtetet individuale inkurajohen t’i shpalosin botës ambiciet e tyre dhe planet afatgjata për reduktimin e karbonit.

Aktorë nga fushat e qeverisjes, bizneseve private, e sipërmarrjeve priten të arrijnë një kompromis rreth hapave konkretë që duhet të ndërmerren pas 2020-ës që do të kontribuonin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.

Prandaj, çdo shtet që synon t’i bashkohet këtij qëllimi duhet ta deklarojë “kontributin në shkallë kombëtare” i cili do të hyjë në fuqi pas vitit 2020.
Kosova mund t’i kontribuojë shumë kësaj iniciative duke qenë se ka mjaft përmirësime për të bërë drejt ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit të qëndrueshem.

Si fillim, vetëdijesimi i qytetarëve në lidhje me synimet e konferencës së Parisit si dhe ngrohjen globale në përgjithësi, do të ishte hapi fillestar drejt mobilizimit për konferencë si dhe objektivave ndërkombëtare në të cilat vendi është palë nënshkruese.

Ky vetëdijesim mund të vijë në formë të fushatave lokale ku qytetarët do të informoheshin për efektet anësore të ndryshimeve klimatike, si dhe mënyrat se si ata individualisht do mund të kontribuonin drejt kësaj nisme.

Për më tepër, perms linqeve online në LiveEarth, qytetarët mund të bëhen vetë pjesëmarrës të konferencës ku me nënshkrimin e peticionit për arritjen e një marrëveshjeje globale në Paris, do të kontribuonin kështu në objektivin drejt mbledhjes së një milliard nënshkrimeve të qytetarëve.

Një tjetër organizim që do mund të kontribuonte drejt vetëdijesimit të popullatës është edhe organizimi i një koncerti ku ikona të njohura të muzikës do mund t’i promovonin edhe më tutje objektivat e konferencës në muajin dhjetor.

Ky koncert mund të organizohet paralelisht me atë në Paris, i cili do të mbahet me 19 shtator përballë kullës Eiffel, e më pastaj të transmetohet në Youtube apo edhe transmetim direkt, duke i treguar kështu botës se qytetarët e zakonshëm në Kosovë mbështesin nismën për zhvillim të qëndrueshëm.

Përveç mobilizimit dhe vetëdijesimit lokal, vendi duhet të tregojë angazhim maksimal dhe seriozitet edhe në termin afatgjatë.

Një ndër pikat kryesore ku ne mund të tregojmë solidaritet dhe vendosshmëri në lidhje me hapat e mëtutjeshëm për zbutjen e ndryshimeve klimatike është fusha e energjisë.

Duke qenë se Kosova është vendi i pestë në botë me pasuri të thëngjillit si dhe termocentrali “Kosova A” konsiderohet si burimi kryesor i ndotjes në kontinent, kishte me qenë e udhës që vendi të adoptonte një strategji energjetike që do të ishte në harmoni me objektivat e konferencës. Për shembull etiketimi i thëngjillit si “pasuri e bllokuar” (stranded asset) do të pamundësonte kështu varëshmërinë e Kosovës në thëngjill, duke hapur rrugë për alternativat energjetike si burimet e ripërtërishme duke përfshirë këtu energjinë solare, atë të erës dhe ujit, etj.

Për më shumë, hapat e mëtutjeshëm në lidhje me dekomisionimin e termocentralit “Kosova A” duhet të jenë në përputhje me iniciativat globale si dhe qëllimet konkrete të konferencës.

Përmirësimet në sektorin energjetik do të rezultonin me uljen e emitimeve të gazrave toksikë në atmosferë, si dhe do të kontribuonin rreth synimit për ta mbajtur karbonin “e varrosur” në tokë.

Duhet cekur se përveç sektorit energjetik, tjerë sektorë si transporti dhe bujqësia ndër të tjerash duhet gjithashtu të reformohen në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në termin afatshkurtër përsa i përket konferencës qeverisja qendrore duhet të caktojë objektivat që ka për synim t’i ndërmarrë dhe të cilët mund të realizohen duke mos anashkaluar sferat tjera.

Përderisa konferenca në dhjetor synon që të depërtojë jo vetëm te nivelet e qeverisjes qendrore, por edhe te bizneset private e sipërmarrjeve, do të ishte e kapshme në qoftë se bizneset lokale tregojnë iniciativë për t’u zhvilluar duke pasur parasysh mosndotjen e mëtutjeshme të ambientit.

Gjithashtu, nismat për krijimin e vendeve “të gjelbra” të punës (green jobs) qoftë nga sektori publik apo ai privat, do të sinjalizonin një mobilizim dhe pajtueshmëri të qytetarëve me synimet e konferencës.

Në termin afatshkurtër, sipërmarrjet lokale mund ta përfaqësojnë sektorin privat të Kosovës në dhjetor, duke prezantuar disa ide preliminare se si ata e nënkuptojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe planet konkrete për ta shtyrë më tutje këtë ide.

Është e rëndësishme që vendi të tregojë mobilizim të plotë drejt konferencës duke filluar me vetëdijesimin e qytetarëve për ndryshimet klimatike, e pastaj duke përfshirë edhe sektorin publik dhe atë privat në lidhje me targetet kryesore që Kosova mund t’i arrijë deri e edhe pas 2020-ës.

Këto objektiva duhet të jenë të kapshme duke marrë parasysh zhvillimin ekonomik të vendit, pa dëmtuar sferat e tjera ekonomike e sociale. Për më tepër, këto qëllime janë gjithsesi të domosdoshme duke marrë parasysh se vendi është palë nënshkruese e traktateve ndërkombëtare për mbrojtje të ambientit dhe uljen e gazrave serrë.

Dina Vllasaliu është pjesë e Konsorciumit Kosovar të Shoqerise Civile per Zhvillim te Qendrueshem (KOSID)