Shëndetësia sociale, terren i pastudiuar dhe i pasistemuar në Kosovë

Mjaft ndërtuam shtëpi, rrugë, shkolla, sollëm vetura, besa bëmë edhe dasma e promovuam muzikë të zhanreve të ndryshme.

Tash ka ardhur koha të ndërtojmë bashkëpunimin në një nivel tjetër, duke iu atribuuar kërkesave të kohës dhe gjendjes aktuale. Është koha që të ndahet në rend të parë, dashuria për punë, dija dhe përvoja e çmueshme profesionale. Përmes kësaj bëhemi shembull i mirë i bashkëpunimit në sferën ekonomike, sociale e shëndetësore dhe kudo që ndjehet nevoja për bashkëpunim. Duhet t’i japin krah njëri-tjetrit, meqenëse kemi mundësinë dhe kapacitetet e mjaftueshme nëse veprojmë të koordinuar dhe bashkë me qëllim për një mirëqenie të përgjithshme në vendin tonë.

Punën e Ministrisë së Diasporës nuk e pata marrë kurrë shumë seriozisht (gjithë iniciativën dhe rrjedhën e saj). Vizioni i Germinit se si të integrohet diaspora në atdhe më zgjoi kureshtjen falë edhe punës profesionale me organizimin e konferencës ‘Diaspora Flet’. Ne, si kosovarë që jetojmë jashtë atdheut na u dha një sinjal për bashkëpunim, shkëmbim dhe ofrim të përvojave profesionale në rrjedhën e përgjithshme të zhvillimit të vendit.

Këta dy komponentë diasporë-atdhe, që nga paslufta deri tani nuk ishin të harmonizuar, përveç aspektit financiar. Kjo e bëri këtë lidhshmëri edhe më komplekse e më të ndjeshme, pasi krijoj paaftësi të qasjes së përbashkët në fushën e bashkëpunimit profesional, në të gjithë lëmenjtë tjerë.

Të jemi më konkretë

Që të kemi një bashkëpunim të qëndrueshëm duhet të bëjmë që të funksionojë sistemi. Që të kemi sistem të shëndoshë, duhet të kemi politika të mirëfillta. E për të pasur politika të mirëfillta duhet të kemi vullnet politik e besa edhe njerëz te vullnetshëm.

Ministria e Diasporës duhet t’i kanalizojë burimet e këtij gjiganti njerëzor që është i shkapërderdhur si vlerë e pakoordinuar, por në anën tjetër të lidhur ngushtë me atdheun dhe vullnetin për ta ndihmuar atë.

Kontributi i diasporës në Kosovë duhet të bëhet me mendje, me zemër dhe me duar. Me mendje, nënkuptoj shkëmbimin e përvojës profesionale dhe edukative.

Me zemër, është dashuria jonë për atdheun. Kontributi i pakusht që ta shohim Kosovën në familjen e sistemeve të avancuara në aspektin profesional.

E me duar kontributi lidhet me punën që duhet të bëhet për ndërtimin e grupeve të punës, formimi i rrjeteve bashkëpunuese me vendet ku ne jetojmë (mërgim) si dhe tu japim një krah profesional kolegëve tanë në atdhe.

Me mendje, zemër e duar dëshiroj të jem pjesë e grupeve punuese me bashkëvendësit e mi, të ndaj njohuritë e mia edukative dhe përvojën e punës 12 vjeçare në fushën e shëndetit mendor dhe psikiatrisë forenzike në veçanti. Për të gjithat këto është e domosdoshme përkrahja institucionale.

Shëndetësia sociale, ku hyjnë: grupet shoqërore që kanë probleme te natyrës psikosociale, personat me aftësi të kufizuar edukative (në kombinim me problemet e sjelljes ose problemet psikiatrike) janë terren i pastudiuar dhe i pasistemuar në Kosovë. Duhet të ceken disa komuna të cilat kanë probleme afatgjate të trafikimit, përdorimit dhe abuzimit me narkotikë. Aty, mungon qasja e mirëfilltë profesionale në sistemin e shëndetësisë sociale, apo edhe në sistemin shëndetësor publik.

Personalisht jam i zhgënjyer dhe në anën tjetër i motivuar që të ndikoj pikërisht në këtë lëmë me ofrimin e ndihmës sime si specialist i profesionalizuar, në këtë fushë.

Si shqiptar, me përvojë shumëvjeçare në këtë fushë, dëshiroj të jap kontributin tim në procesin e ndërtimit të sistemeve të qëndrueshme në lëmin e shëndetit mendor. Risitë dhe implementimin e modeleve të punës psikoedukimit, psikostatistikave, diagnostifikimit dhe trajtimit klinik e shumëdiciplinar. Si dhe të kontribuoj në ndërtimin e rrjeteve bashkëpunuese mes kolegëve vendorë dhe atyre në shtetet ku unë bashkëveproj.

Si problematikë e shoh edhe mosfunksionimin e ndërgjegjes së shëndoshë në masë, por edhe në vet sistemet qeverisëse të vendit. Më duhet shtuar me keqardhje që e gjithë kjo mori problematikash në fushën e shëndetit mendor, tek ne nënvlerësohet dhe nuk shihet si një faktor regresiv për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mirëqenies Sociale, duhet të krijojnë mjete dhe mundësi, që të ndërtohen platforma për profesionalizimin e kapacitetit njerëzor (ku shumica janë të rinj), si dhe të kanalizohen potencialet e profesionistëve nga të dyja anët: Kosovë- Diasporë.

Profesionistët nga diaspora në bashkëpunim me kolegët vendor mund të jenë shumë më efektivë se stafi i huaj. Sepse kanë rrënjët e përbashkëta. Kanë vlerat morale e kulturore të përbashkëta i detektojnë më mirë nevojat, i njohin mangësitë dhe përparësitë e shoqërisë ku jetojnë apo veprojnë. Mbi të gjitha i lidhë dashuria për vendin e tyre dhe dëshira që ta shohin më mirë, atë, në një të ardhme të afërt.

Thënë me plotë sinqeritet, Kosova ballafaqohet me probleme komplekse të shumëllojshme brenda shëndetësisë mendore, trajtimeve specialistike, në qendrat forenzike, psikiatrike si dhe departamenteve të natyrës së shëndetit mendor.

Kosova ka mungesë profesionalizimi në këtë fushë, mungon aftësia profesionale në sistemin e diferencimit dhe klasifikimit të grupeve të cilat janë pjesë e sociopatoligjisë dhe psikopatologjisë.

Përshtypja ime për kolegët në Kosovë është shumë pozitive. Kam vërejtur se një pjesë e tyre kanë potencialin dhe kapacitetet e duhura teorike dhe praktike. E nevojshme është sistematika e punës. Sistemet e deritanishme janë të dobëta dhe jofunksionale, politikat sociale të kësaj lëmie ende janë pa një kornizë logjike e praktike.

Tabutë kulturore

Të gjitha këto probleme mund të tejkalohen përmes një bashkëpunimi të afërt dhe shkëmbimi të përvojave profesionale. Qasja e përbashkët do të jetë më e fuqishme dhe më efektive duke i adresuar problemet në fushën e shëndetit mendor, me qëllimin e përbashkët të ndihmohen kategoritë e përmendura më lartë dhe grupet në nevojë. Të gjitha për një mirëqenie të përgjithshme të shoqërisë së vendit tonë.

Fenomen tjetër (në fushën e shëndetit mendor) është edhe mungesa e edukimit profesional. Krejt vonë, Kosova ka filluar të ketë staf psikologësh, sociologësh e specialistësh në fushën e shëndetit mendor.

Si fenomene, tjera, e që e bëjnë bukur komplekse në këtë segment, janë edhe tabutë kulturor ‘etnike’, të tjerat që vijnë nga religjionet, kompleksiteti moral i individit, shtresave shoqërore e në fund edhe mosnjohja e kërkesave të grupeve të caktuara shoqërore.

Ministritë përkatëse, duhet të tregojnë gatishmëri të rritet buxheti për këtë segment. Është hapi i parë dhe i patjetërsueshëm për të ndihmuar grupet në nevojë (shembull i Holandës ku Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Shëndetësisë ndanë buxhetin më të madh për këtë segment; shëndetin mendor).

Pastaj duhet rritet cilësia e vëzhgimit etik e profesional; të kritikohen dhe studiohen rrjedha e problemeve në shëndetin mendor. Të krijohen platforma informative me qëllim të ngritjes se nivelit të vetëdijes në përgjithësi e sidomos i stafit, edhe grupeve te caktuara në nevojë.

Shoqëria kosovare ka një shkallë jo shumë të lartë te vetëdijesimit, si në kuptimin e normave dhe vlerave, ashtu edhe në pikëpamje të kualiteteve/dobësive.

Po ashtu në aspektin profesional, sistemi shëndetësor dhe vetë profesionistët e kësaj fushe duhet parë veten si rol-model në përmirësimin e shëndetit mendor.

Grupet profesioniste duhet të tregojnë gatishmërinë për të bashkëpunuar. Të krijojnë metodikën e preferuare të punës, të jenë proaktiv në ndryshimin e këtij sistemi. Të balancojnë kapacitet vendore dhe ato të diasporës, të përdorin njohuritë dhe aftësitë individuale e kolektive për të hartuar kompetencat e kërkuara brenda pozicionit, titullit dhe vet dilemës sociale e shëndetësore.

Shoqëria kosovare në tërësi, duke filluar nga niveli qendror, ka shumë nevojë ta mësojë dhe ta zbatojë vetëreflektimin, vetëaktivizimin dhe të bëhet vëzhguese ndaj proceseve dhe politikave sociale. Të formojë mendimin kritik e konstruktiv, të diskutojë për veprimet e mbi të gjitha të ketë ndjenjën e kulturën afektive, neutrale kur bëhet fjalë për normat etike në fushën profesionale.

Thënë shkurt, shëndeti mendor, është një segment ku kërkohet shumë. Unë si një djalë Kosove nga diaspora po pres që një ditë të më jepet mundësia e të punoj për ndryshimin dhe avancimin e këtij segmenti. Të ndihmoj vendin tim.

Ministritë e shoqëria nuk e di nëse mund të presin, por ata që kanë nevojë për ndihmë, prandaj është jo humane t’i lëmë edhe më tutje të presin!

Kosova ka nevojë për ndihmë dhe ne jemi të gatshëm ta ofrojmë atë.

Bashkë mund t’ia dalim.

 

Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve.

Xhevat Zogaj ka lindur në Kosovë në fshatin Lladroc. Për shkaqe sigurie, ekonomike si dhe luftës që shpërtheu në ish-Jugosllavi, është detyruar të ikë jashtë vendit. Disa vjet ka jetuar në Holandë ku edhe është shkolluar dhe ka punuar si Social- Psychiatric Nurs, në shëndetin mendor e në psikiatrinë forenzike në veçanti. Nga shtatori i vitit të kaluar jeton në Gjermani ku ushtron profesionin e njëjtë.