Rama Duhet t’i Japë Fund Agonisë Rreth Remzi Hoxhës

Unë kam qenë vetëm 14 vjeçar kur Shërbimi Informativ Kombëtar, ShIK, shërbimi sekret i Shqipërisë, kidnapoi babanë tim, Remzi Hoxhën, me 21 tetor 1995 – më shumë se 20 vjet me parë. 

Në atë kohë, rrugët që të çonin në Shqipëri kanë qenë pothuajse shtigje dhish dhe pasi që nëna ime lajmëroi xhaxhallarët e mi, atyre iu nevojitën më shumë se dhjetë orë për të shkuar në Tiranë për të filluar trokitjen në zyrat e institucioneve, duke u përpjekur që të gjejnë se ku e kanë dërguar babën, pas telefonatës që morëm se ai ishte zhdukur. 

Ky ishte fillimi i një tregimi të çuditshëm, ku në Shqipërinë e çliruar nga regjimi i ashpër i Enver Hoxhës, në demokracinë e Sali Berishës, nëntë agjentë të shërbimit sekret erdhën me tri vetura, e morën babanë tim nga punëtoria e tij për një “verifikim”, premtuan ta lirojnë pas 48 orëve – pastaj e vranë dhe i fshehën eshtrat. 

Remzi Hoxha ka qenë një ndërmarrës që ka udhëhequr një kompani për procesim të aluminit. Familja jonë është marrë me prodhim dhe tregti të arit (floririt) që nga viti 1965.

Kur Sllobodan Millosheviqi erdhi në pushtet në Serbi dhe hoqi autonominë e Kosovës, babai im iu bashkua lëvizjes për rezistencë të quajtur Fronti i Rezistencës për Çlirimin dhe Bashkimin Kombëtar që më vonë u shkri në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Duke qenë njeri në kërkim nga regjimi i Millosheviqit, ai u detyrua ta lëvizë biznesin e tij nga Kosova dhe filloi të udhëheqë një fabrikë të vogël në Shqipëri. 

Sot e kësaj dite, ne dyshojmë që babai ynë u bë cak i shërbimeve sekrete pasi që gjatë njërit prej udhëtimeve të tij të shpeshta ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, rastisi në një takim ku kanë marrë pjesë Berisha, Kiro Gligorov, presidenti maqedonas dhe Millosheviqi me 31 maj të vitit 1993. 

Ky takim u zhvillua në Shën Naum, një resort liqenor idilik, në kufirin maqedonaso-shqiptar. 

Berisha konsiderohej si “babai i kombit” dhe për patriotët shqiptarë si babai im dhe miqtë e tij, mundësia që Berisha po bënte marrëveshje me Millosheviqin përderisa ai po bënte luftë në Bosnjë dhe terrorizonte shqiptarët e Kosovës, ishte një tradhti.  

Në një rast tjetër, disa muaj më vonë, babai im dhe ekipi menaxhues i kompanisë së aluminit shkuan për të inspektuar njërin nga projektet e tij në Shkodër, në veri të Shqipërisë. 

Pasi që kishin përfunduar punën, ata shkuan për drekë në një restorant ku panë Bashkim Gazideden, udhëheqësin e Shërbimit Sekret Shqiptar, duke drekuar me Zheljko Raznatoviq “Arkanin”, dorën e djathtë e Millosheviqit dhe udhëheqësin e nëntokës. 

Kolegët e tim et e përshkruajnë atë krejtësisht të shokuar me këtë pamje. Pas kësaj, ai telefonon Pjetër Arbnorin, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, me të cilin ishte mik dhe e pyeti: “Çfarë po ndodh? Përderisa ne përgatitemi për të shkuar në luftë me ta, njerëzit tuaj janë duke drekuar me njerëz si “Arkani” dhe Milosheviqi”. 

Babai im ishte këmbëngulës. Ai vazhdoi duke e ngritur këtë çështje me Ibrahim Rugovën, në atë kohë lider i lëvizjes së Kosovës për pavarësi. Ne dyshojmë që Arbnori dhe Rugova e kanë thirrur Berishën për ta pyetur për këtë. Nuk ka qenë sekret që babai im ka qenë burimi që i ka parë këto takime. Është e qartë që babai im kishte “ditur shumë” dhe kjo nuk duhej toleruar. Duke fshirë tim atë, ata do të fshinin gjithë kujtesën nga këto takime. 

Cinikët mund të thonë që disidentët, veçanërisht patriotët e pasionuar si babai im, janë në mënyrë natyrale të prirë të jenë paranikë rreth tradhtisë dhe hamendësojnë shumë se çfarë mund të ketë ndodhur në këto takime.

Por unë kam lexuar raporte të panumërta në mediat serbe, malazeze dhe ndërkombëtare që tregojnë që liderët jugosllavë në atë kohë, si për shembull Momir Bulatoviq nga Mali i Zi, kanë folur hapur për takimet me mikun e tyre Berishën, duke e lutur atë që të “mbyll njërin sy” dhe të shkelë embargon ndërkombëtare, e të lejojë kontrabandën në Jugosllavi. 

A e mbylli Berisha njërin sy? New York Times kishte raportuar në vitin 1995 që në Shqipëri, në veçanti Shqipërinë Veriore, bastionin e votuesve të Berishës,  haptazi shkelej embargoja e OKB-së kundër Jugosllavisë, duke furnizuar sasi të mëdha karburanti për tanket serbe që luftonin në Bosnjë. 

Artikulli shkruante që administrata amerikane e Bill Klintonit ishte madje duke konsideruar që t’ia dërgojë një notë zyrtare diplomatike Berishës, pasi që Shqipëria “po shndërrohej në një autostradë nafte për fqinjin e saj të ulët”. 

Përderisa kjo ishte e ditur në shtypin ndërkombëtar, shqiptarët e Kosovës, po ashtu nën sanksione, akoma e shihnin Shqipërinë me romantizëm. 

Për patriotët si puna e babait tim që ishin duke luftuar nga nëntoka, duke u përgatitur për luftë, kurrë nuk do ta besonin – përpos nëse do ta shihnin me sytë e vet – që figurat kryesore në Shqipëri po e thyenin me vetëdije embargon dhe bënin tregti me Millosheviqin. 

Berisha ka mohuar akuzat se ai ka shkelur embargon. Që nga zhdukja e babait tim, Berisha në vazhdimësi është pyetur për fatin e Remzi Hoxhës dhe ai ka mohuar që ka ndonjë njohuri për fatin e tij. Bashkim Gazidede po ashtu ka mohuar që ShIK-u ka pasur të bëjë me zhdukjen e babait tim. 

Por kjo nuk është ajo që mendoi Xhevat Hana, prokurori i guximshëm i Njësisë së Krimeve të Rënda në Shqipëri. Gjatë një gjykimi të gjatë që filloi në vitin  2008 dhe përfundoi në vitin 2012, prokurori ka argumentuar që pasi që u dërgua në një shtëpi të sigurt të ShIK-ut në Lezhë, në veri të Shqipërisë, Hoxha vdiq si rezultat i lëndimeve të marra gjatë torturave. 

Hana, njeriu kryesor në mbledhjen e fakteve në këtë rast, ka vdekur nga një sëmundje enigmatike në janar të vitit 2012. Përderisa shteti shqiptar i udhëhequr nga Berisha kishte paguar trajtimin nga kanceri për kreun e ShIK-ut, Gazidede, në vitin 2008, kërkesa e familjes së Hanës për ndihmë financiare nga shteti për trajtim mjekësor jashtë vendit kishte hasur në vesh të shurdhër.  

Gjatë fushatës sonë për drejtësi për këtë rast gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, familja jonë mësoi që torturat kishin për qëllim të nxjerrin çfarëdo prove që babai im mund të kishte për këto takime kontroverse. 

Ndoshta plani ka qenë që të marrin këtë “provë” dhe ta lëshonin të lirë pastaj. Por ai nuk kishte prova. Nuk kishte smartfonë në atë kohë që të bënte foto, apo video aty për aty. Gjithë çka mund të bënin është të rrisin torturën deri sa baba im vdiq, katër ose pesë ditë pas arrestimit të tij, pas së cilit ne dyshojmë se ata u përpoqën të fshehin trupin me shpresën që nëse nuk kishte trup, nuk kishin krim. 

Në nëntor të vitit 2012, gjykata shpalli fajtor për rrëmbim Ilir Kumbaron, njërin nga katër zyrtarët e ShIK-ut, dhe e dënoi me 15 vjet burgim në mungesë. Ironikisht, asnjëri nga njerëzit e akuzuar për zhdukjen e babait nuk është duke vuajtur dënimin. Tre u liruan pasi që akuzat me të cilat ata ngarkoheshin kanë rënë në kategorinë e “krimeve të amnistuara”, përderisa Kumbaro besohet që jeton si njeri i lirë në Mbretërinë e Bashkuar. 

Kumbaro kërkoi azil në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1996 duke u shtirur si refugjat kosovar dhe në atë kohë ka jetuar me identitet të rremë si Shaqa Shatri. 

Pasi identiteti i tij u zbulua nga një gjykatë britanike dhe pasi Shqipëria kërkoi ekstradimin e tij, Kumbaro u zhduk dhe që nga atëherë nuk është gjetur nga autoritetet britanike. 

Edhe pse Amnesty International ka bërë fushatë për vite për ata që kanë qenë përgjegjës për zhdukjen e babait tim që të sillen para drejtësisë, nuk është bërë shumë në atë drejtim. 

Kryeministri aktual shqiptar, Edi Rama, ka dëshmuar që kur ai dëshiron që të ketë sundim të ligjit, ai mund t’i lëvizë gjërat, siç ka qenë lufta e suksesshme kundër udhëheqësve të mirorganizuar të drogës në Lazarat në jug të Shqipërisë dhe arrestimi i shpejtë i vrasësit të turistëve çekë në veri të Shqipërisë. 

Në rastin e babait tim, qeveria e Ramës, duhet të tregojë vullnetin politik për të shtyrë përpara kërkimin e Kumbaros në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai është parë për herë të fundit. 

Aktualisht nuk ka përpjekje nga institucionet në Shqipëri për të zbatuar vendimin për arrestimin e Kumbaros. Fakti që kjo nuk po ndodh, e ngrit pyetjen: a është Kumbaro ende i mbrojtur nga njerëz të caktuar në Shqipëri? 

Shumë qeveri kanë ndryshuar në Shqipëri që nga vrasja dhe asnjëra nuk ia ka dalë ta çojë drejtësinë në vend. Por, mbi të gjitha, krahas vënies në vend të drejtësisë formale, ne duam që të gjejmë trupin e babait dhe ta varrosim atë që brezat e ardhshëm të familjes sime, të kenë ku të vendosin lule. 

Zgjidhja e këtij krimi jo vetëm që do t’i tregojë botës që Shqipëria është gati t’i bashkohet Evropës, por po ashtu do të hiqte një barrë nga shpatulla e Shqipërisë dhe do të tregonte që ajo është në gjendje të merret me të kaluarën e saj. 

Tani është më lehtë se kurrë që ta zgjidhë këtë krim të shëmtuar dhe të dhimbshëm, pasi që ekzistojnë kriminelë të dënuar dhe vetëm duhet vullnet politik nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ardian Hoxha është një ndërmarrës dhe themelues i shkollës private fillore dhe të mesme, American School of Kosova – ASK, që nga viti 2003.